Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Zgjedhje 2021

Intervista/ Gjiknuri i kthen përgjigje Metës për ftesën për debat: Ai po evokon '97-ën, por nuk i njeh vlonjatët

Intervista/ Gjiknuri i kthen përgjigje Metës për ftesën

Damian Gjiknuri në intervistën e dhënë për “Breaking” në Top News i është përgjigjur sulmeve të presidentit Ilir Meta, si dhe “sfidës” për një debat televiziv.

“Për sa i përket akuzave që ai bën, siç duket ka hallin e partisë së tij, por pa dashje bën pis të gjithë njerëzit e tij. Po ua mohon atyre edhe atë kontribut që ata mund të kenë bërë për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ata pak njerëz sepse unë e kam thënë që në Vlorë LSI nuk përfaqëson asgjë. Kanë filluar tani me akuza për tradhtar, jo vetëm nga LSI por edhe nga PD. Pra, sikur e gjithë opozita në Vlorë na qenka shitur e na qenka blerë dhe ka ardhur ky shpëtimtari nga Tirana për ti nxjerrë nga bataku ku kanë rënë”, tha Gjiknuri.

Pyetjes së gazetares Sidorela Gjoni për një debat televiziv, Gjiknuri u shpreh se ka vetëm një kusht për këtë përballje, që më parë ai të deklarojë zyrtarisht se është lideri i opozitës për Vlorën dhe jo presidenti i vendit.

Gazetarja: Faleminderit z.Gjiknuri që keni gjetur kohën për të qenë në “Breaking” sot.

D.Gjiknuri: Ju falenderoj dhe unë për këtë mundësi që më dhatë.

Gazetarja: Si shpjegohet që Presidenti Meta nuk shënjestron Kryeministrin Rama por emri juaj është ai që përmend më shpesh në daljet e tija publike?

D.Gjiknuri: Me çfarë duket, Presidenti Meta alias kryetari i LSI-së është kthyer më shumë si një lider politik i opozitës vendore këtu në Vlorë. Pra, është kthyer në një lider lokal të opozitës, sepse ka marrë përsipër të mbrojë të drejtat e PD dhe LSI. E ka hedhur tutje kostumin e Presidentit dhe po flet si një përfaqësues i opozitës në bazë, në Vlorë.

Unë kështu do ta lexoja. Përsa i përket akuzave që ai bën, siç duket ka hallin e partisë së tij por pa dashje bën pis të gjithë njerëzit e tij. Po ua mohon atyre edhe atë kontribut që ata mund të kenë bërë për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ata pak njerëz sepse unë e kam thënë që në Vlorë LSI nuk përfaqëson asgjë. Kanë filluar tani me akuza për tradhëtar, jo vetëm nga LSI por edhe nga PD. Pra, sikur e gjithë opozita në Vlorë na qenka shitur e na qenka blerë dhe ka ardhur ky shpëtimtari nga Tirana për ti nxjerrë nga bataku ku kanë rënë.

Tani çfarë të them unë? Populli është i mençur dhe i gjykon vet. Ne jemi në punën tonë se jemi në fushatë elektorale. Pyetja që shtrohet është çfarë do Presidenti këtu? Ai këtë duhet ta shpjegojë vet se çfarë do këtu dhe me çfarë roli vjen Presidenti në Vlorë akoma nuk e kemi të qartë.

Gazetarja: Në fakt për këtë doja të ju pyesja pasi në retorikën e tij përmenden shpesh fjalët shqiptarët të marrin shpatat dhe të votojnë në datën 25, do ti pres dorën kujtdo që kërcënon votën e shqiptarëve apo mbi të gjitha shprehja që bën më shumë përshtypje është kur thotë nuk kam frikë nga Damian Gjiknuri dhe as nga Rama. Për çfarë frike bëhet fjalë?

D.Gjiknuri: Mua më bën nder që më përmend gjithë ditën. Të të them të drejtën, unë jam me atë shprehjen e Çurçillit që mjafton të të shqiptojnë emrin korrekt, mua më bën reklamë pa para Ilir Meta. Në pikëpamjen e fushatës nuk më dëmton asgjë. Këto shpatat, thikat dhe Vlora bëja fora, se di po Ilir Meta më duket nuk e njeh mentalitetin vlonjat. Nuk ka as se si ta njohë në fakt sepse nuk e ka njohur kurrë. Ai mendon sikur vlonjatët janë një popull që mezi presin t'u vijë Ilir Meta e tu hedhë shkrepsen e janë si baruti që ndizet.

