Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

23 Shkurt 2012 Drejtor: Besnik Myftari,   Kryeredaktor: Aleksandër Çipa

Pushon bora, zëvendësohet nga akulli

2012-01-27

Në Peshkopi bllokohet rruga e spitalit. Izolohen fshatra edhe në zonën malore të Skraparit

Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë “ngrirë” gjithë zonat malore të vendit. Dhjetëra komuna vijojnë të mbeten të izoluara plotësisht, ndërkohë që rrugët rurale vijojnë të mbeten të pakalueshme.

Dibër

Pas pushimit të reshjeve të dëborës, në Qarkun e Dibrës janë shënuar ulje të ndjeshme temperature, deri në minus 8 gradë. Kjo ka shkaktuar ngrica dhe akull në rrugë, gjë që ka vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e automjeteve, sidomos gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes. Aksi rrugor Peshkopi-Bulqizë vazhdon të mbetet i kalueshëm për automjetet, me pak problem në disa segmente të tij si ai në fshatin Peladhi, “Pishat”, në Fushë-Bulqizë dhe Qafa e Buallit, për shkak të akullit. Aksi Qafa e Buallit - Krastë vazhdon të jetë i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Po kështu, edhe aksi Ura e Çerenecit - Ostren është i kalueshëm me zinxhirë, ndërsa Ostren – Klenjë - Librazhd, vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të dëborës dhe ngricës. Po kështu, me shumë vështirësi automjetet qarkullojnë vetëm me zinxhirë edhe në rrugën Peshkopi-Kala e Dodës - Kukës. Të paktën katër komuna të këtij qarku si: Lura, Kalaja e Dodës, Trebishti dhe Xibri, aktualisht kanë mbetur të izoluara. Ndërsa numri i fshatrave të veçanta të izoluara është shumë herë më i madh, pasi rrugët që i lidhin me qendrat e komunave janë të pakalueshme për shkak të dëborës dhe akullit. Ndërkohë, ngricat kanë shkaktuar probleme edhe për vetë qytetet Peshkopi, Bulqizë dhe Burrel, qendra të tri rretheve të këtij qarku. Kështu, është vështirësuar ndjeshëm lëvizja e qytetarëve për shkak të të ftohtit. Më keq situata paraqitet në qytetin e Peshkopisë, ku të gjitha rrugët e brendshme të tij janë mbërthyer nga akulli, duke sjellë kështu problem jo vetëm për lëvizjen e automjeteve, por edhe të qytetarëve. Bashkia, për mungesë fondesh e mjetesh, nuk mori masa për heqjen e dëborës që ra para disa ditëve, e cila tashmë për shkak të uljes së temperaturave është kthyer totalisht në akull. Rruga e Spitalit Rajonal të Peshkopisë kalohet me vështirësi vetëm nga automjete të pajisura me zinxhirë, duke e bërë kështu të vështirë transportimin e rasteve urgjente të të sëmurëve në këtë spital, që u shërben 150 mijë banorëve. Ndërkohë, për 18 mijë banorët e qytetit të Peshkopisë, problem tjetër gjatë këtyre ditëve mbetet edhe furnizimi me ujë të pijshëm, pasi në mjaft pallate si shkak i uljes së temperaturave kanë ngrirë tubacionet.

Kukës

Reshjet e dendura të dëborës që kanë përfshirë prej dy ditësh të gjithë rajonin e Kukësit kanë bërë që trashësia e dëborës të arrijë në më shumë se 1 metër, ndërsa në qytetin e Kukësit deri në 30 cm. Rrugët që lidhin Kukësin me zonat e thella si Shishtavecin, Kalisin, Grykën e Çajës, Zapodin, Arrnin etj., për momentin janë të bllokuara. Një numër i konsiderueshëm shkollash kanë pasur probleme për shkak se një numër nxënësish nuk kanë mundur të shkojnë në mësim, por burime të prefekturës tregojnë se gjithsesi mësimi nuk është ndërprerë në asnjë fshat. Ndërkohë, aksi kombëtar i autostradës Morin - Kukës - Kalimash, megjithëse përshkohet me vështirësi për shkak të akullit, është plotësisht i kalueshëm. Në këtë situatë, në autostradë janë dislokuar 5 borëpastruese për të pastruar dëborën, e cila në afërsi të tunelit të Kalimashit ka arritur më shumë se 60 centimetër dhe policia rekomandon drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këtë aks që të përdorin zinxhirët, të kenë goma dimërore, si dhe të ulin në maksimum shpejtësinë e lëvizjes.

Berat

Bora e ditëve të fundit, që ka mbuluar zonat malore të Qarkut të Beratit, ka krijuar probleme në disa akse rurale. Nga informacionet e mara nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Beratit bëhet e ditur se akulli dhe bora kanë mbuluar krejtësisht disa akse rurale. Kështu akset rurale Çorovodë-Gjerbës, Çorovodë-Leshnjë, mësohet se janë bllokuar plotësisht. Sipas kryetarëve të komunave, nëse reshjet e dëborës do të vazhdojnë ende, këto akse rrugore do të bllokohen krejtësisht dhe do të jenë të pakalueshme. Ndërkohë, aksi rrugor Çorovodë-Potom, ndonëse nën prezencën e dëborës, është i kalueshëm vetëm për mjetet e larta.

Lart: C
Ulet: C

C

Nesër

Lart: 17°C Ulet: C

Pasnesër

Lart: 17°C Ulet: C
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.