Ky ligj ka barazuar të gjithë zyrtarët e shtetit me qytetarët sa i përket pajisjes me armë zjarri, pasi asnjë person nuk do të përfitojë armë automatikisht, siç ishte parashikuar me ligjin e vjetër
Me ligjin e ri hiqen nga qarkullimi të gjitha armët luftarake
“Asnjë zyrtar i shtetit nuk do të pajiset me armë, pa plotësuar kriteret si të gjithë qytetarët”
“Ligji përafrohet me direktivat e BE-së, ku çdo subjekt gëzon të drejtën e pronësisë mbi armën”
Policia shqiptare u ka thënë lamtumirë përgjithmonë automatikëve kallashnikovë dhe pistoletave TT, duke i hequr përfundimisht nga qarkullimi. Kjo parashikohet në ligjin e ri për armët, i cili heq nga qarkullimi armët luftarake, por liberalizon të drejtën e pronësisë mbi to, duke u përshtatur me ligjet e Bashkimit Europian. Ky ligj ka barazuar të gjithë zyrtarët e shtetit me qytetarët sa i përket pajisjes me armë zjarri, pasi asnjë person nuk do të përfitojë armë automatikisht, siç ishte parashikuar me ligjin e vjetër, pa plotësuar kriteret e përcaktuara qartë në ligjin e ri. Ky ligj, por edhe ai i përdorimit të armëve nuk ka kaluar pa debate në Komisionin e Ligjeve, ku ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka dhënë shpjegimet përkatëse dhe ka vënë në dukje liberalizimin e pronësisë së armëve.
E drejta për armë
Ministri Tahiri vuri në dukje se ligji i ri disiplinon të gjitha subjektet që kanë të drejtën të mbajnë armë, pasi me ligjin e vjetër, e drejta e pronësisë ishte ekskluzivisht shtetërore. “Ligji i ri, të drejtën e pronësisë mbi armën e çon aty ku duhet bazuar, pikërisht në direktivën e BE-së. Çdo subjekt mund të gëzojë të drejtën e pronësisë mbi armën. Kjo është një direktivë europiane e detyrueshme për shtetin shqiptar, që implementohet me këtë ligj në të drejtën e brendshme të Republikës së Shqipërisë”, tha Tahiri, i cili shtoi se aty shtrëngohen kriteret për pajisjen me armë, u përcaktohet edhe mosha minimale, 22 vjeç. Si detyrim është futur edhe fakti se ai që kërkon të pajiset me armë nuk duhet të jetë debitor ndaj shtetit. Gjithashtu, plotësohet kriteri i besueshmërisë, vërtetimi i personalitetit dhe deri te rrethi i ngushtë familjar edhe detyrimi për të zbatuar ligjin në mënyrë korrekte gjatë kohës. “Për subjektin që mbante armë dhe që sot mban armë nuk kishin parashikuar në ligj asnjë detyrim për dëshmi për të mbajtur armë, për aftësimin teknik lidhur me mbajtjen e armës. Kjo do të thotë që në vijim do të ketë kurse të posaçme ose të detyrueshme paraprake, për ata që duan të bëjnë kërkesë për t’u pajisur me një armë, me autorizim përkatës. Shkolla ose kurse që do të licencohen nga Policia e Shtetit dhe do të përcaktohet detyrimi për të kaluar mjaftueshëm dhe për të pasur aftësi minimale për të pasur pastaj të drejtën për të kërkuar armë”, vuri në dukje Tahiri.
Armët luftarake
Sipas ministrit të Brendshëm, ligji i ri heq nga qarkullimi përfundimisht dy armët e konsideruara luftarake, që janë gjerësisht të përhapura në popullsi, armë të tilla si kallashnikovi dhe pistoleta TT. “Me ligjin e ri, askush nuk do ta ketë të drejtën të mbajë për përdorim civil, përfshirë edhe Policinë e Shtetit, armë të cilat konsiderohen, në kuptimin teknik, armë për përdorim luftarak. Këto armë do të jenë vetëm për përdorim të ushtrisë. Kjo do të thotë që për qëllime civile, që nga Policia e Shtetit, shoqëritë e ruajtjes fizike ose policitë private e deri te të gjitha subjektet që u njihet e drejta të kenë në pronësi armë, nuk do ta kenë më të mundur të mbajnë armë të tilla me potencial shkatërrues maksimal. Nga ana tjetër, ligji i ri fut konceptin e autorizimit për armën e ftohtë. Rregullimi, sipas këtij ligji, do të thotë që në qoftë se deri dje, ligji ekzistues nuk i merrte në konsideratë armët e ftohta dhe shiteshin, siç ndodh edhe sot, në treg të hapur thika, doreza, bajoneta e kështu me radhë, me ligjin e ri këto konsiderohen pjesë të listimit të armëve që gjejnë rregullim në bazë të këtij ligji”, – shpjegoi Tahiri.
