Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

23 Shkurt 2012 Drejtor: Besnik Myftari,   Kryeredaktor: Aleksandër Çipa

Ndjekje penale tre zyrtarëve të sporteve

2012-01-27

Bledi Gilaj (KERKO ...)

Korrupsioni

Dy javë më parë, “Shqip” publikoi skandalin e Agjencisë së Sporteve te MTKRS-ja

Tre zyrtarë të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve janë dërguar për ndjekje penale dhe akuzohen për shpërdorimin e fondeve për Agjencinë e Sporteve. Bëhet fjalë për skandalin e abuzimit me 40 milionë lekë të vjetra, publikuar nga gazeta “Shqip” dy javë më parë, për të cilin akuzohen ish-shefja e zyrës së financave në këtë agjenci dhe dy punonjës të saj.

Burimet policore të Tiranës thanë se hetimet për këtë rast janë kryer nga seksioni kundër korrupsionit, ndërkohë që materialet tashmë janë dërguar për gjykim. Sipas të dhënave, nga prokuroria ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për tre ish-anëtarët e komisionit të blerjeve të vogla në Agjencinë e Shërbimit të Sporteve dhe pikërisht për Mariana Xhorin, 59 vjeçe, me profesion ekonomiste, ish-shefe e Zyrës së Financës në këtë agjenci; Pëllumb Velaj, 59 vjeç, ish-teknik i mesëm; dhe Mustafa Tukseferi, 62 vjeç, specialist. Policia deklaroi zyrtarisht se, personat e sipërcituar dyshohet se duke qenë anëtarë të komisionit të blerje të vogla pranë Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Tiranë, përgjatë periudhës janar–shtator 2008 kanë kryer procedura prokurimesh për blerje të vogla në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, duke i shkaktuar një dëm ekonomik të konsiderueshëm pasurisë shtetërore në vlerën rreth 40 milionë lekë të vjetra.

Hetuesit kanë zbardhur edhe skemën e abuzimeve, ku mësohet se anëtarët e këtij komisioni kanë kryer procedura fiktive të prokurimeve të vogla. Ata “shkruanin” në dokumente se disa firma merrnin pjesë në këtë ankand, në një kohë që realisht asnjë firmë nuk ftohej. Bëhet fjalë për prokurime për riparime makinash, blerje kancelari apo blerje kondicionerësh, ku këta persona i blinin me “para në dorë” dhe nuk merrnin në konsideratë ofertat më të ulëta. “Nga verifikimet e faturave për prokurimet në Drejtorinë e Shërbimeve të Sporteve ka rezultuar se dëmi ekonomik llogaritet në rreth 40 milionë lekë të vjetra, të cilat dyshohet se i kanë përfituar tre anëtarët e komisionit të blerjeve të vogla. Denoncimi për këtë rast është realizuar nga sekretari i një federate sporti për policinë gjyqësore”, - thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës, e cila pohon se tashmë fashikulli hetimor është dërguar për gjykim.

Procedimi penal për abuzimet me dhënien e fondeve për sportet është ndarë në dy pjesë. Krahas ngritjes së akuzës për tre zyrtarë të Agjencisë së Shërbimeve të Sporteve, Prokuroria e Tiranës po vazhdon hetimet për abuzimet e MKRS-së për organizimin e disa aktiviteteve të rëndësishme sportive, ku evidentohet se ka pasur parregullsi të shumta. Burimet nga akuza e kryeqytetit thanë se po hetojnë periudhën 2008-2009, në kohën që Ministria e Kulturës drejtohej nga Ylli Pango. Janë dhënë në kundërshtim me ligjin qindra milionë lekë për disa ndeshje boksi, për federatat e ndryshme, si dhe për përgatitjen e ekipit olimpik shqiptar, pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të Pekinit në vitin 2008. Prokuroria thotë se ka dyshime se drejtuesit e MTKRS-së kanë kryer prokurime dhe tenderë fiktivë për dhënien e këtyre të hollave, duke i shkaktuar shtetit shqiptar mijëra euro dëme.

Lart: C
Ulet: C

C

Nesër

Lart: 17°C Ulet: C

Pasnesër

Lart: 17°C Ulet: C
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.