Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

23 Shkurt 2012 Drejtor: Besnik Myftari,   Kryeredaktor: Aleksandër Çipa

ËSHTË FIKS FARE, BERISHA PERMBYTI SHKODRANËT!

2010-12-08

Andrea Stefani (KERKO ...)

Ka ca shkodranë që e duan Sali Berishën deri në vetësakrifikim. Është liria e tyre. Por ndërkaq, është e drejtë e të gjithë kritikëve të Berishës, që sot janë më të shumtë se kurrë në Shqipëri, që t’u tregojnë këtyre shkodranëve se uji që sot po u përmbyt djepet e fëmijëve, shkollat dhe bukën e tyre në fusha, është pasojë e një qeverisjeje cinike që betohet se e do Shkodrën. Kjo provohet jo me fjalët tona, të kritikëve të Berishës. Kjo provohet me vetë fjalët e Berishës. Ky politikan, që nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën, ky maniak pushteti që për pushtet e ka çuar vendin sa e sa herë nga katastrofa në katastrofë, nga ’97-a në grushtin e shtetit, nga grushti i shtetit në tragjedinë e Gërdecit dhe nga “Gërdeci” në 5 përmbytje të Shkodrës brenda një viti, ka provuar me aventurat e veta se është pikërisht ashtu si akuzonte qeverinë socialiste rreth 7 vjet më parë: një qeveritar i karakterizuar nga cinizmi ekstrem, nga amoraliteti total, nga një qëndrim fund e krye antikombëtar, njeri me urrejtje patologjike për Shkodrën. Ndryshe nuk do të lejonte të ndodhte sot, e pesëfishuar, përmbytja e Shkodrës, që me aq tërbim kritikonte në vitin 2004 sa pa ardhur ende në pushtet. E përsëris, nuk janë akuzat e kritikëve të Berishës këto. Janë vetë fjalët e Berishës së vitit 2004 që sulmon sot Berishën në pushtet. Opozita e sotme nuk ka forcë ta demaskojë, t’ia çjerrë maskën këtij sharlatani të pashpirt, ashtu sikundër ia çjerr ai vetvetes. Opozita nuk e fshikullon dot Berishën me kamxhikun e së vërtetës, ashtu siç kamxhikon Berisha i vitit 2004 në opozitë, Berishën në pushtet që ka për armë gënjeshtrën dhe mashtrimin e publikut dhe në radhë të parë të shkodranëve. Dhe a thua gënjeshtra mund të jetë kaq e pathyeshme? Po le ta lëmë të flasë vetë Berishën. Ja ç’ka thënë ai nga podiumi i Kuvendit, si kryetari i opozitës në vitin 2004 kur u përmbyt Shkodra: “Jam këtu për të denoncuar cinizmin ekstrem, amoralitetin total me të cilin qeveritarët u përpoqën të mbulojnë veprën e tyre, përmbytjen e Shkodrës për të shumtën herë, në një shenjë urrejtjeje patologjike, në një qëndrim fund e krye antikombëtar, në një qëndrim primitiv, të turpshëm… Mësojeni se Buna dhe fryrja e saj, dhe fryrja e liqenit nga fryrja e Bunës, është mekanizmi kryesor, shkaku kryesor i përmbytjes së Shkodrës. Në të gjitha kohërat, këtë e di çdo shkodran, këtë e di çdo shqiptar, këtë nuk e dinë vetëm ata që e urrejnë Shkodrën në mënyrë patologjike si ju… Nuk mbroj Shkodrën këtu more, mbroj kombin, mbroj vendin. Vendi është i pandarë, Shkodra është e pandarë. Si të duket ty, Kryetar Parlamenti, të dëgjosh deklarata të tilla: Se nuk përmbytet Shkodra nga hapja e portave kur sot s’ka njeri që nuk e di, që di emrin Shkodër, se Shkodra nga Kiri dhe nga Buna përmbyten, nga liqeni. Buna fryn liqenin. Po sigurisht në qoftë se ti e mban Fierzën me 288 metra, atëherë ç’të shtyn ty të mbash në kuota maksimale Komanin dhe Vaun e Dejës. Janë shumë të thjeshta regjimet. Por regjimet i rrëzoni për Shkodrën, të cilën e urreni, doni ta përmbytni sa herë të doni. Erdhi Valbona 1600 metër kub apo Cemi kaq e aq, apo lumenj të tjerë? Dakord. Por është detyra e parashikimit more zotërinj. Ti je në dimër, je në reshje. Nuk ka thënë kush se është dimër i thatë. Keni dëgjuar ju ndonjë prognozist të motit të thotë në Shqipëri apo në botë se ky do të jetë një dimër i thatë? Jo mor zotëri, ky është dimër i lagët. Është problemi i qëndrimit antikombëtar të tuaj ndaj një krahine. Po si mund të thoni ju nuk përmbytet Shkodra nga fryrja e Bunës. Po që me këtë deklaratë tregoni ju urrejtje ndaj Shkodrës”.

