qeveria-rama4Ja 79 veprat që largojnë zyrtarët e politikanët. Mazhoranca, gati firmat për ndryshimin e Kushtetutës


Ermonela Felaj: “Mbyllim çështjen e dekriminalizimit” – “Përmes këtij ligji hapet një faqe e re në historinë e demokracisë shqiptare. Asnjë individ që në të kaluarën e tij është dënuar nga gjykatat vendase apo të huaja nuk do të ketë mundësi të zgjidhet apo të emërohet në ndonjë funksion publik dhe as të fshehë të kaluarën e tij të errët”, tha Felaj. Sipas saj, drafti është në përputhje të plotë me frymën dhe germën e ligjit “Severino”, që nuk cenon asnjë standard ndërkombëtar dhe është shpikje alla shqiptarçe.


Ndërkombëtarët: Ligji, kusht dhe për integrimin në BE – Nga një aksion politik opozitar, dekriminalizimi u kthye në akuzën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Pas një beteje disamujore, SHBA-BE detyruan shumicën në pushtet, të pranojë përfshirjen e çështjes së dekriminalizimit të shtetit shqiptar nga bota e krimit në axhendën e punimeve të Kuvendit. Miratimi i ligjit është kusht dhe për integrimin në BE, gjë që u bë publike dhe nga ana e europarlamentarëve.


HERION MESI


Qeveria i është kundërpërgjigjur presionit të opozitës për dekriminalizimin e Kuvendit dhe administratës shtetërore, duke miratuar draftin e saj për këtë proces. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, në një intervistë të orëve të mbrëmjes në “Top Channel”, në emisionin “Revista Televizive”, bëri të ditur se bashkë me nismën për dekriminalizimin, mazhoranca do të firmosë nismën për ndryshimin e Kushtetutës. Ndërsa bëri të qartë se me këtë nismë të qeverisë dhe të mazhorancës së saj në Parlament, komisionit të posaçëm të drejtuar nga opozita i vjen fundi, pra del jashtë loje. “Koha ka treguar se opozita nuk ka dashur që të japë konsensus për atë proces, sepse u krijua një komision i posaçëm në dhjetor të vitit të kaluar, por ky komision deri para ca ditësh kishte zhvilluar vetëm dy mbledhje dhe nuk kishte sjellë asnjë material. Ky komision de facto ka marrë fund. Në fakt, fundin ia ka shënuar vetë opozita me dorën e saj. Më 4 shtator, në konferencën e kryetarëve, na u bë e qartë për dy drafte që ishin depozituar nga opozita, njëri për dekriminalizimin dhe një për ndryshimet në Kushtetutë. Ky komision, me punën që ka bërë deri më sot, ka shënuar thjesht propagandë. Asgjë tjetër. Nuk ka asnjë vlerë nëse vazhdon punën në atë komision, do të thotë se humbasim kohë”, u shpreh Felaj. Sipas ministres, së bashku me këtë projektligj, do të konkretizohet nisma për ndryshimet në Kushtetutë. Ndërsa ndan bindjen se nisma do të miratohet në Kuvend brenda muajit dhjetor.


