Nga dekreti i vitit 1959, transportuesit shqiptarë paguajnë në Itali dy taksa, 250-300 euro për çdo rrugë
Ankesa në BE – Në takimin e Nënkomitetit BE – Shqipëri për Transportin, nё vitin 2011, u bë prezent çështja taksave që paguajnë transportuesit shqiptarë në Itali.
Ambasada – Informacion i fundit është nga Ambasada Italiane në Tiranë, e cila, me anë të Notës Verbale nr. 693, datë 17.02.2014, bën me dije se Ministria italiane e Ekonomisë dhe Financave, ia ka ngarkuar çështjen Zyrës së saj Ligjore për hartimin e një ligji, që rregullon eliminimin e pagesës së “taksës fikse” nga transportuesit shqiptarë.
Zamir Alushi
Java Italiane e biznesit pretendon bashkëpunim, por shoferët shqiptarë, sa kalojnë portet italiane, ndiejnë në shpinë dy taksa që shkojnë kundër kësaj fryme. Për të mbrojtur interesat e sipërmarrësve të transportit rrugor në Pulia, Italia përdor një ligj të Luftës së Ftohtë, që është dekretuar kundër Shqipërisë komuniste më 1959. Ky ligj vepron vetëm ndaj shoferëve shqiptarë të kamionëve, jo ndaj shteteve të tjera të rajonit. “Transportuesit shqiptarë, për çdo kamion që shkon në Itali, paguajnё dy taksa: taksën e peshës dhe taksën e qarkullimit.
Taksa e peshës
Taksa e peshës (“dirittofisso”) është subjekt i pagesës, në përputhje me ligjin italian nr. 1146, datë 28.12.1959, shpjegon Arjan Budo, specialist i Drejtorisë së Politikave të Transportit në Ministrinë e Transporteve. Kjo taksë paguhet sipas distancës që përshkon kamioni në territorin italian, përkatësisht 6 euro për çdo ton ngarkesë në distancat deri në 100 kilometra dhe 9.3 euro për çdo ton ngarkesë në distancat mbi 100 kilometra;
Taksa e qarkullimit
Taksa e qarkullimit paguhet për 120 ditë, rreth 150-180 euro për kamionët e mëdhenj dhe 70-80 euro për kamionët deri në 8 tonë, pavarësisht se kamioni qëndron jo më shumë se 6-7 ditë. “Të gjitha vendet e rajonit nuk e paguajnë këtë taksë, ose paguajnë vetëm për ditët e qëndrimit”, shpjegon për gazetën “Shqip” Ilir Mataj, presidenti i Shoqatës së Transportuesve Ndërkombëtarë (ANALTIR). Sipas tij, llogaritet që nga të dyja taksat së bashku, për çdo kamion shqiptar që hyn në Itali, biznesi humb 250 deri në 300 euro. Mataj thotë se ky është një problem i vjetër pa zgjidhje.
Negociatat
“Bёjmё me dije se, Ministria e Transporteve e ka trajtuar në vazhdimësi zgjidhjen e këtij problemi, si në takimet e Komisioneve të Përbashkëta, ashtu dhe në shkresat zyrtare që i kemi dërguar ministrisë homologe italiane, Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme, Ministrisë sonë të Financave, Ambasadës sonë në Romë dhe Ambasadës Italiane në Tiranë”, informon specialisti Budo. Përgjigjja që është marrë nga kontaktet me palën italiane, Ministria e Infrastrukturës dhe e Transporteve e Italisë, është se “heqja ose jo e kësaj takse është në kompetencën e Ministrisë italiane të Financave”.
Nё takimin e Komisionit të Përbashkët, mbajtur në tetor 2010, në përbërje të delegacionit italian kishte përfaqësues nga departamenti i Financës Italiane, të cilët shpjeguan aplikimin e taksave në territorin italian për vende të ndryshme. Zyrtari i italian i Financave sqaroi që, taksat për transportuesit e huaj mbështeteshin mbi bazë të marrëveshjeve të posaçme të lidhur midis administratave kompetente të financës.
“Me qëllim zgjidhjen e kёtij problemi, i jemi drejtuar zyrtarisht Ministrisë sonë tё Financave pёr të kontaktuar me ministrinë pёrkatёse italiane”, – informon Budo. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, gjatë një vizite pune në Romë, në shkurt 2014, u takua me homologun italian Maurizio Lupi. Heqja e taksës fikse për transportuesit shqiptarë, liberalizimi i shërbimeve të transportit dhe angazhimi i Italisë në projektet madhore të infrastrukturës në Shqipëri, ishin çështjet kryesore të takimit. Deri tani, pala shqiptare nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e reciprocitetit.