Këtu e pesëmbëdhjetë vjet të shkuara, Ismail Kadare shkruante se “Maks Velo është një nga autorët që si rrallëkush e kuptoi se krijimi letrar e artistik, …pavarësisht se në ç’kushte lind, është në radhë të parë art. Si e tillë, dëshmia e tij është e një vlere të dyfishtë”. Është i rëndësishëm ky pohim, veçanërisht kur buron prej çmojës së Kadaresë, opusi i të cilit i numëron me gishta dore vlerësimet për shqiptarë që janë ende gjallë. E mu për këtë nuk ka gjasa që shkrimtarit t̒i ketë rrëshqitur ky vlerësim. Në fakt, vepra arkitekturore dhe pikturore e Maks Velos ngërthen brenda saj diçka unike për kohën; ngërthen atë substancë, thuajse të panjohur për shqiptarët e edukuar në periudhën e socializmit, që sot po quhet moderní a modernitet. Vetë termi, për substancën e krijimit të Velos, nuk ekzistonte asokohe; nuk ekzistonte sepse leksiku ynë, rrjedhojë e mendimit tonë, nuk kish nevojë për një semantikë të tillë. Modernizmi nuk pranohej as si nocion filozofik e as si praktikë artistike, e për rrjedhojë askush nuk mund të krijonte gjë në frymë moderne. Modernija, çka në realitet është shpirti a fryma që ngjiz modernen, nuk kultivohej në parcelat e realizmit socialist, madje luftohej që në shtratin ku mund të ngjizej. Rëndom dezinfektimit diktatorial në Europën Lindore i përvidhej ndonjë “bubrrecë” qëndrestare, por totalitarizmit shqiptar – paralele e të cilit sot mund të bëhet vetëm me Korenë e Veriut – ishte e pagjasë t’i ndodhte. Veç censurës strukturore në nivel shoqëror, kontrolli kapilar, përmes “lidhjeve” dhe strukturave të tjera asociative profesionale, asgjësonte që në zanafillë çdo prirje për moderni. Por natyra ka trillet e veta dhe është fakt se edhe në shkretëtirën më të ftohtë ku jeta nuk bën ferk, diçka nën akull ose nën lëvoren e tokës gjëllin gjithsesi.
Dhe atëherë kur maiolika e bardhë socialiste dukej e panjollë, një objekt në Tiranë dëshmoi krejt papritur, mu si një qiri i vogël që gacullin mes territ-mblojë, se klori i dezinfektuesit totalitar nuk ia kish dalë të depërtonte në psikën e një arkitekti vetmitar: Maks Velos. Ky objekt ishte Pallati me Kuba, që ndryshe nga tiranasit thirrej dhe si Pallati i Kadaresë. Ra menjëherë në sy ai pallat dhe u konsiderua pa mëdyshje si prirje dhe rravgim drejt kubizmit: qoftë nga kush e përshëndeti fshehtas, qoftë nga ata që e me ngulm e ligësi e sulmuan pa e ndarë nga autori. Në shënimin përkatës që kam bërë brenda librit të Maks Velos “Paralel me Arkitekturën” më 1998, shkruaja se “tendenca drejt këtij kërkimi, jo vetëm në plan, por edhe në volum do të konsiderohej si kubizëm në atmosferën monotone të hapësirës artistike shqiptare. Askush nuk kish mundur as të ekspozonte ndonjë krijim “kubist” qoftë edhe për disa ditë në ndonjë ekspozitë dhe ja befas shfaqet ky profanator i artit (Velo) dhe si pa gjë të keq, gati në heshtje e pa bujë ngre një godinë në mes të Tiranës, e cila më vonë do të rezultonte një provokacion i vazhdueshëm për artin zyrtar”.
Në realitet, Maks Velo kishte qenë një modernist par excelence edhe në vepra të tjera të tij, qofshin ato edhe të periudhës fillestare krijuese. Kështu p.sh., format organike të objekteve të tij “minore” në kodrat e Shën Prokopit (Liqenit Artificial), ndikuar dukshëm prej ekspresionizmit gjerman e që shtjelloheshin pas një arkitekture mendelsoniane, duken sot ende më moderne se Pallati me Kuba. Por kubizmi në vetvete, i konsideruar gjithnjë si big-bang në skenën botërore të artit modern, qe më i vështirë për t’u kapërdirë prej një regjimi që mëtonte soliditetin, kompaktësinë dhe hermeticitetin e formave, dhe akoma më i vështirë për t’u fshehur aty në midis të patalogut, në qendër të kryeqytetit; aty ku individi Maks zgjodhi të vërë vigmën: “LIRI!” me zërin e brishtë të artistit nga thellësitë e skëterrës europiane.