Ai do që të evokojë 1997, por ta dinë mirë se 1997 nuk përsëritet në Vlorë. Qytetarët vlonjat i kanë sytë nga zhvillimi, i kanë sytë nga paqja dhe qetësia. Vlora ka një popull të kulturuar, nuk është ajo Vlora që ai e mendon në kokë që janë njerëz që do të rrëmbejnë armët. Vlora është qyteti ku kanë ndodhur trasnformime shumë të mëdha këto vite. Vlora mezi pret që të rifillojë sezoni turistik dhe të përfundojë procesi zgjedhor në mënyrë shumë të qetë. Ne nuk kishim probleme në Vlorë por erdhi ky që shpik probleme.

Nuk ka patur asnjë shqetësim në Vlorë. Kur nuk flet opozita e Vlorës për shqetësime na vjen ky nga Tirana dhe na tregoka pse nuk keni gjetur ju shqetësime, erdha unë tua zbuloj. Nga kjo pikëpamje më shumë duken deklarata jo të përgjegjshme nga ana e tij. Më vjen keq sepse unë respektoj institucionin e Presidentit dhe nuk dua ta shoh Presidentin e shtetit tim që të katandiset në këtë pikë sa të instalohet si çadër në Vlorë, të marrë përsipër rolin e të gjithë opozitës dhe të lërë mënjanë rolet që e ka mandatuar Kushtetuta.

Ky që flet në mbrojtje të Kushtetutës, gjëja e parë që duhet të bënte është që duhet të ndante veten nga politika dhe jo të shpallte tradhëtar tek LSI apo tek Partia Demokratike në Vlorë. Pastaj nuk e kuptoj, çfarë pune ka ky sepse thotë jam President dhe LSI nuk është partia ime por e Monikës.

Pse ja qaka hallin ky kur nuk e ngre e zonja e punës? Pse u shqetësua ky që po ju shiska partia? Pra, e ka këtë parti ky? Le ta thotë publikisht që është pronari i partisë dhe ndaj po shqetësohet. I gjithë roli i këtij njeriu është i paqartë. Nga kjo pikëpamje mua më duket më shumë deklarata të çartura dhe më vjen keq. Unë jam njeri i përmbajtur, nuk kam ofenduar njeri, fushata jonë në Vlorë ka qenë shumë e qetë. Në fund të fundit jemi të gjithë vlonjatë.

Gazetarja: Këtu në “Breaking” është dalja juaj e parë në fakt përsa i përket kësaj përballjeje që zoti Meta ka patur me ju dhe duke e kthyer Vlorën në mollën e sherrit mes tij dhe PS. Që të mos mbetemi pas, një emër që ai përmend është edhe ai i Luan Ramës. Shumë aludojnë se ju keni bërë për vete Luan Ramën që rënditet i pari në listat e LSI. Meta nuk e ka mohuar diçka të tillë, madje mbrëmë në një televizion lokal të Vlorës ai ka refuzuar të mohojë faktin se ndoshta ju e keni bërë për vete Luan Ramën që mandatin që mund të fitojë me LSI ta bashkojë me ju..

D.Gjiknuri: Unë di që Lëvizja Socialiste për Integrim ka një kryetare dejuro që është zonja Monika Kryemadhi. Normalisht këto akuza duhet të vinin nga kryetarja e asaj partie. Nesër mund të më akuzojë se unë paskam blerë dhe Monika Kryemadhin sepse me çfarë pashë një deklaratë aluduese të tij, thoshte nuk do ta lë Monikën ta shesë LSI-në. Këto probleme të besnikërisë dhe të dilemave që kanë me njerëzit me të cilët bashkëpunojnë apo edhe brenda familjes duhet ti zgjidhin vet.

Më vjen keq që na përfshijnë ne të tjerëve të cilët jemi në punën tonë dhe po bëjmë fushatën tonë, siç e thashë, pa ofenduar njeri. Pretendimet e tij janë pse nuk ka akuza këtu dhe pse nuk sulmohen njerëzit me retorikën e dhunës, pse nuk përdoret retorika e sulmeve dhe ofendimeve. Nuk e kanë zakon vlonjatët dhe këtë ja them Ilir Metës. Unë se kam problem. Ne jemi një zonë që njihemi e jemi të lidhur me njëri-tjetrin, ne kemi familje të përziera, kemi njerëz që njohin njëri-tjetrin, kemi miqësi e shoqëri.

Jemi të ndarë politikisht ashtu sikurse e gjithë shoqëria shqiptare që është e përzier por ofendime personale ne nuk bëjmë. Ai që do ta fillojë i pari, natyrshëm që meriton përgjigje por ne fokusohemi tek politika, tek ajo që është bërë apo tek ajo që nuk është bërë. Le të ballafaqohemi dhe na gjykojnë qytetarët e Vlorës.

