Një ditë pas mbështetjes që SHBA-të i dhanë kryeministrit Edi Rama në luftën kundër trafikut të drogës, ambasadori amerikan Donald Lu ka qenë sot në selinë e Partisë Demokratike ku është takuar me kreun e saj Lulzim Basha.
Nuk dihet se për çfarë kanë folur konkretisht Lu dhe Basha, por sipas asaj që deklaroi në fund të takimit kryedemokrati, çështja kryesore ka qenë dekriminalizimi.
“Largimi i kriminelëve nga Parlamenti, është prioritet kryesor i Partisë Demokratike, ndaj ne do ta çojmë betejën tonë deri në fund. Ne falënderojmë ndërkombëtarët që na mbështesin për këtë çështje jetike, – shtoi Basha. – Për ne mbetet zgjidhja institucionale për të gjetur rrugën dhe gjuhën e përbashkët, në mënyrë që ligji për dekriminalizimin të jetë efektiv dhe jo një ligj kozmetik”.
Sipas Bashës, “nëse qeveria e ka vullnetin të punojë për këto parime, ne jemi gati. Nëse jo, ne do të marrim vendimin që bashku me qytetarët shqiptarë”.
17 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)