Prokuroria dorëzon në Gjykatën e Apelit në Tiranë kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Armando Kasës, IT-ja i Kryeministrisë, që dyshohet se ka fshirë pamjet e 21 janarit të kapura nga kamerat e sigurisë. Prokurori Ndini Tavani ka përpiluar relacionin ku kundërshton, ndër të tjera, vendimin e Gjykatës së Tiranës se Kasa duhet të hetohet në masën e arrestit shtëpiak. Akuza kërkon burgosjen e këtij personi, pasi ekzistojnë dyshime se ai, në gjendje të lirë, mund të manipulojë provat e dosjes “21 janari”. Relacioni do t’i kalojë Apelit dhe pas disa ditësh do të caktohet fillimisht trupi gjykues e më pas data e seancës për vlerësimin e masës së sigurisë. Ndërkohë, në lidhje me pretendimin e Kasës se, është larguar nga godina e Kryeministrisë në orën 23:30 të datës 21 janar 2011, prokuroria pohon se nuk është e vërtetë, pasi ka prova se IT-ja ka qëndruar edhe pas mesnate, deri në orët e para të mëngjesit të datës 22 janar, ku dhe është bërë fshirja dhe formatimi i serverit të kamerave të sigurisë. “Kemi prova se i hetuari, Armando Kasa, ka qëndruar në godinën e Këshillit të Ministrave deri në orët e para të datës 22 janar”, - thanë burimet nga akuza kryeqytetase, duke pohuar se do të vijojnë hetimet për këtë çështje, pasi do të thirren në prokurori disa zyrtarë nga Këshilli i Ministrave për të saktësuar se kush ishte personi që kishte akses në këtë server. Megjithatë, duket se IT-ja, Kasa, ka rënë në “kurthin” e hetuesve të çështjes.
Një nga provat kryesore që të përdoret në Gjykatën e Apelit është ekspertimi i serverit të Kryeministrisë nga FBI-ja. Sipas akuzës, duket qartë se në këtë pajisje është ndërhyrë menjëherë pas ngjarjeve të datës 21 janar 2011, duke kopjuar të gjitha regjistrimet e kamerave të sigurisë. Këto regjistrime nuk i janë vënë në dispozicion organit të Prokurorisë, por përkundrazi, është informuar ky organ se nuk kishte regjistrime, pasi sistemi i kamerave nuk punonte që prej fundit të vitit 2009. Regjistrimet rezulton të jenë kopjuar dhe më pas fshirë, duke mbajtur të fshehtë përmbajtjen e tyre dhe aktualisht ende nuk janë vënë në dispozicion të hetimit. Sipas aktit të ekspertimit të kryer nga autoritetet amerikane të drejtësisë, rezulton se më 21 janar 2011 kanë qenë në gjendje pune 11 kamera gjithsej. Këto kamera, sipas aktit të ekspertimit, kanë qenë të vendosura për të kryer regjistrime në cilësinë më të lartë, dhe kjo provon se këto kamera kanë filmuar dhe pamjet e tyre janë regjistruar nga DVR-ja, e cila sipas aktit të ekspertimit, ka rezultuar në gjendje pune.
Armando Kasaj ishte thirrur në prokurori kohë më parë për të dhënë deklaratën e tij në lidhje me fshirjen e filmimeve nga serveri i Kryeministrisë. Në atë kohë ai kishte deklaruar se vetëm ai mund të ndërhynte në të dhënat e këtij rrjeti kompjuterik, pra edhe të fshijë apo të modifikojë gjithë bazën e materialeve elektronike që ndodhen në memorien e saj. Pas kësaj deklarate, ai vazhdonte të ishte person nën hetim, por siç duket nuk e kishte pritur asnjëherë se kjo dëshmi do ta “kryqëzonte”. Kur ai është njohur me masën e sigurisë, ka shprehur habi. Megjithatë, prokuroria e ka marrë sërish në pyetje, me qëllim për të konfirmuar deklaratën e parë. Madje, ai është pyetur nëse e kishte deklaruar diçka të tillë dhe në këto kushte ka dhënë përgjigje: “Vetëm unë e kisha fjalëkalimin dhe çdo të drejtë tjetër mbi këtë databazë të dhënash”, - tha Kasa. Ndërkohë, në gjykatë, nëpërmjet avokatit, pohoi se roli i tij ka qenë administrator i rrjetit kompjuterik të Kryeministrisë dhe kontrolli i faqes elektronike si dhe i mediave. “Roli i Armando Kasajt nuk ka qenë kopjimi i pamjeve. Sqaron se ka bërë kopjime të një kamere dhe është larguar nga godina e Këshillit të Ministrave në orën 23:30. Nuk ka bërë ndërhyrje e fshirje. Nga provat nuk është saktësuar se kush ka ndërhyrë në server. Duhet një tjetër ekspertim për të verifikuar nëse Kasa ka bërë ndërhyrje apo jo, pasi nga verifikimet paraprake rezulton se këto procedura, pra fshirjet e kopjimi i pamjeve, është kryer në orët e mëngjesit të datës 22 janar 2011, në një kohë që Kasa është larguar në orën 23:30 të datës 21 janar”, - tha avokati.
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.