* * *

Deklarata e Berishës në vitin 2004 u dha dy ditë më parë nga emisioni “Fiks Fare”. Dhe bëri shumë mirë. Se shqiptarët harrojnë. Dhe shkodranët harrojnë më shumë. Dhe e japin votën për atë që i përmbyt. Sepse kur është në opozitë ai thotë se e ka fajin qeveria që urren Shkodrën dhe jo Zoti për përmbytjen. Por kur është në pushtet thotë se faji është i reshjeve, i lumenjve të çmendur, i Zotit dhe jo i qeverisë. Është një tallje cinike me fatet e njerëzve, të lulave të vocërr të Shkodrës që dridhen mbi ujë për faj të një Kryeministri kryekëput cinik, mashtrues dhe të papërgjegjshëm. Dhe s’kishin faj Doktori i “Fiksit” dhe Saimiri që talleshin me Doktorin e PD-së, me Kryeministrin e sëmurë për pushtet që po rrënon Shqipërinë, kur shpreheshin se nuk u luan dot asnjë qime këtyre fjalëve të Berishës të thëna në kohën kur ishte në opozitë. Të paktën Berisha vetë nuk mund të ketë sy e faqe të korrigjojë Berishën që mallkonte qeverinë socialiste, që akuzonte opozitën se e urren Shkodrën, se është antikombëtare, se e ka përmbytur me qëllim Shkodrën ngaqë e urren. Në atë kohë uji vajti vetëm 5 centimetra në hyrje të qytetit. Po ku të fal Berisha, ky agresor i pushtetit. Ai protestoi për Shkodrën sikur uji të kishte vajtur 5 metra. Dhe sot, pas 6 vjetësh në pushtet, ky njeri që betohej e stërbetohej se ushqente dashuri të pafund për Shkodrën e shkodranët, i përmbyti 5 herë brenda 1 viti. Dhe për çdo herë me më shumë ujë, për të arritur rekord në nivelin 5 metra të përmbytjes në këtë katastrofën e fundit.

* * *

Berisha qeveritar nuk justifikohet dot për asgjë para shkodranëve dhe as përballë Berishës opozitar. Ky i fundit e akuzon se ka fjetur gjumë dhe nuk e ka çarë kokën se po afronte një dimër që, siç thoshte dhe vetë, nuk mund të mos ishte i lagësht. E akuzon se ka mbajtur nivelet e ujit në rezervuarët e kaskadës në nivele të larta, që detyruan hapjen e portave të digave duke fryrë Bunën dhe liqenin. Berisha opozitar këmbëngul kundër Berishës pushtetar se janë fryrja e Bunës dhe e liqenit shkaku kryesor i përmbytjes së Shkodrës dhe jo thjesht reshjet, dhe se këtë e di çdo shkodran. Madje edhe fëmijët. Opozita nuk ka nevojë fare të flasë. Mjafton Berisha opozitar që e akuzon Berishën Kryeministër për qeverisje cinike dhe të padhimbsur për pronat dhe jetën e një krahine, vetëm dhe vetëm për të fituar ca miliona më shumë nga shitja e energjisë elektrike. Berisha opozitar e akuzon Berishën qeveritar për papërgjegjshmëri dhe moskokëçarje për të ndërmarrë të gjitha masat, jo vetëm që nga përmbytja e katërt në janar, por edhe më përpara. Sepse një Kryeministër i përgjegjshëm nuk do të fliste vetëm sot, pasi ka 5 vjet në pushtet, për projekte të gjëra në bashkëpunim edhe me Malin e Zi. Një Kryeministër i përgjegjshëm, që i dhimbset me të vërtetë Shkodra dhe shkodranët, pronat, shtëpitë, fëmijët e pleqtë që sot vuajnë jo nga Zoti, por nga moskokëçarja e zotërinjve me pushtet, do i kish realizuar projekte të tilla që në mandatin e parë. Për shembull, nuk do harxhonte korruptivisht mbi 1 miliard dollarë në rrugën faraonike “të kombit”. Do ta bënte atë rrugë me shumë më pak shpenzime, me më shumë nikoqirllëk dhe nja 500 milionë euro, do i kish investuar për projektin e shpëtimit të Shkodrës. Vetëm atëherë mund të thoshim se vërtet Berisha e do Shkodrën. Ndërsa tani, pas kësaj lemerie përmbytjesh, mund të themi vetëm atë që Berisha vetë ka thënë për një qeveri që lejon të përmbytet Shkodra: Se ka një urrejtje patologjike për të!