Unë prapë e them nuk kuptoj çfarë pune ka ky që vjen nga Tirana dhe u tregon vlonjatëve pse nuk bëni ju opozitë?! E kuptoni ku ka arritur puna?! Vjen Presidenti thotë nuk po bëjnë opozitë këta dhe duhet të vi unë se këta nuk sulmojnë e nuk shajnë. Unë e thashë, ky thjesht na bën nder, sidomos po të na sulmojë Presidenti në këtë rast që nuk ka lidhje fare me këtë qark. Pa patur asnjë lidhje vjen e na përmend emrin. Faleminderit shumë. Po më bën një shërbim shumë të mirë, po i qartëson qytetarët vlonjat në lidhje me diferencat tona të mëdha.

Po e nxjerr realisht atë që ne e themi se Ilir Meta është padroni i vërtetë i opozitës dhe ka hallin si do të sillet pas 25 Prillit kur ai ka deklaruar se do të japë dorëheqjen nëse fiton Edi Rama. Siç duket ai po e vë shishen i pari në rradhë për të marrë opozitën shqiptare. Po e bën këtë nga Vlora por unë i them se vlonjatët nuk të ndjekin pas, nuk e duan dhunën, nuk e duan retorikën tënde dhe nuk e duan vitin 1997. Nuk do të të ndjekin nga pas edhe nesër ndaj mendoj se ke zgjedhur vendin e gabuar dhe mesazhin e gabuar.

Gazetarja: Ndoshta gjatë kësaj periudhe edhe mund të jeni hasur me Luan Ramën, mund të keni patur edhe kontakt ndoshta pas këtyre akuzave, nuk e di nëse ka ndodhur apo jo. Ju vet si e shikoni, mos ndoshta ka një afrimitet të Luan Ramës që ndoshta pas datës 25 Prill të jetë më pranë PS se sa LSI dhe Kryemadhit?

Gjiknuri: Mua më vjen keq të spekuloj për të tjerët. Po mirë mo, po sikur unë të thoja ça Luan Rame unë kam blerë Monika Kryemadhin! Do më besonit ju? Ju duhet të flisni me të zotët e punës, ça është kjo që unë të jap përgjigje për se si e ndjen Luan Rama, çfarë plani ka Luan Rama apo çfarë plani ka Monika, kush do marrë LSI-në pas zgjedhjeve?! Këto janë historitë e tyre, unë nuk jam marrë me ta.

Unë jam marrë politikisht, kam thënë që LSI ku përfshihen të tërë edhe Luan Rama, nuk përfaqësojnë alternativë për Vlorën. Unë këtë kam thënë, nuk jam marrë personalisht me Luan Ramën. Unë atë e njoh siç njoh dhe të tjerët, njoh edhe Ilir Metën. Babai im ka qenë themelues i Partisë Socialiste me Presidentin e sotëm në këtë rast. Ne, në fund të fundit, në një familje politike kemi qenë.

Ai ka zgjedhur rrugën për tu larguar nga kjo parti, flet gjithmonë në emër të socialistëve por praktikisht ka hallin e demokratëve. Ta sqarojë vet ai identitetin e tij, unë e kam identitetin tim politik, jam tek partia që ka themeluar babai im me shumë shokë dhe shoqe. Unë vazhdoj punën time, se çfarë kanë bërë të tjerët që kanë ikur le ta gjejnë vet veten. Nuk më takon mua dhe nuk është etike që të përmend unë emrat dhe planet politike të të tjerëve.

Përkundrazi më vjen keq për atë dhe për forcën e tij politike sepse deri në këtë pikë që të akuzosh një njeri, të akuzosh zv.kryetarin e partisë tënde që ta ka blerë kundërshtari atëherë të ka vajtur puna në pikën e hallit. I bie që ti nuk beson as bashkëshorten tëndë që ndani shtëpinë dhe partinë. Ata simpatizantë të LSI qofshin që të mbështesin në këtë rrugë.

Gazetarja: Shpeshherë nuk kanë munguar edhe ftesat e Presidentit Ilir Meta që të ketë një takim me ju përpara gazetarëve dhe në Vlorë. Diçka që besoj është refuzuar nga ana juaj për aq kohë sa nuk ka ndodhur ende. Do kishit një mesazh për Metën pas gjithë këtyre akuzave që ka bërë ndaj jush?

