ALEKSANDËR ÇIPA
Për herë të parë, pas më shumë se 22 vjetësh, në Shqipëri një Kryeministër lexon vendimin e popullit dhe nuk jep vendim para popullit. Këtë e bëri Edi Rama dje, para popullit shqiptar, pas një ringritjeje masive të rinisë dhe shoqërisë civile të vendit, kundër gatishmërisë për importimin dhe demontimin e armëve kimike nga Siria në vendin tonë. Në këtë përballje të beftë, politikani si qeverisës i radhës në vend dhe populli para tij, ia dolën të vendosin një standard të munguar: Të instalojnë dëgjueshmërinë dhe bindshmërinë e politikës ndaj qytetarëve.
Për herë të parë ngjet përmbajtësisht diçka e tillë dhe kjo meritë duhet ndarë jo mes Edi Ramës dhe qytetarëve, por parësisht, për shkak të qytetarëve dhe falë meritës së tyre. Në këtë vendim-kthim, Kryeministri Rama ia ka dalë të krijojë një diferencë me paraardhësit e vet të 22 vjetëve të shkuara, të cilët janë etiketuar si yes-menë duke u vendosur në një terren dhe pozicion politik të ri.
Politikisht ajo që ndodhi dhe ajo çka rezultoi, duhen parë e analizuar gjerësisht e thellësisht. Edi Rama ka fituar me mosdashje një fitore politike. Tashmë ka ndodhur ajo që me të drejtë, analitikisht Preç Zogaj e konstatoi në një debat televiziv si “përballje e opinionit publik me mitin e pathyeshmërisë së vendimit të Njëshit”. Në Shqipëri ka ngjarë një triumf i provuar i demokracisë së vendimmarrjes në përputhje me interesin e publikut dhe qytetarëve. Kurrë më parë s’është dëshmuar kaq qartësisht diçka e tillë në raportet mes qeverisësve dhe qytetarëve. Interesi publik ka prezumuar mbi atë politik dhe sidomos mbi çdo interes të pragmatizmit qeverisës. Në një plan të ngushtë, mes Kryeministrit Rama dhe diplomacisë amerikane mund të ketë një “zhgënjim”. Por një zhgënjim që vjen si produkt i vullnetit të një populli, në demokracinë dhe prej demokracisë institucionale amerikane lexohet si një provë e lartë e dinjitetit të atij vendi. Departamenti i shtetit në 24 vjetët e tranzicionit shqiptar, ka raportuar periodikisht për kontributin e vet në emër dhe funksion të demokracisë shqiptare. Ajo që ka ngjarë së fundi është provim i vlershmërisë së investimit të këtij partneri dhe aleatit të pazëvendësueshëm shqiptar në qeverisjen globale. Një bindshmëri e shtirur ka kosto shumë e shumë herë më të rëndë e më të keqe se një refuzim i besueshëm në kohë të keqe. Shqipëria e sotme është refuzuese me provë dinjiteti dhe jetëdashjeje, përballë aleates së adhurueshme Amerikë. Por një refuzim i tillë është i hapur dhe i specifikuar, që nuk e trazon brendinë e amerikandashjes shqiptare. Në demonstrimet e këtyre ditëve, ka pasur edhe shenja dhe individë që kanë tradhtuar atë çka fshehin në raport me SHBA-në. Kjo fshehje duhet zbuluar dhe natyrisht i duhen prerë rrënjët apo rrugët prej nga injektohet apo inspirohet. E vërteta është se ajo ka mbërritur në kësi skutash vetëm prej importimit apo desantimit jashtëshqiptar.
Përmes bindshmërisë së Kryeministrit ndaj vullnetit qytetar, politika shqiptare papritur ka fituar një standard. Fjala është për një standard që rezulton të dëshmohet si akt dhe imazh, për të cilin vlerësimi i shoqërive fqinje dhe atyre perëndimore ka për të qenë me impakt pozitiv.
Një Kryeministër që dëgjon popullin e vet, ka fituar kohën dhe besimin për të fituar edhe më shumë miqtë që i ka të shtrenjtë e të adhurueshëm ky popull. Shqiptarët janë dhe do të mbeten vetëm një popull amerikandashës në viset e tyre. Për herë të parë ndodhi në Shqipëri që një Kryeministër i bindet vullnetit të popullit të vet në këtë mënyrë. Ky nuk është zhgënjim, por një provë për të qenë në lartësinë e shërbestarisë si populldashës.
Natyrisht zbardhja e njëanshme e “dosjes së pambyllur” të bisedimeve të pjesshme mes Kryeministrit Rama dhe aleatëve ndërkombëtarë, veçanërisht atyre amerikanë, për “armët kimike siriane” do të marrë ende debate, polemika, shpifje e shantazhe. “Koshi” i tejmbushur dhe i pambaruar i informacionit të sajuar dhe atij të qarkulluar në rrjetet sociale do të krijojë mundësi për miqtë e armiqtë e Kryeministrit Rama, për radikalët antiamerikanë dhe sidomos për ziliqarët fqinjë me shqiptarët në Ballkan, të vijojnë ilarizimin e së vërtetës reale. Njohja e dosjes konkrete me bilancin real të përfitimeve dhe humbjeve, do të bëjnë të mundshme në të ardhmen të verifikohen largpamësia apo iluzioni i politikanit Rama ndaj, dhe në raport me këtë ofertë. Refuzimi tashmë i pakthyeshëm i saj, është një kapitull me bilanc të brendshëm politik dhe të jashtëm diplomatik. Mes dy bilanceve, Kryeministri Rama ka zgjedhur imponueshëm të jetë fitues me të parin. Si, dhe deri ku, do ta shfrytëzojë atë për të rifituar “humbjen” në bilancin diplomatik, kjo mbetet për t’u parë?! Por ajo që është shfaqur në Shqipërinë e këtyre 10 ditëve dhe sidomos para Kryeministrisë në Tiranë, është diçka shumë optimiste, shumë pozitive dhe natyrisht e gjitha duhet marrë në brendinë dhe subjektin e saj si një “lindje e së resë” brenda shoqërisë shqiptare. Politikanët janë para saj, më shumë se kushdo tjetër. Për këtë shkak keqpërdorimi apo tentativa e kastës aktuale politike për ta kompromentuar apo tentuar për përdorim këtë “lindje” në vullnetin dhe shpirtin e lirë të shoqërisë, ka për të vetëshkaktuar kosto dhe marrë pësim të pazhbëshëm.
Kjo që ngjau është një prolog që diferencon politikanët me shoqërinë civile të vendit. Barasdistanca duhet ruajtur dhe mbrojtur me çdo kusht. Tamam siç ndodhi dhe ngjau në këto 10 ditë që shkuan. Vetëm një barasdistancë e tillë e shoqërisë civile rrëzon dhe shemb yes-menërinë dhe larton demokracinë reale. Kjo nevojitet që në këtë vend që vuan herë pas here më shumë prej vetes, se prej pushtimit, të mos ripërsëritet historia e qeverisësve që mbajnë peng deri dhe dialektikën.