Qeveria turke, 200 mijë dollarë në projektin e Aeroportit të Kuçovës. Marrëveshja të ngelet “sekret”


Afati – Marrëveshja do të mbetet në fuqi për 5 vjet, derisa burimet financiare të caktuara për Këshillin e Ministrave të Shqipërisë të përdoren plotësisht. Në rast se fondi nuk përdoret brenda këtij afati, ai digjet.


Mbyllja – Kur njëra nga palët ka arritur në konkluzionin që pala tjetër nuk po plotëson apo nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet që burojnë nga marrëveshja, mund të kërkojë përfundimin e saj


Trajnimet – Rreth 50.000 dollarë, do të përdoret për përballimin e shpenzimeve të vizitave dhe tarifat e kurseve për personelin e FA-ve, që do të vizitojë Republikën e Turqisë, si edhe për shpenzime të tjera të mundshme


Fondi – Nëse burimi financiar i alokuar përdoret plotësisht, marrëveshja përfundon në datën e marrjes së njoftimit të dytë me shkrim, nëpërmjet të cilit palët njoftojnë njëra-tjetrën për situatën.


Herion Mesi


Kodheli ne Turqi (2)Qeveria turke i kërkon qeverisë shqiptare një bashkëpunim të fshehtë mes tyre sa u përket projekteve të fundit të Turqisë zyrtare në investimet e saj në territorin shqiptar. Bëhet fjalë për nënshkrimin e një marrëveshjeje të propozuar nga pala turke në vazhdimësi të ndihmës së përvitshme që shteti turk jep për modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak financiar konsiston në dhurimin Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë të një shume prej 2.275.000 lirash turke, ekuivalente me afërsisht 1.137.500 dollarë amerikanë, të cilat do t’i vihen në dispozicion qeverisë shqiptare për sigurimin e pajisjeve dhe materialeve ushtarake, për modernizmin e Aeroportit të Kuçovës dhe për trajnimet e trupave tona ushtarake në Turqi. Por, nga pala turke kërkohet që “pёrmbajtja dhe zbatimi i protokollit ose i informacionit tё klasifikuar, që do tё shkёmbehet ndёrmjet palёve, do të mbahen të fshehtë pёr njё qeveri tё njё pale tё tretё, kompani apo person, dhe informacioni nuk do të jepet pa pёlqimin e Republikёs sё Turqisё”- thuhet në relacionin bashkëngjitur projektligjit që tashmë është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë.


Projektligji


Kodheli ne Turqi (1)


Sipas projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak financiar, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, dhe të Protokollit të Zbatimit të ndihmës financiare ndërmjet dy qeverive”, që tashmë i ka kaluar Kuvendit për shqyrtim në komisionet parlamentare, parashikohet që ndihma financiare e dhuruar sipas protokollit do të transferohet nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Republikës së Turqisë në llogarinë bankare të atasheut ushtarak të Republikës së Turqisë në Shqipëri. “Ndihma financiare do të përdoret nën mbikëqyrjen e atasheut ushtarak të Republikës së Turqisë në Shqipëri, sipas direktivave të dhëna nga Shtabi i Përgjithshëm i Republikës së Turqisë”, theksohet në relacion. Sa i përket ndihmës financiare për qeverinë shqiptare, pala turke shpreh interesimin e saj në projektin e modernizimit të Aeroportit të Kuçovës, për të cilin ka parashikuar një grant prej 384.000 lirash turke, ekuivalente me afërsisht 192.000 dollarë amerikanë. Ndërsa, për blerjen e materialeve apo pajisjeve ushtarake nga kompanitë turke që operojnë në industrinë ushtarake, qeveria turke ka vënë në dispozicion të FA-ve shumën prej 1.791.000 lirash turke, ekuivalente me afërsisht 895.500 dollarë amerikanë. Ndërsa shuma prej 100.000 lirash turke, ekuivalente me afërsisht 50.000 dollarë amerikanë, që përbën dhe shumën e përcaktuar në protokollin e zbatimit të ndihmës financiare, “do të përdoret për të mbuluar pagesat e vizitave zyrtare, trajnimeve, tarifat e kurseve të personelit shqiptar në Turqi”- thuhet në projektligj.


Kushtet e Turqisë


Për zbatimin e kësaj projektmarrëveshjeje, qeveria turke vë dy kushte për këtë prokurim. “Pajisjet të blihen nga një kompani turke që operon në industrinë ushtarake (me të njëjtat kushte cilësore dhe lehtësime financiare që prokurojnë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Turqisë) dhe, 90 për qind e shumës të paguhet nga pala turke dhe 10 për qind e shumës të paguhet nga pala shqiptare”, thuhet në këtë relacion. Gjithashtu, në të theksohet se “Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë nuk mund t’i transferojë materiale ose shërbime një shteti tjetër apo një pale të tretë, pa marrë më parë pëlqimin e qeverisë së Republikës së Turqisë”.


[callout]Sekreti – Të dyja palët angazhohen të ruajnë informacionin sekret që mund të gjenerojë ky bashkëpunim dhe të mos ia kalojnë atë një qeverie, shoqërie apo një personi të tretë, pa miratimin me shkrim të secilës palë.


Neni 7 – Në nenin 7 të projektit përcaktohet se mosmarrëveshjet, që lindin gjatë interpretimit dhe zbatimit të marrëveshjes, nuk do të jenë objekt shqyrtimi i një pale të tretë, gjykate arbitrazhi apo gjykate ndërkombëtare. Çdo mosmarrëveshje gjatë zbatimit të kësaj marrëveshjeje do të zgjidhet me bisedime ndërmjet palëve.[/callout]