Refugjatët
Në Turqi gjendet trupi i një 4-vjeçareje. Emigrantët rrezikohen edhe nga fushat e minuara
Policia – Një 41-vjeçar nga Iraku u vra nga policia gjermane dje në Berlin, pasi plagosi me thikë një police. Agresori dyshohej si ekstremist islamik
Tragjedia – Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi dje se 4-vjeçarja e gjetur e pajetë në brigjet turke po udhëtonte drejt brigjeve greke
Minat – 60 mijë deri në 100 mijë mina – me të cilat mund të përballen refugjatët – gjenden në një zonë prej 802 km katrorë në Kroaci
Kroacia nuk mund të shndërrohet në një “pikë të nxehtë” për emigrantët. Me këtë fjali, kryeministri kroat, Zoran Milanoviç, deklaroi se vendi i tij do të lejojë refugjatët që të përdorin territorin e vendit si rrugëkalim drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Ai tha dje në Zagreb se vendi i tij nuk mund të mbyllë tërësisht kufijtë, por situata ishte emergjente dhe fluksi i papërballueshëm për autoritetet. Kroacia mbylli në orët e para të ditës së djeshme shtatë nga tetë pikëkalimet kufitare të saj, pas fluksit të madh të emigrantëve që ka nisur të vërshojë nga Serbia në tre ditët e fundit. Brenda pak orësh më shumë se 14 mijë refugjatë, pjesa dërrmuese e tyre sirianë, kanë hyrë në Kroaci. Lëvizja e tyre drejt Kroacisë dhe Sllovenisë mbërriti pas vendimit të autoriteteve hungareze, që ashpërsoi masat duke e konsideruar edhe vepër penale shkeljen e paligjshme të kufirit. Ndërkohë, Sllovenia, vend fqinj i Kroacisë, e akuzoi Zagrebin zyrtar për shkelje të rregullave të Bashkimit Europian, ndërsa nga Kroacia më parë gjatë ditës emigrantët u panë të shtyheshin përkohësisht sërish drejt kufirit hungarez. Ballkani po përdoret gjerësisht prej të zhvendosurve nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afganistan, si rrugë për kalimin në vendet e Bashkimit Europian. Pjesa më e madhe e tyre synojnë Gjermaninë. Berlini ka kërkuar ndërgjegjësim të vendeve të tjera të Unionit për të shpërndarë numrin e azilkërkuesve. Deri më tani, në Bruksel është rënë dakord për shpërndarjen e vetëm 40 mijë refugjatëve, por shifrat janë shumë më të larta. Kriza ka pasuar reagimin e mjaft vendeve të BE-së që ngurrojnë të strehojnë të zhvendosurit dhe kanë përforcuar kufijtë e tyre duke rikthyer kontrollet. Rikthimi i kontrolleve në kufi nga një pjesë e vendeve të zonës Shengen, është interpretuar nga analistët si një sfidë që i bëhet marrëveshjes së hyrë në fuqi në vitin 1995 për lëvizjen e lirë.
Rreziku nga fushat e minuara
Mijëra refugjatë të dëshpëruar të cilët nuk u lejuan të kalonin në kufirin hungarez mund të bien pre e një situate të paparashikuar, e të përjetojnë një tjetër kalvar, ndërsa detyrohen të përshkojnë fushat e rrezikshme të minuara në Kroaci, në kërkim të një jete më të sigurt në Europë. Mendohet se nga 60 mijë deri në 100 mijë mina gjenden në një zonë prej 802 km katrorë në Kroaci që prej luftërave ballkanike të viteve ’90. Përpjekjet për pastrimin e tyre u penguan nga përmbytjet masive të vitit 2014, dhe ende nuk dihet se sa kanë mbetur e sa prej tyre janë ende aktive. Gjithsesi, kjo përbën një perspektivë të rrezikshme e vdekjeprurëse për refugjatët të cilët që prej të mërkurës në mëngjes po vërshojnë drejt Kroacisë në rrugën e tyre drejt Austrisë dhe Gjermanisë. Grupe vullnetare në mediat sociale kanë publikuar udhëzime se si të shmangen minat dhe harta që tregojnë se ku janë fushat kryesore me mina. E ndërsa autoritetet thonë se fushat aktive me mina kanë shenja paralajmëruese, qindra vetë kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë plagosur nga ato që prej fundit të luftës në vitin 1995.
Tragjedi në Turqi e Eurotunel
Po dje, një tjetër lajm ka bërë xhiron e botës e ka ndodhur sërish në Turqi. Vetëm 2 javë pas tragjedisë së vogëlushit 3-vjeçar Ajlan Kurdi, i cili u mbyt bashkë me vëllain dhe nënën pranë Turqisë, autoritetet turke kanë gjetur në bregdetin e provincës perëndimore të Izmirit trupin e një vajze 4–vjeçare, edhe ajo viktimë e një varke të mbytur.
Sipas agjencisë lokale “Anadollu”, vogëlushja nuk është identifikuar ende. Ndërsa aktivistët e Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut raportojnë se bëhet fjalë për 4-vjeçaren Hanan Al Jarwan, që sipas tyre ka humbur jetën pas mbytjes së varkës me të cilën po udhëtonte drejt brigjeve greke. Trupi i saj u nxor në breg mëngjesin e së premtes në Altinkoy, distrikt i Cezmes. Rreth 14 persona të tjerë mes të cilëve edhe 8 fëmijë u shpëtuan nga Roja Bregdetare turke. Ka shumë gjasa që vajza të jetë viktima e vetme. Ndërkohë një emigrante tjetër humbi jetën e goditur nga vetëtima në anën franceze të Eurotunelit që lidh Francën me Britaninë e Madhe. Djali, 2 vjeç, po përpiqej të hipte në një traget mallrash, për të kaluar tunelin.