Gjiknuri: Meqe qenkam unë kaq magjistar sa këdo që takokam e bëkam për vete, kam hall se po e takova Ilir Metën do të thonë e bleu edhe Ilir Metën. Kshu i bie logjika e tyre. Përsa i përket ftesave për debate, unë jam këtu për të komunikuar me qytetarët e Vlorës, unë bëj debate me idetë dhe opozitën e tyre, pra mendimet apo qasjet e ndryshme që janë për zhvillimin e Vlorës apo gjithë Shqipërisë.

Po e them zyrtarisht, nëse Presidenti deklarohet që ai është lideri i opozitës në Qarkun e Vlorës, por ta deklarojë në mënyrë publike dhe zyrtare, unë madje do shkel dhe rregullat e vendosura për tu përballur në debat me të. Në fund të fundit ne kemi zgjedhur një qasje për të komunikuar me njerëzit dhe jo për të bërë debate dhe zhurmë. Nëse ai e zgjedh këtë rol, kemi kohë për debat por duhet ta thotë publikisht “unë jam lideri i opozitës së bashkuar në Qarkun e Vlorës dhe nuk jam më President i Republikës së Shqipërisë”.

Atëherë do ta mendoj dhe do të shikoj pozicionin tim për të folur për punët e Vlorës apo edhe për ato tradhëtitë që ai pretendon.

Gazetarja: Pra ju në njëfarë mënyre i bëni ftesën Ilir Metës për përballje por vetëm nëse ai pranon të jetë kryetar i opozitës në Vlorë?

Gjiknuri: Të deklarojë jam lider i opozitës në Vlorë. Të thotë që në Vlorë jam jo në cilësinë e Presidentit të Republikës por jam për të drejtuar opozitën në Vlorë. Për një çështje që ai ngriti, që në dukje ishte i shqetësuar në lidhje me rrugën Peshkëpi-Selenicë, ne e ftuam që ai të ishte present në fillimin e punimeve aty. Ishte një problem që ai e bllokoi por e bllokoi edhe me justifikimin se ishte i shqetësuar pse nuk fillonte ajo rrugë. Nëse i respektonte qytetarët e Vlorës duhet të ishte aty bashkë me ne, i pa ndarë politikisht dhe për të thënë po jam i gëzuar që krahina e Selenicës do bëhet me rrugën e re që do lidhet me rrugën e mrekullueshme të Lumit të Vlorës të cilët kanë 100 vite që e presin.

Gazetarja: Ju z.Gjiknuri keni deklaruar se Ilir Meta vjen natën dhe takon personazhe që kanë qenë subjekt i OFL-së. Keni fakte për këtë, keni emra apo jeni në dijeni të diçkaje të tillë?

Gjiknuri: Unë kam informacion për shumë gjëra çka ndodhin në Vlorë. Megjithatë, nuk dua të përdor mediat për të ndarë informacione të tilla. Një gjë është e sigurtë, se të gjithë e dinë se çfarë bëhet në Vlorë, të gjithë e dinë kë takon Presidenti dhe çfarë synimesh ka. Një gjë dua ta them që ai nuk përfaqëson më Presidencën. Është përfshirë thellë në politikë. Më vjen keq sepse nuk do të arrijë asnjë rezultat por përkundrazi, do të cënojë rëndë figurën e tij.

Prapë e them, nuk më vjen mirë sepse e respektoj institucionin e Presidencës së shtetit tim. Ky është qëndrimi im dhe unë do të sillem si gjithë vlonjatët e tjerë, për Vlorën do të vazhdojmë të punojmë, do të bëjmë fushatën tonë të qetë. Ata që vinë dhe na ndosin fushatën do të ikin siç kanë ikur gjithmonë.

Gazetarja: A jeni penduar ju socialistët që nuk e shkarkuat Metën kur ngritet një grup hetimor në Parlament për të?

Gjiknuri: Nuk dua ti hyj tani historisë se a bëmë mirë që u zgjodh Ilir Meta President. Këto janë përgjigje që i ka dhënë lidershipi i Partisë Socialiste se mbase në atë moment ne nuk i kishim votat për të zgjedhur një President tjetër. Ishim pjesë e një aleance të përbashkët. Ilir Meta u zgjodh President, e bëri si e bëri punën e tij.