POLITIKE
Topi dekoron Voglin dhe Peçin me “Medaljen e Artë” 2012-02-22
Fino: Drejtuesi i kryeqytetit duhet të jetë një autoritet  2012-02-22
Müller-Holtkemper: Presidenti i ri i Shqipërisë, mbipartiak 2012-02-22
Topi: Partitë, probleme me demokracinë e brendshme 2012-02-22
PD sulmon egërsisht Topin: Nuk është i djathtë 2012-02-22   (Fatjona Mejdini)
AKTUALITET
Imami-Arvizu: Humbja e Voglit dhe plagosja e Pecit, çmimi për paqen 2012-02-22
Shteti, i tëri për vizitë në familjen e varfër të Feti Voglit 2012-02-22   (Luan Kondi)
Motra e Aleksandër Pecit, në gjunjë ushtarakëve: Më tregoni për vëllanë 2012-02-22
“Mbrojtja” e gjykatës për gardistët nën hetim 2012-02-22
Egërsohen hajdutët e skrapit, sulm me armë 2012-02-22
SOCIALE
Kriza greke shton numrin e divorceve te emigrantët shqiptarë 2012-02-22   (Engjëll Serjani)
Politika “helmon” edhe universitetet 2012-02-22   (Lorina Mixha)
Zgjedhjet tek Universiteti i Sporteve vendosen nga gjykata 2012-02-22   (Shpresa Mezini)
Rriten temperaturat, ndërpritet ngrohja 2012-02-22   (Lorina Mixha)
Prindërit në dy shtete, fëmijët pa përkujdesje 2012-02-22
EKONOMI
Banka Botërore: Ndërtimet pa leje, vetëm 1.7% mbaruan punë 2012-02-22
Gara për gazin e Kaspikut tensionohet 2012-02-22   (Gjergj Erebara)
Të paqarta përfitimet e Shqipërisë nga gazsjellësi TAP 2012-02-22
BOTE
Ndihma e re për Greqinë dhe reformat e ashpra 2012-02-22
Strauss Khan, ndalohet për t’u marrë në pyetje për skandalin e prostitucionit 2012-02-22
NDRYSHE
Hans Werner Sinn: “Rimëkëmbja e Greqisë brenda euros, një iluzion” 2012-02-22
Deodorantet nuk e rrisin rrezikun e tumorit të gjirit 2012-02-22
Puna e lirë 2012-02-22
Gary Oldman, rikthim në skenën e vjetër 2012-02-22
KULTURE
Alfred Trebicka: Teatri ka nevojë për dramaturgji kombëtare 2012-02-22   (Ulkie Sinani)
Poezitë e Poradecit, në Teatrin e Metropolit 2012-02-22
Koncert për violonçel në Akademinë e Arteve 2012-02-22
Liami: Kam të dashur, por më pëlqen të jetoj vetëm 2012-02-22
SPORT
Zbardhen prapaskenat e Salihit në Amerikë 2012-02-22
Shkodra do të mirëpresë Asamblenë e futbollit 2012-02-22   (Endrit Shkurti)
Shaqiri i premton Hejnkesit një gol sot kundër Bajernit 2012-02-22
Vllaznia-Skënderbeu do të luhet të enjten 2012-02-22
Gashi, kosovari i radhës te Kombëtarja Shpresa 2012-02-22
Lart: C
Ulet: C

C

Nesër

Lart: 17°C Ulet: C

Pasnesër

Lart: 17°C Ulet: C
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.