Drafti


Ndryshe nga opozita, qeveria në projektligjin e saj lë vend për prezumimin e pafajësisë së personave me të shkuar kriminale, duke marrë parasysh penalizimet vetëm për ata persona që janë dënuar me vendimet e formës së prerë të gjykatave. Gjithashtu, në ndryshim nga projektligji i opozitës, qeveria propozon që të aplikohet pezullimi i mandatit për personat që rezultojnë me rekorde kriminale, deri në një afat të dytë që ka të bëjë me dhënien e vendimit përfundimtar të drejtësisë. Përmes projektligjit “Për Legjitimitetin e Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike”, qeveria synon t’i japë zgjidhje debatit për dekriminalizimin, si dhe kërcënimit të opozitës e cila kushtëzon procesin me draftin e saj. Duke folur pas mbledhjes së qeverisë, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, dha detaje se çfarë parashikon ky projektligj i cili parashikon edhe 79 veprat penale që do të bllokojnë përgjithmonë përfshirjen e kriminelëve në postet e larta shtetërore. Ligji ka fuqi dhe për ata që janë duke ushtruar tani funksionet publike – Ligji parashikohet të ushtrojë veprimin e tij dhe ndaj të gjithë atyre që janë zgjedhur, emëruar ose janë duke ushtruar funksione publike, pikërisht përmes të njëjtave instrumente, vetëdeklarimeve dhe më tej verifikimeve nga organet përgjegjëse. Konkretisht, qeveria përmes projektligjit të saj propozon që të ndalohet të zgjidhen deputetë, kryetar bashkie e këshilltarë në këshillin bashkiak, të emërohen në detyrën e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, të zgjidhen në funksione për të cilat voton Parlamenti të gjithë të dënuarit brenda apo jashtë vendit  me vendime gjyqësore të formës së prerë për një sërë krimesh të kryera me dashje, që përcaktohen shprehimisht në këtë projektligj. Po ashtu, projektligji parashikon ndalimin edhe për ata persona që janë dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ndalimi për të kandiduar dhe për të zgjedhur do të zbatohet edhe ndaj personave që kanë kryer krimet e parashikuara në ligj edhe për rastin kur ndaj tyre është dhënë vendimi nga Gjykata të Shkallës së Parë, pra vendime dënimi jo përfundimtare ose ndaj të cilëve është vendosur një masë sigurimi personal ose është lëshuar një urdhër kërkimi nga një autoritet gjyqësor i huaj. Për këtë kategori personash ndalimi do të zgjasë deri në revokimin e masës së sigurisë, urdhrit të arrestit ndërkombëtar ose vendimit të pafajësisë. Në rast se do të rezultojë se të sipërshënuarit janë zgjedhur apo emëruar apo janë duke ushtruar një funksion publik ata do të pezullohen nga çdo funksion deri në revokimin e masës së sigurisë, urdhrit ndërkombëtar apo vendimit të pafajësisë.


Të dënuarit


Sa i takon kategorisë së personave të dënuar, ndalimi për të kandiduar, për t’u zgjedhur apo emëruar në funksione publike do të jetë në përpjesëtim të veprës që ata kanë kryer. Për veprat penale më të rënda dhe më të rrezikshme, ndalimi do të jetë përjetë. Për vepra penale të tjera ndalimi do të jetë 20 vjet nga përfundimi i vuajtjes së dënimit me burg, për dënimet që lidhen me veprat penale të korrupsionit apo ato që cenojnë zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik, 10 vjet nga përfundimi i dënimit të vuajtjes me burg, për të gjitha ata persona që kanë marrë burgim jo më pak se 2 vjet.


Vetëdeklarimet


Projektligji i qeverisë parashikon që vetëdeklaruesi mban përgjegjësi penale në rast se deklaron të dhënave të rreme. Të dhënat do të vetëdeklarohen nga personat që duan të zgjidhen. Verifikimi i të dhënave që përbëjnë shkak për pazgjedhshmëri dhe për pakandidueshmëri do të bëhet përmes vetëdeklarimit të subjektit që kërkon të kandidojë, të zgjidhet apo të emërohet, e mandej përmes verifikimit që do të kenë për detyrë të kryejnë të gjitha organet shtetërore që konform detyrës së tyre funksionale, të përcaktuar nga ligji ose Kushtetuta, do të administrojnë këtë lloj dokumentacioni. Mosplotësimi i formularit të kandidatit do të jetë shkak për mosregjistrimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo për mosemërimin nga organi përgjegjës. Të dhënat e formularit do të jenë publike dhe titullari i të dhënave do të jetë përgjegjës dhe do të mbajë përgjegjësi penale në rast të të dhënave të rreme ose të shtrembëruara. Verifikimet për të dhënat e personave në fjalë, do të kryhen si brenda dhe jashtë vendit, duke bashkëpunuar ngushtë me organin e prokurorisë apo çdo organ tjetër kompetent që disponon informacionin që nevojitet. Jo vetëm të dhënat e vetëdeklarimeve, por dhe rezultatet e verifikimeve parashikohet të jenë publike dhe kjo shkon në vijë të drejtë me gjithë frymën e ligjit, rritjen e besimit të publikut përkundrejt përfaqësuesve të vetë në rang kombëtar apo lokal dhe administratës publike.


