Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

23 Shkurt 2012 Drejtor: Besnik Myftari,   Kryeredaktor: Aleksandër Çipa

Ina Rama: Kryeministri më bën Presion! I trembem vetëm ligjit

2012-01-27

“Garda, vrasje me dashje, filloi të manipulonte provat”

Kryeprokurorja Ina Rama i cilëson sulmet e Kryeministrit Sali Berisha si presion për hetimet e 21 janarit. Në një intervistë për emisionin “Opinion”, zonja Rama ka deklaruar se e vetmja frikë që ndien është frika nga ligji. “I bëj llogaritë me ligjin. Kur marr një vendim dhe kur bëj diçka, apo kur kryej një aktivitet. Në këtë moment, kur zbatoj ligjin, nuk kam asnjë frikë”, i përgjigjet zonja Rama deklaratës së Kryeministrit se hetimi i 21 janarit do të kryhet nga kryeprokurori i ri, madje do të hetohet edhe vetë Ina Rama. Në lidhje me akuzat e mazhorancës pas një deklarate të mëparshme të zonjës Rama se “ngjarja ndodhi në bulevard”, ajo iu përgjigj se: “Ajo është rruga. Në bulevard ndodhi ngjarja. Ndodhi një ngjarje te bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’. Ajo është rruga, buzë kësaj rruge është selia, Kryesia e Kuvendit etj.”.

Manipulimi i provave

Kryeprokurorja foli dje edhe për hetimin e 21 janarit. Sipas saj, hetimi nuk është vonuar. Më pas bëri një ekspoze të këtyre hetimeve. Duke filluar nga dita e ngjarjes, zonja Rama tha se Prokuroria e Tiranës ka qenë e gjitha në detyrë, u ngritën disa grupe hetimore. Prokurorë e hetues shkuan në vendngjarje, një grup u dërgua në spital për viktimat dhe të plagosurit. Një grup shkuan në komisariatet e policisë për demonstruesit e arrestuar. Ndërsa një grup tjetër hetimor shkoi në Gardën e Republikës. Më pas vazhdoi me ekzaminimet, marrjen e të gjitha armëve të Gardës, të gjitha. Janë pyetur qindra persona, u krye shqyrtimi i pamjeve filmike të televizioneve. U dërguan në gjyq 21 demonstrues.

Kryeprokurorja tha se për këtë çështje po hetohet te rindërtimi i vendit të ngjarjes, pastrimi i pamjeve dhe rindërtimi i skenës në tredimensional. Ajo tha se kërkuan ndihmën e SHBA-ve për një nivel më të lartë profesional, për një kredibilitet të lartë, pasi situata në atë kohë ka qenë me sulme të vazhdueshme.

Ajo shpjegoi se ka kërkuar ndihmën e amerikanëve në disa çështje, pasi ka pasur lakime apo dyshime ndaj personave që lidhen afër me njerëz të pushtetit.

Organizatorët

Një temë tjetër e trajtuar nga Prokurorja e Përgjithshme kishte të bënte me hetimin e organizimit të 21 janarit. Sipas saj, Prokuroria e Tiranës ka qenë gjithmonë në krye të hetimit. Edhe për organizimin i kemi kërkuar FBI-së pastrimin e pamjeve filmike. Kemi pasur dyshime për disa deputetë dhe për këtë arsye, po vazhdojmë hetimin. Kryeprokurorja ka bërë më pas një sqarim në lidhje me rolin e policisë gjyqësore. Ajo përmendi një marrëveshje me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, për OPGJ-të, sipas së cilës oficeri i policisë ka të drejtë të relatojë dhe të bëjë ankim për vendimmarrjen e prokurorit. 
Sipas zonjës Rama, hetimi për organizimin iu ngarkua Policisë së Shtetit, ndërmjet urdhrave verbalë dhe formalë. Policia e Shtetit pati kohën në dispozicion për konkluzionet ndaj deputetëve, kryetarit të PS-së, në bazë të provave që kishte mbledhur gjatë hetimit. Janë bërë takime periodike çdo të hënë, në orën 10:00 dhe në muajin korrik, Policia e Shtetit sugjeron pezullimin e çështjes. Policia thotë se nuk identifikon autorët. Shkresa ka qenë e firmosur nga drejtori i Policisë së Tiranës. I kemi thënë Policisë së Tiranës se do të vazhdoni të hetoni. Janë bërë takime, deri në muajin dhjetor, për analizimin e tabulateve. S’kemi pasur konkluzion nga policia. Ne çmuan për aq sa kemi bërë, nuk ngremë dot akuzë dhe i kërkuam Parlamentit heqjen e imunitetit. Në lidhje me pyetjen e kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe Spartak Ngjelës, Kryeprokurorja tha se deklaratat e tyre i kanë trajtuar dhe nuk kanë parë elementë të veprës penale.

