Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

23 Shkurt 2012 Drejtor: Besnik Myftari,   Kryeredaktor: Aleksandër Çipa

Si mund të mbrohen të dhënat tona personale në epokën e internetit

2012-01-27

Projekti me 100 ligje do të rregullojë marrëdhëniet mes përdoruesve dhe internetit

Në kohën e përdorimit masiv të rrjeteve sociale si “Facebook” apo “Twitter”, në Bruksel janë propozuar rregulla për mbrojtjen e të dhënave personale. Të gjithë ne fusim të dhëna personale dhe lëmë gjurmë në internet, përmes rrjeteve si “Google” apo “Facebook”. Prandaj edhe jemi të shqetësuar se çfarë ndodh në fakt me këto të dhëna, si mund të kontrollohen ato dhe a mund të hiqen nga interneti. Komisionerja për Mbrojtjen e të Drejtave Themelore, Viviane Reding, kërkon që në mbarë Europën të vendosen rregulla të përbashkëta për mbrojtjen e qytetarëve dhe për pamundësimin e keqpërdorimit të të dhënave. Të mërkurën, komisionerja paraqiti në Bruksel edhe propozime konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve. “Këto rregulla duhet të vlejnë për të gjithë tregun e brendshëm europian. Ato do të vlejnë për të gjithë njerëzit që jetojnë në territorin e Bashkimit Europian dhe për të gjitha sipërmarrjet, të cilët e përdorin këtë mundësi të artë për të kryer punë përmes internetit, pavarësisht se nga cili vend vijnë ato”, pohon Reding. Këto rregulla duhet të vlejnë edhe për vendet e treta. Shumë njerëz ndërkohë nuk u besojnë disa rrjeteve në internet dhe heqin dorë nga përdorimi i tyre, nënvizon Reding. Ndaj jo vetëm konsumatorët, por edhe sipërmarrjet, mund të përfitojnë nga rregullimi ligjor i këtij sektori e të mos llogarisim paratë që kursehen për administrimin e të dhënave të ndryshme, të cilat aktualisht kapin shumën prej rreth 2,3 miliardë eurosh. Edhe tani ekzistojnë rregulla për mbrojtjen e të dhënave në nivel europian. Por ato nuk aplikohen në mënyrë të njëjtë nga të gjitha vendet. Këto rregulla janë hartuar në vitin 1995, pra kanë të bëjnë shumë pak me botën e sotme dixhitale. Joe McNamee, drejtor i Organizatës Europiane Digital Rights (të drejtat dixhitale), e cila angazhohet për mbrojtjen e të drejtave dhe të dhënave në internet, i sheh këto propozime ligjore të Komisionit si një bazë të mirë për rregullimin e këtij sektori. Ai e mbështet idenë kryesore për mbrojtje në sektorin dixhital. “Edhe në këtë moment ekzistojnë bazat për kontrollin e të dhënave personale, por ato janë të paqarta. Në shumë gjëra këto të drejta ekzistojnë në teori, por jo edhe në praktikë”, pohon McNamee. Planet e komisioneres Rending parashikojnë që shërbimet online në të ardhmen duhet të marrin pëlqimin e personave për përpunimin e mëtejshëm të të dhënave personale. Ato duhet të shpjegojnë në një gjuhë të kuptueshme se çfarë duan të bëjnë me këto të dhëna dhe për sa kohë do të mbahen ato në memorie. Konsumatorët kanë edhe të drejtën që të shikojnë të dhënat e memorizuara. Ata kanë edhe të drejtën "që të harrohen", që nënkupton shlyerjen e të dhënave të tyre personale, në qoftë se nuk ekziston ndonjë shkak i veçantë pse ato duhet të ruhen. Këto shkaqe duhet të shpjegohen prej sipërmarrjes apo shërbimit që i ka mbledhur ato. Mbrojtësi i të dhënave McNamee e përmend Irlandën si një vend ku në veçanti nuk ka pasur ndonjë mbrojtje të të dhënave personale. Ndoshta nuk është edhe ndonjë çudi, kur dihet se rrjeti amerikan “Facebook” ka atje selinë e tij në Europë. Se si duhet të zbatohen këto rregulla në praktikë, komisionerja Reding shpjegoi me shembullin e një studenti austriak. Ai ka kërkuar të shuhen të dhënat e tij në “Facebook”, por ka hasur në vështirësi të shumta. "Në të ardhmen ky student mund t'u drejtohet autoriteteve të kontrollit në Austri. Ato më pas do t'i drejtohen autoriteteve në Irlandë dhe do të kërkojnë që problemi të zgjidhet. Këto rregulla vlejnë si në Austri ashtu edhe në Irlandë. Pas zgjidhjes së problemit, studenti do të informohet prej autoriteteve të Austrisë", shpjegon Reding. Këto propozime kanë hasur në kritika në Gjermani. Por Reding thotë se gjermanët nuk kanë pse shqetësohen". Rregullat gjermane për mbrojtjen e të dhënave janë ndër më të mirat. Ndaj unë kam zgjeruar në njëfarë mënyre këto standarde gjermane në të gjitha 26 vendet tjera anëtare të BE-së. Gjermanët pra nuk kanë asnjë shkak për shqetësim. “Standardet që vlejnë tani në Gjermani në të ardhmen do të vlejnë në mbarë Europën”, pohon komisionerja. Fjala është aktualisht vetëm për propozime. Tani do të fillojnë këshillimet me Këshillin e BE-së, me vendet anëtare të BE-së dhe me Parlamentin Europian. Nga Këshilli dhe Parlamenti janë dërguar sinjale pozitive. Megjithatë deri në hyrjen në fuqi të rregullave të reja mund të kalojnë edhe shumë vite.

Lart: C
Ulet: C

C

Nesër

Lart: 17°C Ulet: C

Pasnesër

Lart: 17°C Ulet: C
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.