Modeli “Severino” në Shqipëri


Ligji me efekt prapaveprues. “Korrupsioni”, lëvizja e deputetëve


Dalja me dy projektligje paralele për çështjen e dekriminalizimit, duket se do të shkaktojë debate në ditët në vijim. Por ajo që i bashkon mazhorancën dhe opozitën në nismat e tyre është pikënisja e hartimit të secilit prej drafteve, ligji italian “Severino”. Por çfarë parashikon ligji i ish-ministres së Drejtësisë, Paula Severino? Ligji italian parashikon dënimin e zyrtarëve të përfshirë në vepra të rënda kriminale, siç është krimi i organizuar dhe korrupsioni. Ligji “Severino” gjithashtu parashikon akte ligjore për ata zyrtarë që nuk paguajnë detyrimet e shtetit duke krijuar evazion fiskal. Në politikën shqiptare, kalimi i deputetëve nga një krah në tjetrin është një praktikë e aplikuar. Por ligji “Severino” është i rreptë në këtë praktikë, pasi kalimin e zyrtarëve nga një palë në tjetrën e konsideron korrupsion. Por ligji nuk ndalon këtu sa i përket korruptimit të ligjvënësve për të kaluar në krahun kundërshtues. Ligji “Severino” nuk amniston, por ka fuqi prapavepruese për shkeljet ligjore. Pra, ky ligj, kryesor ka efektin prapaveprues. Sepse të gjitha ligjet e tjera e kanë fuqinë nga dita që hyjnë në fuqi dhe mbas, por jo çfarë ke bërë para se ligji të ishte në fuqi.


Veprat



  1. Gjenocidi

  2. Krime kundër njerëzimit

  3. Krimet e luftës

  4. Vrasja me dashje

  5. Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër

  6. Vrasja me paramendim

  7. Vrasja për gjakmarrje

  8. Vrasja në rrethana të tjera cilësuese

  9. Vrasja e funksionarëve publikë

  10. Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit

  11. Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare

  12. Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje

  13. Tortura

  14. Tortura me pasoja të rënda

  15. Plagosja e rëndë me dashje kur ka sjellë si pasojë vdekjen apo e kryer kundër disa personave, ose atyre që janë bashkëshort/bashkëjetues, gjini e afërt/krushqi e afërt

  16. Shitblerja e transplanteve

  17. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur

  18. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç

  19. Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura

  20. Marrëdhënie homoseksuale me dhunë me të rritur

  21. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur

  22. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me kërcënim me përdorimin e armës

  23. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën

  24. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari

  25. Vepra të turpshme

  26. Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit

  27. Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë

  28. Zhdukja me forcë

  29. Trafikimi i personave të rritur

  30. Veprimet që lehtësojnë trafikimin

  31. Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera

  32. Shfrytëzimi i prostitucionit

  33. Trafikimi i të miturve

  34. Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën

  35. Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit

  36. Vjedhja me armë

  37. Vjedhja me pasojë vdekjen

  38. Trafikimi i mjeteve motorike

  39. Skemat mashtruese dhe piramidale

  40. Dëmtimi i objekteve mbrojtëse

  41. Sigurimi i mjeteve për shkatërrimin e teknikës luftarake

  42. Marrja e shpërblimeve

  43. Vënia në shërbim të shteteve të huaja

  44. Atentati

  45. Komploti

  46. Kryengritja

  47. Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës

  48. Thirrjet publike për veprime të dhunshme

  49. Krijimi i partive dhe shoqatave antikushtetuese

  50. Shpërndarja e krimeve antikushtetuese

  51. Vepra me qëllime terroriste

  52. Financimi i terrorizmit

  53. Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera që financojnë terrorizmin

  54. Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur

  55. Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit

  56. Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste

  57. Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprimeve me qëllime terroriste

  58. Kanosje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste

  59. Krijimi i turmave të armatosura

  60. Prodhimi i armëve luftarake

  61. Organizata terroriste

  62. Banda e armatosur

  63. Trafikimi i armëve dhe i municionit

  64. Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese, radioaktive

  65. Prodhimi dhe shitja e narkotikëve

  66. Trafikimi i narkotikëve

  67. Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale

  68. Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale

  69. Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë

  70. Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë

  71. Organizata kriminale

  72. Grupi i strukturuar kriminal

  73. Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal


 


Vepra të tjera



  1. Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike

  2. Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë

  3. Shpërdorimi i detyrës

  4. Dhënia në kundërshtim me ligjin e pensioneve ose të ardhurave të tjera nga sigurimet shoqërore

  5. Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike

  6. Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë