Kultura brutale e punës i detyron gratë e Japonisë të zgjedhin mes karrierës dhe fëmijëve. Kjo zgjedhje krijon nëna të papuna dhe gra pa fëmijë, që të dyja, probleme shumë të rënda për kombin


Nobuko Ito thote burrat kane frike te humbasin vendin e punes nese marrin lejen e lindjesRupert Wingfield-Hayes, BBC


Gratë e Japonisë janë më të shumta se burrat nëpër universitete, ndërsa numri i grave të punësuara ka qenë në rritje të qëndrueshme përgjatë dhjetë viteve të fundit – por për shumë arsye, një grua që ka pasur fëmijë, e ka sërish më të vështirë se një burrë për të gjetur një punë të mirë.


Nobuko Ito është modeli i përkryer i gruas profesioniste moderne të Japonisë. Ajo është një juriste e përgatitur dhe flet rrjedhshëm anglisht. Ajo ka shumë vite përvojë pune në ligjin ndërkombëtar të kontratave.


Por Nobuko nuk punon më për një kompani të madhe ligjore ndërkombëtare. Në fakt, këto ditë nuk merret pothuajse fare me ligj. Në vend të punës, ajo kujdeset për tre fëmijët e vet. Në Japoni duhet të zgjedhësh ose karrierën ose fëmijët. T’i bësh që të dyja është shumë e vështirë.


“Para se të kisha fëmijë, mbaj mend një periudhë të ngarkuar kur unë u faturova një klient për 300 orë punë!”, thotë Nobuko. “Mund të shkoja në zyrë në orën 9:00 të mëngjesit dhe të largohesha në orën 3:00 mëngjesin tjetër, ndërsa dilja në punë edhe të shtunave dhe të dielave.


“Nëse dëshiron të vijosh të punosh, duhet të harrosh të kesh fëmijë, duhet t’ia përkushtosh veten tërësisht kompanisë. Unë nuk mund ta bëj këtë, është e pamundur”.


Siç tregon shembulli i Nobukos, kultura e punës në Japoni mund të jetë brutale. Është një nga arsyet se pse 70 për qind e grave vijojnë të heqin dorë nga puna sapo bëhen nënë për herë të parë. Problemi tjetër janë bashkëshortët.


Kur vjen puna për të ndihmuar për detyrat e shtëpisë, burrat e Japonisë janë ende shumë prapa bashkëshortëve në Europë apo Amerikë.



Në Suedi, Gjermani dhe SHBA, bashkëshortët kalojnë, mesatarisht, tri orë në ditë për të ndihmuar me kujdesin për fëmijët dhe për punë shtëpiake. Në Japoni, burrat kujdesen për shtëpinë për vetëm një orë dhe kalojnë vetëm 15 minuta në ditë me fëmijët e vet.


Ka një leje lindjeje për prindërit. Burrat në Japoni lejohet të marrin pushim për t’u kujdesur për fëmijët e porsalindur, por aktualisht vetëm një pjesë e vogël e tyre e bën. Vetëm 2.63 për qind e prindërve meshkuj qëndrojnë me fëmijët në shtëpi, sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies.


“Bashkëshorti im nuk e mori lejen e lindjes”, thotë Nobuko Ito.


“Shumica e burrave të Japonisë ngurojnë shumë të përdorin sistemin. Ata ndoshta mund të duan të kthehen në shtëpi për të ndihmuar familjen, por në anën tjetër, ata mendojnë se kanë nevojë të punojnë sa më shumë të jetë e mundur, sepse përndryshe mund të mos rriten në karrierë apo mund të humbasin vendin e punës”.


Pavarësisht kësaj, shumë gra në Japoni dëshirojnë të vijojnë të punojnë pasi të kenë fëmijët e vet. Por pastaj përballen me problemin tjetër të madh – kujdesin për fëmijën, ose më saktë, mungesën e kujdesit të përshtatshëm për fëmijët.


Sipas statistikave të vetë qeverisë së Tokios, ka rreth 20 mijë fëmijë në qytet që po presin për lirimin e një vendi në qendrat e kujdesit ditor (çerdhe).