Urdhrat e ndalimit

Prokurorja e Përgjithshme ka sqaruar edhe urdhër-ndalimet e lëshuara në orët e para të datës 22 janar 2011. Pyetjes se përse urdhëroi ndalimin e zinxhirit drejtues të Gardës, zonja Rama tha se këta gjashtë emra kanë dalë në mënyrë aksidentale. Sipas saj, këta gjashtë emra nuk kanë qenë zinxhiri komandues i Gardës. Fillimisht kanë konstatuar disa vepra kriminale, pasi ka pasur tri viktima dhe një të plagosur rëndë. Shumë të plagosur me armë zjarri. Kanë qenë edhe 36 policë të plagosur. Ajo ka shpjeguar edhe “ngjarjet në bulevard”. Sipas saj, e ka quajtur të tillë, pasi selia e Kryeministrisë ndodhet në atë rrugë, pra në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ajo sqaroi se u urdhëruan ndalimet, pasi kishte viktima dhe pamjet filmike tregonin se plumbat vinin nga Kryeministria. Kishte përfunduar këqyrja e vendngjarjes jashtë Kryeministrisë dhe nuk kishte asnjë gëzhojë. Kishte viktima dhe një deklaratë të mjekut që viktimat ishin me armë zjarri dhe nga afër. Informacioni ishte në mënyrë verbale. Prokurorët konstatuan ushtarë të Gardës, duket mbledhur gëzhoja. Kishte një refuzim të Gardës për të bashkëpunuar. Nga pamjet filmike, i tillë ishte perceptimi. Kishte një tendencë për manipulimin e hetimeve. Kemi parë planin e masave të Gardës. Nuk dinim njësitë që qëlluan atë ditë, ku ishin të dislokuara. Këta ishin individët që menaxhuan situatën atë ditë në Kryeministri dhe për këtë arsye urdhëruam ndalimin. Kryeprokurorja tha se synonin që këta individë të pyeteshin menjëherë, pa u dhënë strategji për dëshmi. Perceptimi ishte se ajo ngjarje do linte gjurmë më tej. Menduam se përgjegjësia për hetimin është e atyre personave që janë aty. Qëllimi ishte që të gjashtë personat të pyeteshin në mënyrë të menjëhershme, pa u lënë mundësia të koordinoheshin me njëri-tjetrin. Urdhrat janë dërguar në polici në orën 7:00 të mëngjesit, të datës 22 janar 2011. Drejtori i kabinetit të Burgajt ka telefonuar zv.prokurorin dhe u ka thënë se ka një lapsus. Pas kësaj bisede, diskutimet janë bërë me drejtorin Burgaj dhe prokurorët e Tiranës. Ky lapsus nuk ishte fondamental. “Unë si prokuror nuk njoh precedent tjetër kur nuk zbatohen urdhër-ndalimet”, tha ajo. Sipas saj, pasi janë ezauruar disa hallka, kam bërë një bisedë me Burgajn. Më pas ka dalë Edi Rama, por fjala lapsus është përdorur që në mëngjes. E pyetur nëse ka biseduar me kryetarin e PS-së në telefon, zonja Rama tha se “s’kam folur asnjëherë në jetën time. As një telefonatë me zotin Rama”. Në lidhje me bisedat me Presidentin Topi, tha se “ka komunikuar ditën që ndodhi ngjarja dhe ditët pasardhëse për gjerat thelbësore”. Për ndërhyrjet e Ambasadës Amerikane për zbatimin e urdhër-ndalimeve, zonja Rama tha se misioni ICITAP dhe OPDAT kanë ndërhyrë në prokurori dhe polici për bashkëpunimin.

Serveri i Kryeministrisë

Numri një i akuzës shqiptare foli mbrëmë edhe për manipulimin e provave të 21 janarit, kryesisht edhe të serverit të Kryeministrisë. Sipas saj, konstatimi për fshirje u bë fillimisht nga laboratori i Ministrisë së Brendshme. Ajo tha se kërkoi këto pamje, pasi mendonte se do të ishin të vlefshme, pasi ishin pamje nga brenda Kryeministrisë. Por pamjet nuk u rikuperuam. Ajo tha se më datën 4 mars 2011 informohen për një auditim nga një kompani privat e quajtur TIS. Në këtë raport thuhet se sistemi i kamerave ka qenë në punë, ndërkohë që morën përgjigje nga Kryeministria më parë se serveri nuk punonte. Prokuroria mori dijeni se ishin zbuluar disa pamje të një kamere tjetër. Në shkresën e kompanisë flitet për një formatim të serverit. Sipas Ina Ramës, kanë bërë dy formatime. Shkresa e kompanisë konfirmon se janë bërë formatime në orën 12:00 të datës 21 janar, me qëllim që serveri të ishte bosh. Kompania private nuk konstaton formatimin e orës 0:51, të datës 22 janar. Në këtë rast është bërë formatim manual, pasi vetë serveri nuk mund të formatohet. Prokuroria ka kërkuar që ky person, pra IT-ja, të futet në burg.

Vrasje me dashje

Arrestimi i Ndrea Prendit, sipas Kryeprokurores, është bërë në akuzën e vrasjes me dashje. Sipas saj, prokurorët janë konsultuar me ligjin e Gardës për ruajtjen e institucioneve shtetërore ku thuhet se duhet përdorur minimumi i forcës. Sipas saj, nëse tentohet të futen persona në oborrin e Kryeministrisë, paralajmërohet dhe pastaj goditet. “Ne kemi parë që viktimat janë qëlluar jashtë oborrit të Kryeministrisë dhe ata nuk po sulmonin Kryeministrinë. Do të kishim diskutim të ndryshëm, nëse vrasjet do të kryheshin ndaj personave që u futën në Kryeministri. Ne kemi thënë se është vrasje me rrezik ndaj shumë personave. Është qëlluar në turmë dhe jo në drejtim të individëve të caktuar”, tha Kryeprokurorja. Sipas saj, FBI-ja ka përcaktuar se predha e gjetur në trupin e Ziver Veizit nuk kishte dëmtime.

Lart: C
Ulet: C

C

Nesër

Lart: 17°C Ulet: C

Pasnesër

Lart: 17°C Ulet: C
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.