Leja automatike
Me këtë ligj bie përfundimisht e drejta e pajisjes me armë në mënyrë automatike dhe pa asnjë kriter e personave që deri dje me ligjin ekzistues, pajiseshin me armë për shkak të detyrës. Ministri shpjegoi se në bazë të ligjit ekzistues gjyqtarë, deputetë, kryetarë komunash e bashkish, pajiseshin automatikisht me armë. Sipas tij, ky ligj ua heq këtë të drejtë subjekteve dhe i barazon me të gjithë qytetarët që kanë të drejtë të kërkojnë pajisje me autorizim për mbajtjen e armës.
Përdorimi i armëve
Me ligjin e ri përcaktohet si kriter për përdorimin e armës kriteri objektiv i shkallës së rrezikshmërisë dhe kundërveprimit me armë ndaj forcave të policisë. Arma do të përdoret si mjet i fundit, në ekstrem, kur janë ezauruar të gjitha mjetet e tjera për parandalimin ose ndalimin e sulmit të paligjshëm dhe përballë një rrezikshmërie të lartë për jetën e vetë punonjësit të policisë apo të çdo shtetasi tjetër. Ligji vjetër përcaktonte që nuk mund të përdorej arma ndaj të miturve, ndaj grave dhe ndaj të moshuarve. Me ligjin e ri, ky kriter bie për sa kohë edhe këto kategori mund të paraqesin rrezik potencial evident për jetën e punonjësit të policisë apo cilitdo shtetasi tjetër. Kjo do të thotë që me ligjin e ri, armët duhen përdorur ndaj kujtdo që vë në rrezik jetën e çdo shtetasi apo jetën e punonjësit të policisë.
Përdorimi i armëve
Ministri Tahiri: Nuk ka më “21 janar”
Ministri i Brendshëm, duke shpjeguar ligjin për përdorimin e armëve, tha se me ligjin e ri ndalohet përfundimisht përdorimi i armës si mjet për shpërndarjen e protestave, siç ndalohet dhe përdorimi i armës si mjet për paralajmërim, në rastin e shpërndarjes së protestuesve. “Këtu kam parasysh ngjarjen e 21 janarit, ku armët e zjarrit u përdorën gjerësisht kundër protestuesve. Me ligjin e ri kjo ndalohet përfundimisht dhe asnjë forcë, asnjë trup, qoftë policor ose jo, nuk mund të përdorë më armën kundër protestuesve. Nuk mund të përdoret më arma për të shpërndarë protesta. Nuk mund të përdoret më arma për të paralajmëruar protestuesit. Arma nga punonjësit e Policisë së Shtetit përdoret vetëm kur vihet në rrezik real, bazuar mbi kriteret e gjykimit objektiv, jeta e punonjësit të policisë ose e çdo qytetari”, shpjegoi ministri i Brendshëm.
Ligji i ri
Kriteret për t’u pajisur me
autorizim për mbajtje arme
Neni 34
1. Personi që është përfitues i një prej llojeve të autorizimeve, sipas parashikimeve të këtij ligji, duhet të plotësojë këto kritere:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë mbushur moshën 22 vjeç;
c) Të mos ketë qenë i dënuar më parë me vendim të formës së prerë për vepra penale të kryera me dashje;
ç) Të mos ketë qenë i evidentuar për raste të rezistencës me dhunë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, nëpunësit publik ose për veprat penale të dhunës në familje, për çështje me objekt të gjakmarrjes dhe hasmërisë;
d) Të jetë i aftë nga ana fizike e mendore, si dhe të mos jetë përdorues i lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope, të vërtetuara këto me raportin mjekësor përkatës;
dh) Të zotërojë dëshminë për kryerjen e kursit të aftësimit teorik dhe praktik për përdorimin e armës;
e) Të mos jetë debitor në shlyerjen e gjobave për kundërvajtjet administrative të parashikuara sipas këtij ligji;
ë) Të gëzojë besueshmëri, në kuptim të këtij ligji.
2. Procedurat, dokumentacioni dhe afatet e shqyrtimit për pajisjen me autorizim përcaktohen me udhëzim të ministrit.
3. Autorizimet e parashikuara në këtë ligj lëshohen për një afat pesëvjeçar, përveç rasteve ku është përcaktuar ndryshe.
4. Çdo person ka të drejtë të pajiset me jo më shumë se tri autorizime të armëve të të njëjtit lloj ose jo më shumë se pesë autorizime të armëve të llojeve të ndryshme.
*
“Besueshmëria”, procesi i verifikimit të të dhënave të personit në raport me ato të regjistrave fizikë dhe elektronikë të të gjitha institucioneve shtetërore, i cili pasqyrohet në aktin administrativ të organit përgjegjës të Policisë së Shtetit.