Çerdhet qeveritare që ekzistojnë janë të mira, por ato janë shumë të pakta. Dhe, edhe nëse arrin të fitosh një vend aty për fëmijën tënd, çmimet janë të larta.


“Unë duhet të paguaj rreth 1 mijë dollarë në muaj për fëmijë edhe në çerdhet shtetërore”, thotë Nobuko Ito. “Çerdhet e shtrenjta private kushtojnë rreth 2 mijë dollarë për një fëmijë në muaj. Por ato janë me të vërtetë shumë të mira!”, – thotë ajo duke qeshur.


Të gjitha këto kushte janë dy rrjedhoja: gratë që kanë fëmijë nuk po punojnë dhe gratë që po punojnë, nuk kanë fëmijë. Që të dyja janë të tmerrshme për të ardhmen e Japonisë.


Në veprën e saj të rëndësishme Ekonomiksi i grave: Aseti i Fshehtë i Japonisë, ekonomistja japonezo-amerikane, Kathy Matsui, thotë se mbajtja e nënave japoneze në punë apo rikthimi i tyre në punë pas lindjes duhet të jetë një “prioritet kombëtar”.


Ajo thotë se kjo masë mund të shtojë Prodhimin e Brendshëm Bruto të Japonisë me 15 për qind. Por Matsiu thotë se ka një arsye edhe më të rëndësishme e urgjente. Japonia po mbetet pa njerëz.


“Megjithëse norma e ulët e fertilitetit është e zakonshme mes vendeve të zhvilluara, Japonia mund të jetë vendi i vetëm në OECD ku numri i kafshëve shtëpiake është më i lartë se sa numri i fëmijëve”, thotë ajo.


Lindshmëria në Japoni është vetëm 1.37 lindje për nënë, shumë më poshtë se sa 2.1 lindje për nënë që janë të nevojshëm për të mbajtur popullatën stabël dhe për të shmangur mbingarkesën e shoqërisë më të moshuar.


Provat nga Europa dhe Amerika sugjerojnë se po të ndihmosh gratë të qëndrojnë në punë, mund të krijohen kushtet edhe për rritjen e normës së lindjes.


Në vende si Suedia, Danimarka dhe SHBA, ku punësimi i grave është i lartë, edhe normat e lindjes janë gjithashtu të larta. Në vendet ku norma e punësimit të grave është e ulët, edhe lindshmëria është e ulët, siç ndodh në Itali, Korenë e Jugut dhe Japoni.


Në Japoni, një krizë demografike sakaq ka filluar. Më 2006, popullata e Japonisë filloi të ulet. Nëse tendenca aktuale vijon, ky vend do të humbasë një të tretën e popullsisë gjatë 50 viteve të ardhshme. Asgjë e ngjashme nuk ka ndodhur kurrë më parë.


Hendeku në pagesë


Shumë gra në Japoni vijojnë të tërhiqen nga forca e punës sapo bëhen nëna për herë të parë dhe shumë shpesh nuk mund të kthehen në punë me kapacitet të plotë. Në tregun e dyfishtë të punës në Japoni, gratë shpesh përfundojnë në punë të keqpaguara dhe jo të rregullta. Hendeku në të ardhurat mesatare mes gjinive në Japoni është nga më të lartit mes vendeve të pasura të grupuara në klubin OECD.


Burimi: OECD, Ngushtimi i Hendekut Gjinor (2012)


Ekonomiksi i grave sipas Kathi Matsui


Norma e punësimit të grave të Japonisë prej 60 përqindësh është ende shumë më poshtë se ajo e shumë vendeve të zhvilluara si Norvegjia, 75 për qind, SHBA, 66 për qind dhe Gjermania, 64 për qind.


Afërsisht 70 për qind e grave të Japonisë nuk punojnë më pasi lindin fëmijën e parë. Në SHBA, vetëm një e treta bëjnë të njëjtën gjë.


Pjesa e nënave japoneze me fëmijë më të vegjël se 6 vjeç që punojnë është vetëm 34 për qind, jashtëzakonisht e ulët në krahasim me atë të Suedisë, 76 për qind, SHBA-së, 61 për qind dhe Britanisë së Madhe, 55 për qind.


Burimi: Ekonomiksi i Grave 3.0 (Goldman Sachs 2010)