Ka ndikuar edhe goditja e tregtisë së duhanit të dredhur


Krahasimi


Gusht 2015 – Në gusht 2015, sipas INSTAT, pas tre muajve të çmimeve stabël të duhanit, rritja vjetore arriti në 9.5%


Dhjetor 2014 – Rritja tjetër më e madhe e çmimeve të cigareve ndodhi para vitit të ri 2015, duke u regjistruar ndryshimi 10.5%


Tetor 2014 – Në tetor dhe nëntor 2014, çmimet e paketave të cigareve u bënë 12.4% më të larta krahasuar me një vit më parë


Fermerët – Nga frika e sekuestrimeve, fermerët nuk janë në treg me duhanin e dredhur. Tri ditë më parë, Dogana e Elbasanit goditi tregun e fermerëve dhe sekuestroi 740 kilogramë duhan.


Zamir Alushi


Operacioni kundër informalitetit rrit çmimin e cigareve. Në pikat e shitjes me pakicë, çmimi është rritur nga 10 deri në 30 lekë për paketë. Efekti psikologjik i kontrolleve dhe gjobave të larta, por edhe kosto që realisht janë mbuluar me të ardhura informale (nga mosfaturimi deri te kontrabanda), janë domethënia kryesore e kësaj rritjeje që po ndodh. Me vënien e kasave fiskale, shitësve iu shtuan kostot, po ashtu edhe lëshimi i kuponëve sjell më shumë taksa. Këtu duhet përfshirë edhe çmimi i pajisjes fiskale për ata që e vendosin për herë të parë. Ndërkohë, pikat e pakicës deklarojnë se çmimet e cigareve janë rritur menjëherë me 150 deri në 450 lekë për stekë.


Akciza ndihmon tregtarët


Në muajin gusht, sipas INSTAT, çmimet e nëngrupit duhani u rritën me 0.4%, në krahasim me muajin paraardhës, ndërsa ndryshimi me bazë vjetore ishte 9.5%. Kulmet e mëdha të çmimeve të cigareve janë arritur në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar, pas rritjes së taksës së akcizës. Në këta dy muaj, çmimet e paketave të cigareve shkuan në 12.4% më të larta krahasuar me një vit më parë. Një rritje tjetër e madhe e çmimeve regjistrohet në muajin dhjetor 2014, me 10.5%. Gjatë shtatorit, Parlamenti miratoi rritjen e akcizës së cigareve me 20 lekë për paketë, por taksimi do të niste të zbatohej nga 1 janari, duke çuar nivelin total për cigaren në 110 lekë për paketë. Por ky afat nuk i pengoi kompanitë të deklarojnë çmime më të larta për pakicën në vlera edhe më të mëdha se rritja e akcizës. Tregtarët importuan gjatë tetorit sasi të mëdha të cigareve për t’i shpëtuar kufizimit prej 5% të rritjes së importeve që vendosi Kuvendi, duke shfrytëzuar kohën para se ligji të hynte në fuqi. Sipas të dhënave importeve të mallrave të akcizës nga Ministria e Financave, në tetor zhdoganimet u rritën 67% në raport me një vit më parë. Pra, importuesit e mëdhenj krijojnë rezerva dhe më pas efekti i rritjes së taksës që do të mblidhej nga shteti kalon te tregtarët. Duke analizuar, mosrealizmin e të ardhurave nga akciza e cigareve, Ministria e Financave në një relacion dorëzuar në Kuvend nënvizon se importi ka ardhur në rënie. Për vitin 2013 u importuan rreth 3,694 tonë cigare dhe u paguan 12,7 miliardë lekë akcizë, për vitin 2014 u zhdoganuan 2,977 tonë cigare dhe u mblodhën 12,7 miliardë lekë, ndërsa për 6-mujorin e parë 2015 janë importuar 1,083 tonë cigare. Importet e cigareve të 6-mujorit të vitit 2015 janë më të ulëta në një trend 12-vjeçar. Sipas Ministrisë së Financave, rritja e nivelit të akcizës së cigareve është shoqëruar me përshpejtimin e importeve nga operatorët ekonomikë, për të krijuar stok për muajt e parë të vitit.


Goditet tregu i duhanit të grirë


Një faktor tjetër që ka rritur çmimin e cigareve në treg janë aksionet kundër fermerëve që shesin duhan të dredhur, të cilët ka një javë që nuk duken më rrugëve me produktet e tyre. Tri ditë më parë Dogana e Elbasanit goditi tregun e fermerëve dhe sekuestroi 740 kilogramë duhan. Ndërsa dy javë më parë u bë një sekuestrim i madh i duhanit dhe pajisjeve që prodhon cigare në Shkodër. Administrata Doganore, sipas Ministrisë së Financave, e ka drejtuar fokusin te prodhuesit e brendshëm të duhanit dhe përpunimit të tij dhe shitjes me një çmim më të ulët në treg. Për shkak të rritjes së nivelit të akcizës, Ministria e Financave del në konkluzion që konsumatori është orientuar drejt alternativave të importit të cigareve me çmim më të ulët, siç është duhani i dredhur. “Këto transaksione janë jashtë kontrollit tatimor dhe doganor dhe për këtë arsye, Ministria e Financave ka kërkuar bashkëpunimin me Ministrinë e Bujqësisë lidhur me zonat ku mbillet duhani i dredhur, për të vijuar më pas me kontrollet”, paralajmëron Ministria e Financave. Megjithëse duket si legjendë, që fermerët të kenë konkurruar cigaren e importit, rritja e çmimit të cigareve duket se do t’i vihet mungesës së tregut informal të duhanit të grirë. Për periudhën 6-mujore, të ardhurat nga akciza e duhanit janë rreth 5.6 miliardë lekë më pak se planifikimi i periudhës. Në analizën e Ministrisë së Financave, nuk merret për bazë mundësia se në këtë vend bëhet edhe kontrabandë.