FATOS ÇOÇOLI


Fatos CocoliAsnjëherë sa gjatë protestave kundër armëve kimike, në këto 23 vite tranzicion, Policia e Shtetit nuk është ndier dhe parë nga qytetarët protestues aq paqësore, njerëzore dhe korrekte. Në katër ditët më të nxehta të protestës, madje të dukej sikur policia nuk ishte e pranishme. Edhe pse me dhjetëra dhe qindra policë kishin pozicionet e tyre në qendër të Tiranës, nuk pati asnjë shenjë, asnjë provokim, as edhe një ngrysje vetullash nga përfaqësuesit e saj. Të ngjante sikur, ndërsa kryente detyrën, policia nuk ishte fare e pranishme, ose ishte vetëm një kornizë e ngjarjes. Kjo, pas më shumë se dy dekadash protagonizmi të shëmtuar në agresivitet, të policisë shqiptare, me tregime muskujsh, shtyrje dhe sharje, shkopinj gome, madje dhe rrahje ndaj qytetarëve protestues. Nga kjo mungesë protagonizmi (në agresivitet) e policisë, edhe qytetarët, në radhë të parë të rinjtë, morën këto ditë zemër për të thënë troç atë që mendonin. Parlamenti shqiptar, gjatë orëve të protestës, pushoi së qeni veprues në selinë e tij, për t’u shndërruar, me dëshirën dhe kurajën e mijëra të rinjve, në kuvendim të popullit me Kryeministrin e vet përpara Piramidës, apo edhe më shumë, në dy ditët e fundit të protestës, përpara Kryeministrisë. Politika u zhvendos, nga institucionet, në rrugë, në bulevard, pa asnjë shenjë dhune dhe teprimi nga demonstruesit apo policia. Pa asnjë tension fals të shkaktuar nga provokatorë nga radhët e të dyja palëve. Për hir të së vërtetës, edhe gjatë këtyre 23 viteve, ka pasur raste të zhvillimit normal të protestave qytetare. Por asnjëherë vullneti i popullit, i shprehur qartazi në shumë prej tyre, nuk është marrë tërësisht parasysh nga politikanët tanë kryesorë. Madje shpeshherë është vepruar në kundërshtim të plotë dhe flagrant me këtë vullnet. Kurse Jo-ja ndaj armëve kimike, pas Po-së në parim katër javë më parë, ishte vendosja më në fund e një standardi të fortë dhe të thellë demokratik tek ne. Kryeministri dëgjoi popullin e vet dhe kjo, pasi një muaj më parë fuqisë kryesore në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kishte shprehur të kundërtën, Po-në në parim. Por ajo ishte një Po qeveritare. Dhe qeveria e ka për detyrë, në një demokraci funksionale, që t’i bindet vullnetit të shprehur qartë të popullit të vet. Jo-ja përfundimtare ishte një zgjedhje e vështirë e Kryeministrit Rama, por korrekte ndaj dëshirës së shumicës së shqiptarëve. Pse u kuptua qartë që shumica e popullit ishte kundër çmontimit të armëve kimike siriane në truallin shqiptar. Nuk ka rëndësi nëse kjo shumicë u prodhua, u përgatit e tillë nga veprimi opozitar apo nga informimi i gabuar dhe tendencioz nëpër media. Ne pamë një drejtues qeverie që nuk kthehet në rob të pasioneve vetjake dhe të realitetit virtual që pasionet e tij ia prodhojnë. Pamë një përkthyes të saktë të dëshirës së atij momenti të shumicës së shqiptarëve. Nuk pamë më një kryepolitikan që të kthehej, me ose pa vetëdijen e tij, në kryeprokuror dhe kryegjykatës. Në të vërtetë, thjesht Kryeministri i sotëm përcolli në publik Jo-në e qeverisë së tij me emocion, sinqeritet dhe dhimbje për ato të mira që, sipas tij, vendit i mohoheshin nga kjo Jo ndaj armëve kimike. Pa u barrikaduar në vendimin e tij nga përmendje komplotesh apo skenarësh dëmtimi nga kundërshtarë realë e imagjinarë të Po-së së parë në parim. Ky dëgjim, përulje e tij përpara vullnetit të qartë të popullit, i ka dhënë zemër sot opinionit dhe veprimit qytetar. Për herë të parë u vendos një standard që duhet ta kishim të paktën që në vitin 1994, kur qytetarët e këtij vendi i thanë Jo Kushtetutës së imponuar nga Presidenti i Republikës i asaj kohe. Mirë se vjen standard i demokracisë politike vepruese! Do kemi nevojë të të përdorim shpesh dhe të të testojmë, nëse je një standard real dhe je vendosur fort në truallin tonë të zhuritur. Nëse ndokush mund të thotë se pas kësaj Kryeministri dhe qeveria e tij kanë dalë më të dobët, e ka kryekëput gabim. Në përuljen dhe respektin ndaj dëshirës madhore të popullit të vet, çdo forcë politike në pushtet, në një demokraci vetëm se forcohet, pse forcon lidhjet e saj me qytetarët. Besimin e tyre se do të dëgjohen shqetësimet dhe hallet e tyre të përbashkëta. Ishin këto lidhje të shkëputura që sollën verdiktin e 23 qershorit 2013 dhe humbjen e thellë të Partisë Demokratike.