Te “Kohë antishenjë”, në parathënien e tij, Kadaré i mëshon faktit se Maksi: “ishte i guximshëm; pa pyetur askënd, te njëri nga apartamentet, ai që ishte parashikuar ‘me një dhomë pune’, bëri ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që dhoma e punës të kishte një hapësirë të pazakontë për stilin socialist të banesave. Pa u mjaftuar me këtë parashikoi vendin e një oxhaku… Ishte ndoshta i vetmi apartament në një ndërtesë banimi të përbashkët në Shqipëri i projektuar me një oxhak. Të dyja këto modifikime, hapësira dhe oxhaku, do të bëheshin problem më pas, çështja do të shkonte gjer te Kryeministri i shtetit. Vetë ndërtesa do të vihej në shënjestër të akuzave, sidomos pas dënimit të Maksit; do të quhej moderniste, kubiste, madje disa herë do të propozohej shembja e saj”.
Pas peripecive të ngritjes, kritika zyrtare nuk vonoi; veç ekspertizave e analizave politike nëpër mbledhje, gazeta “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në vend se ta mbronte misin e saj, shkruante: “në godinën e banimit karshi Mapos nr. 1 në Tiranë, projektuar nga M. Veloja mbizotëron një anomali në ndërtimin e brendshëm të apartamenteve, me sipërfaqe banimi e shërbimi të pajustifikuara, me forma e madhësi të ndryshme. Për hir të “arkitekturës së lirë” …është rënduar funksioni dhe pamjet e ndërtesës. Vepra të tilla nuk kanë dobi shoqërore. Ja pra kush e lind kontradiktën: ndikimi dhe shija e huaj dhe jo faktori ekonomik… Madhësinë e një vepre nuk e përcaktojnë ngarkesa me format ekstravagante ose voluminoze, …por në radhë të parë përmbajtja dhe vlera e saj ideoestetike“.
Gjyqi qe bërë. Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes i kërkoi autokritikë, sikurse pat ndodhur edhe me artistë të tjerë. Maksi qe i vetmi ndër ta që nuk e bëri. Ndofta ishte i vetëdijshëm për natyrën dhe disidencën e arkitekturës së tij. U mbrojt “keq” dhe e shtynë… të tërë… edhe kolegët. U shkarkua nga detyra. Iu ndalua projektimi. U çua për punë të detyruar në bujqësi, në kooperativën e Ndroqit. U përgjua. U arrestua. U dënua… 10 vjet.
Maks Velo ishte personaliteti i parë në krejt Lindjen Europiane, e ndofta i vetmi në të gjitha “demokracitë popullore”, që u dënua nga një gjykatë shtetërore veç për mënyrën e të bërit art dhe për arkitekturën e tij.
* * *
Në një shkrim të tijin drejtuar studentëve Enver Faja thekson se “Arkitektura moderne nuk u njoh kurrë nga shteti ynë totalitar, ajo hyri në Shqipëri si tinëzare, pa zhurmë dhe pa vendime zyrtare… Por në historinë e përpjekjeve për një Arkitekturë Moderne ka pasur dhe periudha dramatike. Pas vitit 1973, u bë një luftë e hapur kundër artit dhe kulturës shqiptare që mbartnin gjurmë të letërsisë, të artit, e të arkitekturës perëndimore…; u ndëshkuan dhe arkitektë, dhe praktikues të arkitekturës moderne. Pati dhe raste persekutimi e burgimi. Prandaj arkitektura moderne shqiptare nuk arriti në nivelet e simotrave të saja në Europë, sepse i mungonte dukshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme liria e mendimit dhe e krijimit. Për këtë arsye arkitekturën moderne që u krijua në kushtet e një trysnie të egër të shtetit totalitar shqiptar duhet ta ruajmë si pasuri kombëtare, ta rigjenerojmë e ta rivlerësojmë në respekt të sakrificës së shumë krijuesve arkitektë, pse jo dhe të tërë shoqërisë shqiptare“.
Pallati me Kuba paraqet pashoqësí në peizazhin urban dhe kulturor të kryeqytetit, madje të krejt vendit; përveçse dëshmi e një disidence të mbrujtur në tulla, ai pallat është ndër krijimet arkitekturore më të arrira në harkun e periudhës së shkurtër, por thellësisht shenjuese të asaj pranvere artistike që ndër ne njihet si periudha e liberalizmit. Sot ka një pamje të mjeruar me modifikimet spontane, rënien e glazurave, mbylljen barbare të llozhave, suvatë e rëna, bojën e dalë dhe antenat satelitore e kondicionerët që mu si akne janë ngulur mbi një fytyrë të bukur, por të sëmurë. Godina kërkon shpëtim si pjesë e trashëgimisë së qendrës së kryeqytetit; sa nuk është vonë, sa nuk i ka humbur përfundimisht tiparet e saja më të mira.
Ka ardhur koha, dhe i takon Bashkisë së Tiranës, që përmes ekspertizës së saj, në bashkëpunim me autorin, të bëjë një restaurim shembullor dhe rivlerësimin ndërtimor të njërit prej landmarkeve autentike të Ballkanit antikomunist. Nuk kushton ndonjë gjë të madhe, vetëm pak qytetari, ndërkohë që volia anësore është e pallogaritshme.
Artan Shkreli – Korrik 2012