Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

23 Shkurt 2012 Drejtor: Besnik Myftari,   Kryeredaktor: Aleksandër Çipa

“Prendi dhe Kume të arrestohen, ka prova për vrasje dhe dëshmi të rreme”

2012-01-27

Sokol Çobo (KERKO ...)

Prokuroria

Kërkesa në Gjykatën e Apelit: Provat, ekspertimi në FBI dhe dokumentet për pistoletën

Prokuroria thotë se nuk ka asnjë dyshim që Ndrea Prendi ka qëlluar njëmbëdhjetë herë në drejtim të turmës, me qëllim për të vrarë personat që ndodheshin në demonstratën e 21 janarit. Qitjet janë bërë nga pistoleta e tij “Beretta”. Si pasojë e të shtënave prej tij është vrarë shtetasi Faik Myrtaj dhe u është rrezikuar jeta shumë personave të tjerë që kanë qenë pranë viktimës, si dhe në atë pjesë të bulevardit që ndodhet midis portës së Kryeministrisë dhe ndërtesës së UNHCR-së. Prokuroria e Tiranës, ka paraqitur në Gjykatën e Apelit kërkesën për masën e sigurisë arrest me burg për Prendin, pasi ky person, duke përfituar nga detyra që mban, ka ndërruar tytën e pistoletës së tij me tytën e pistoletës së personit nën hetim, shtetasit Margarit Kume. Njëkohësisht, ai ka dëmtuar mekanikisht gjilpërën goditëse të pistoletës së tij, duke pasur si synim që nëpërmjet dëmtimit të bënte të pamundur që ekspertët të evidentonin se gëzhojat e gjetura në vendngjarje ishin qitur nga arma e tij. Gjithashtu, ai ka bërë dëshmi të rreme, pasi në deklarimet e mëparshme në prokurori do të pohonte se nuk kishte qëlluar më 21 janar, ndërsa  gjatë ekzekutimit të vendimit të masës së arrestit shtëpiak tha se kishte qëlluar në ajër. Prokuroria i ka parashtruar Gjykatës së Apelit gjashtë arsyet se përse ndaj Prendit duhet të vendoset masa e sigurisë arrest me burg.

1. Vendngjarja

Në vendin e ngjarjes u gjetën njëmbëdhjetë gëzhoja që ishin qitur nga pistoleta në përdorim të Ndrea Prendit. Kjo tregon se personi nën hetim ka qëlluar njëmbëdhjetë herë me armatimin e tij personal.

2. Ngjashmëria

Predha e gjetur në pemën dekorative, predha e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj si dhe tre predhat e gjetura në zyrat e UNHCR-së janë qitur nga tyta e ndodhur në pistoletën me nr. P52778Z, e cila është armatim personal i personit nën hetim, Margarit Kume.

3. Pistoleta e Kumes

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nuk u gjet ndonjë gëzhojë e qitur nga pistoleta e shtetasit Margarit Kume. Pra, ndodhemi përpara një absurdi, pasi kemi pesë predha që janë qitur nga tyta e një pistolete, ndërkohë që gjilpëra e saj nuk ka goditur asnjë fishek.

4. Shenjat dalluese

Është fare e qartë se mundësia e vetme është që tyta e ndodhur aktualisht në pistoletën e Margarit Kumes është realisht tyta që i përket pistoletës së shtetasit Ndrea Prendit. Është pikërisht kjo e fundit pistoleta që ka qitur fishekët nga kanë ardhur predhat e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj, pemën dekorative dhe predhat e gjetura në ndërtesën e UNCHR-së.

5. Qitjet drejt turmës

Vendet ku janë gjetur predhat, si dhe pozicioni ku ndodhej viktima Faik Myrtaj në momentin kur është qëlluar me armë zjarri, tregojnë se qitjet kanë qenë drejt turmës së njerëzve që ndodheshin në bulevard, në zonën midis portës së Kryeministrisë dhe ndërtesës së UNHCR-së.

6. Pronësia e armës

Prokuroria e Tiranës ka vijuar hetimet për saktësimin e pronësisë së armës “Beretta”. Nga marrja në pyetje e shefit të armatimit në Gardë dhe nga dokumenti i sekuestrimit të armatimit rezulton se vetë komandanti i Gardës ka firmosur pro sekuestrimit të pistoletës së tij.

Lart: C
Ulet: C

C

Nesër

Lart: 17°C Ulet: C

Pasnesër

Lart: 17°C Ulet: C
© 2006-2012 Gazeta SHQIP. All rights reserved.