Tani ai nën mantelin e pushtetit të Presidentit, e ka përdorur institucionin vetëm në funksion të qëllimeve të forcës së tij politike dhe aspak për të ruajtur ekuilibrat dhe për të mbrojtur Kushtetutën mbi të cilën flet gjithë ditën. Me sa duket Presidenca është kthyer në një zgjatim gri i LSI-së, është kthyer në një shërbim informativ i kësaj partie meqe merren dhe me skenare shitblerjesh në LSI apo skema për marrje lidershipi të LSI nga ana e PS. E fundit fare, që është kthyer në një kjoskë universiteti alla Kristal që printon diploma, teneqera apo material tjera plastike që shpërndan dekorata në funksion të zgjedhjeve.

Ka zhvlerësuar edhe titujt pasi ato kanë vlerë kur bëhen me pakicë dhe jo me shumicë. Kur bëhen me shumicë, titujt dhe dekoratat kthehen në një mall të rëndomtë si stemat që jepeshin dikur për të inkurajuar traktoristët në koperativa.

Gazetarja: Pse nuk i dorëzoni në SPAK informacionet që keni dhe a është kjo frika të cilës i druhet Meta?

Gjiknuri: Unë nuk merrem me depozitime dhe as kallëzime. Unë kam informacion, nuk kam fakte. Fakti është tjetër, është të kesh një provë konkrete. Informacione kam, jam i bindur që organet do të bëjnë punën e tyre. Ne si parti natyrshëm do të monitorojmë çdo lëvizje, informacionet do ti mbledhim dhe sidomos për ndonjë tentativë korruptimi për votën. Në momentin kur ske vota në popull dhe je i dëshpëruar do mundohesh të blesh vota me para, siç e ka bërë gjithmonë sepse LSI-ja është e shquar për atë, është institucion i ngritur si parti në atë drejtim.

Referojuni dhe rasteve të kapura. Dëgjoj të përmendet Shijaku, u hapën kutitë e Shijakut nga Prokuroria dhe doli që e vetmja parti që kishte përfituar nga votat e hedhura ishte LSI e cila kishte shtuar rezultatet në qendrat ku akuzohej për manipulim. Do të thotë që këta mjeshtrat e kishin kryer atë mission dhe përgjithësisht janë parti që kanë gjalluar në mënyrë të tillë, o me vende pune, ose me blerje votash. Kështu që populli e di shumë mirë këtë. Nuk e di pse duan tia vënë tjetrit një zakon që e kanë vet.

Megjithatë, unë personalisht e refuzoj retorikën e dhunës, vij nga një kulturë e tillë që e refuzoj sharjen. Mbase dikujt mund t'i duket dobësi por unë mendoj se populli i Vlorës dhe populli shqiptar në tërësi janë lodhur nga retorika e sharjes dhe dhunës. Shqiptarët duan qetësi dhe zhvillim dhe unë jam për të përçuar këtë mesazh ndaj e filloj nga vetja dhe jua them dhe të tjerëve.

Lereni atë në dëshpërimin e tij, fokusohemi tek punët e mira të nisura, fokusohemi tek e ardhmja jonë, e cila ka sfidat e saj por jam i bindur se shqiptarët janë maturuar mjaftueshëm për të parë të ardhmen dhe jo për politikanët e së shkuarës.

Gazetarja: Sa është përcjellë tek qytetarët në Vlorë kjo përplasje e Presidentit Meta me Partinë Socialiste?

Gjiknuri: Qytetarët e Vlorës qeshin me këto histori. Kthehen në barcaleta dhe anektoda. Çdokush mund ta kuptojë atë kur thotë erdha unë dhe zbulova një komplot. Po mirë mo, po këta opozitarët këtu pse nuk nxorën ndonjë komplot të tillë? Pse nuk u shqetësokam këta për fushatën por vika ky nga Tirana dhe paska zbuluar krime të mëdha zgjedhore.

Pra të gjithë këtu në këtë vend të vogël si Vlora, erdhi ky miku dhe e zbuloi. Ndaj bëhet qesharake. Nga pikëpamja politike mua vetëm mirë më bën sepse i jep stimul fushatës. Këtu ai po luan për pas zgjedhjeve, pra qan hallet e opozitës. Informova Bujar Leskajn thotë dhe Petrit Vasilin për shitjet e partisë së tyre. Se di si i shikoni ju këto deklarata por vlonjatët që shquhen për humor do bëjnë shumë histori me këto e do qeshin pas zgjedhjeve. Përtej mërzise së momentin që ka ai, kujtoj ftesën që ja kam bërë Presidentit, e ftoj me kënaqësi tek ish-miku i tij Çim Selami në Kuzumbaba. Do qeshim me këto histori komplotesh dhe besoj dhe vet ai do ta ketë kuptuar se personi më shumë për tu qeshur do jetë ai vet nëse i ka ngrënë këto histori apo i ka sajuar vet.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore