rama-e-basha_1Mospajtime që nga gjurmët e gishtave, drogës dhe krimet zgjedhore


Dënimet – Qeveria ka përcaktuar 79 vepra penale, kryerja e të cilave bëhet shkas për të mos lejuar ushtrimin e funksioneve publike. Për ata që janë dënuar për krime të rënda, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike do të jetë për gjithë jetën, ndërkohë që për krimet e tjera, ndalimi do të jetë nga 10 vjet.


Pezullimet – Drafti i qeverisë parashikon në të njëjtën kohë edhe pezullimet e atyre që janë në detyrë, kur pas miratimit të ligjit dhe verifikimit që do të bëhet për çdo zyrtar, do të rezultojnë të përfshirë në një nga veprat penale që parashikon ligji, për të cilat mund të jenë dënuar më parë.


Verifikimi – Sipas draftit të opozitës, të drejtën për nismën e verifikimit të të dhënave në formularin e vetëdeklarimit mund ta kenë 1/10 e deputetëve, Kryetari i Kuvendit, Prokurori i Përgjithshëm apo një prokuror tjetër ose dy anëtarë të KQZ-së për një deputet apo një anëtar të KM, përfshirë Kryeministrin, për një të zgjedhur në organet e bashkisë apo të qarkut, si dhe për anëtarin apo drejtuesin e një organi kushtetues.


Kërkesa e qytetarëve – Kërkesa të bëhet pranë organit kompetent për verifikimin, sipas këtij ligji, edhe nga jo më pak se 500 shtetas me të drejtë vote. Kërkesa për verifikim duhet të përmbajë të dhëna, fakte apo rrethana specifike. Mungesa e tyre, në çdo rast, nuk pengon fillimin e verifikimit sipas këtij ligji. Çdo nismëtar i kërkesës gjobitet me 100 000 lekë, kur pas kryerjes së verifikimit, kërkesa dukshëm është kryer me të dhëna të pavërteta.


ARTEMISA HOXHA


Mazhoranca dhe opozita kanë disa pika jo të përbashkëta sa u takon dy drafteve të depozituara në Kuvend, që synojnë kryerjen e procesit të dekriminalizimit. Opozita i qëndron idesë që i mbahet ligjit italian “Severino”, por e majta e konteston diçka të tillë, duke theksuar se nuk i qëndron atij. Gjithsesi, edhe pse deputeti i PD-së, Bylykbashi, ka deklaruar se ka elemente të përbashkëta të nismës së qeverisë, opozita shprehet se ka pesë pika themelore që ndajnë dy palët, ku opozita pretendon se nuk janë përfshirë nga mazhoranca. Pikërisht ai që e cilëson si pesë përqindësh e draftit që ndajnë dy palët e ku djathta nuk tërhiqet nga realizimi i tyre. “Hiqet termi dekriminalizim; hiqet ndalimi në funksione të të dëbuarve jashtë vendit; hiqet ndalimi në funksione publike i personave me identitet të ndryshëm në kohën e kryerjes së krimit; hiqet marrja e testit të drogës; hiqet ndalimi i së drejtës së votës për personat e dënuar për krime të rënda, korrupsioni apo krime zgjedhore”, janë pesë pikat që pretendon opozita se janë hequr nga drafti i saj.


Ndryshimet


Çështjet më të rëndësishme, të cilat janë trumbetuar më së shumti nga opozita, bërja e testit të drogës për çdo kandidat që synon të bëhet funksionar i lartë i shtetit apo ajo e verifikimit të ndryshimit të identitetit, si dhe shenjat e gishtërinjve, janë pikat që e ndajnë me  mazhorancën. Ndërkohë që në draftin e qeverisë, ajo çka është shtuar në listën e veprave penale që ndalojnë kandidimin e një individi për poste të pushtetit vendor apo në administratë, është edhe dënimi i mëparshëm për korrupsion. Në draftin e qeverisë nuk është i përfshirë testi i lëndëve narkotike, si dhe as përdorimi i gjurmëve daktiloskopike dhe çdo e dhënë tjetër biometrike për verifikim. “Në çdo rast verifikimi, është e detyrueshme të përdoren gjurmët daktiloskopike dhe çdo e dhënë tjetër biometrike që ruhet në bazën e të dhënave të identifikimit të shtetasve shqiptarë. Kur nuk disponohen gjurmët daktiloskopie dhe të dhënat e tjera biometrike të shtetasit për të cilin kryhen verifikimet, organi verifikues i kërkon shtetasit që brenda pesë ditësh të depozitojë këto të dhëna në Policinë e Shtetit. Në rast refuzimi, personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalim”, thuhet në draftin e PD-së. Ndërkohë që në rastin kur verifikimi kryhet për një deputet, të zgjedhur vendor apo një funksionar që ka një mandat me kohë të përcaktuar sipas Kushtetutës apo ligjit, në draft thuhet se e drejta për të nisur verifikimin e të dhënave sipas këtij ligji, si rregull, përfundon me fundin e mandatit të personit të zgjedhur, ndërsa kur verifikimi ka nisur para përfundimit të mandatit, procedura e verifikimit kryhet deri në arritjen e konkluzioneve përkatëse. Një tjetër ndryshim që vihet re në krahasimin mes dy drafteve është pikërisht edhe fakti i ngritjes së një strukture të posaçme pranë Prokurorisë së Përgjithshme për të realizuar procesin e verifikimit. “Pranë Prokurorisë së Përgjithshme ngrihet dhe funksionon një strukturë e posaçme për të realizuar procesin e verifikimit dhe për të koordinuar informacionin me institucionet e tjera relevante. Kjo strukturë konsiderohet në kuptim të këtij ligji si organi i ngarkuar me verifikimin e të dhënave, fakteve dhe rrethanave të përfshira në vetëdeklarim, si dhe çdo të dhënë, fakti apo rrethane tjetër të padeklaruara dhe që përbën bazë për zbatimin e ndalimeve të parashikuara nga ky ligj”, parashikohet në draftin e opozitës. Ndërkohë që drafti i qeverisë parashikon që “Drejtuesi i institucionit që, sipas nenit 5, është i ngarkuar për marrjen e kërkesës për verifikim, është i detyruar t’i kërkojë brenda pesë ditëve organit kompetent verifikimin e të dhënave, sipas këtij ligji. Por drafti i qeverisë e zgjeron gamën e atyre që nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak dhe në çdo rast nuk mund të marrin funksionin e kryeministrit apo anëtarit të KM, personat të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për të cilët është marrë masë sigurimi personal, vendim dënimi jo përfundimtar ose është lëshuar një urdhër kërkimi / arresti ndërkombëtar nga një autoritet gjyqësor i huaj. Ndërkohë që në rast se janë zgjedhur apo ushtrojnë një funksion publik, pezullohen nga çdo lloj funksioni, deri në momentin e revokimit të masës së sigurisë, urdhrit të arrestit ndërkombëtar ose të vendimit të pafajësisë të dhënë nga gjykata kompetente. PD-ja parashikon 34 vepra penale, ndërsa drafti i qeverisë parashikon 76 vepra penale në total. Varianti i opozitës ndërkohë parashikon që të ketë ndërprerje të menjëhershme të mandatit të personave që prek ky ligj, ndërsa i qeverisë parashikon një pezullim të tij. Jo përputhshmëri ka dhe mënyra se cili institucion do të realizojë procesin e “certifikimit” të zyrtarëve. PD-ja kërkon një strukturë të posaçme. Ndërsa qeveria kërkon që të kryhet nga titullari i institucionit.


Qëndrimet


Kreu i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Dekriminalizimin, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, duke paraqitur edhe një herë pikat kyçe të draftit me 18 nene të depozituara në Kuvend, akuzoi qeverinë se ka hequr nga drafti i saj për dekriminalizimin pikërisht nenet që do të diskreditonin politikanët në Kuvend, kryesisht ata të mazhorancës. Pikat ku ndryshojnë, sipas opozitës, i heqin thelbin qëllimit: largimin nga politika dhe administrata e personave me rekorde kriminale dhe moslejimin e kandidimit të tyre në të ardhmen. Pavarësisht ndryshimeve mes dy drafteve, ai u shpreh i hapur për të negociuar. “Megjithatë, le t’i japim kohën e nevojshme, që të kuptojë se duhet të kthehet. Koha e nevojshme është e shkurtër, ndërsa presioni i madh”, tha Bylykbashi. Nënkryetari i Komisionit për Dekriminalizimin, Taulant Balla, kërkoi që të mos ndryshohet ligji italian “Severino”, të cilit i është referuar qeveria shqiptare me arnime të PD-së. Teksa u shpreh i hapur për konsensus, Balla shtoi se opozita kërkon që të bëjë ligje për të përjashtuar persona të veçantë të saj, të dënuar për korrupsione. “Ne jemi të gatshëm të kërkojmë konsensusin qoftë në sallën e Kuvendit, madje nëse duan edhe në sallat e godinës së SHQUP-it, me kushtëzimin e vetëm që PD-ja me kolegët opozitarë të heqin dorë nga budallallëqet e gatuara me variantin shto miell e shto ujë në mensën e tyre, sepse unë me budallallëqe realisht vlerësoj disa propozime që na bëjnë qesharakë në sytë e të gjithë botës. Në rast se PD-ja në modelin e ligjit “Severino” bën arnime qesharake, që prek thelbin dhe arsyetimin e nevojshëm logjik për propozimin e një ligji, kam dyshime se PD-ja nuk është e interesuar për të larguar apo mënjanuar nga kandidimi persona të dënuar. Ne kemi përfshirë jo vetëm vepra penale të kriminalitetit, por edhe të korrupsionit. Këta nuk duan të pranojnë vepra penale të korrupsionit, sepse nisen nga vepra të përveçëm për të dalë te rregullimet e domosdoshme ligjore. Nisen nga emri i Xhelal Mziut për të shkuar te ligji. Nuk bëhet një ligj duke u nisur nga emra të përveçëm”, tha Balla. 


Pesë pretendimet e PD-së 



  • Hiqet termi dekriminalizim

  • Hiqet ndalimi në funksione të të dëbuarve jashtë vendit

  • Hiqet ndalimi në funksione publike i personave me identitet të ndryshëm në kohën e kryerjes së krimit

  • Hiqet marrja e testit të drogës

  • Hiqet ndalimi i së drejtës së votës për personat e dënuar për krime të rënda, korrupsioni apo krime zgjedhore