Prokuroria e Rrethit të Fierit ka nisur një procedim penal ndaj degës së zyrës së shërbimit të klientit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike CEZ, që vepron në këtë qytet. Lajmi është bërë i ditur nga burime të akuzës, të cilat sqaruan se procedimi penal ndaj punonjësve të kësaj zyre për abuzime ka nisur pas kallëzimit të kryer nga disa qytetarë. Ndërkaq, mësohet se kanë qenë edhe kallëzime të kryera më parë, të cilat u janë bashkuar denoncimeve të mëvonshme, ku klientë të kompanisë CEZ akuzojnë se u është kërkuar të paguhen shuma më të mëdha nga ato që kanë shpenzuar. Tjetër fakt që i ka detyruar qytetarë të ndryshëm të kryejnë kallëzim penal për vjedhje ka qenë kërkesa e punonjësve të CEZ, të cilët u kanë kërkuar që të paguajnë kamatëvonesat e disa viteve më parë. Denoncuesit pretendojnë në kallëzimin e tyre se punonjësit e CEZ nuk iu kanë kërkuar që t’i paguajnë më parë këto kamatëvonesa, edhe pse ata kanë qenë të gatshëm t’i paguajnë ato. Mësohet se janë kamatëvonesa të papaguara që prej vitit 2008, të cilat punonjësit e CEZ kërkojnë që konsumatorët t’i shlyejnë tani dhe të gjitha njëherësh. Të ndodhur para kësaj situate denoncuesit kanë parë si rrugë të vetme të zgjidhjes së problemit të tyre prokurorinë, duke i akuzuar punonjësit e CEZ për abuzime dhe për vjedhje. Ndërkaq, burimet e organit të akuzës pohojnë se ka nisur procedimi penal për këtë çështje, por se ende nuk ka një emër konkret të marrë nën hetim. Mësohet se po verifikohen të gjitha kallëzimet dhe se ka nisur të kërkohet edhe baza ligjore mbi të cilën ushtron aktivitetin e saj kompania CEZ. Kjo kompani edhe pse pritej që të zgjidhte njëherë e përgjithmonë furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve, prej kohësh vepron në mënyrë të papërgjegjshme, duke mos respektuar kontratën dypalëshe. Edhe hyrja në fuqi e kontratës së re, nuk ka sjellë ndonjë ndryshim. Kjo pasi ndërprerjet e energjisë elektrike vazhdojnë të jenë të shpeshta dhe pa paralajmërime në të shumtën e rasteve.
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.