Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Sport

"Të pafsha tek Juventus", Rama urim të veçantë Igli Tares në ditën speciale të tij

"Të pafsha tek Juventus", Rama urim të veçantë

“Edhe 100”, kështu e nis Edi Rama postimin e tij për një personalitet si Igli Tare (feston ditëlindjen e 47-të), sot drejtor sportiv i Lazio në Itali dhe dikur pjesë e kombëtares si futbollist dhe golashënues në Serie A. Kryeministri Rama shpesh herë këtë sezon futbollistik nuk është ndjerë mirë dhe shkak ka qenë pikërisht vlonjati, i cili ka merita në ndërtimin e një Lazio rivale edhe për Juventusin që kreu i qeverisë e mbështet herë pas here edhe në stadium.

“IGLI TARE është padyshim shqiptari më i suksesshëm në skenën e futbollit europian. Më kujtohet shumë vite më parë silueta e tij, kur ne të Dinamos dilnim për vrap në ish-fushën e Aviacionit, ku bashkë me të vëllain Auronin, dy kalamajtë kolosë e ‘kokëlakër’ i nënshtroheshin stërvitjeve të pamëshirshme të të atit, mjeshtrit të sportit e dikur kolosit kampion të hedhjes së diskut, Isa Tare.

Ai u kishte imponuar djemve një regjim stërvitjesh, që do ta kishin zili edhe marinsat amerikanë. Auroni arriti në skuadrën e parë të të kuqve të pathyeshëm që nën udhëheqjen Gaz Çaçit, vendosën diktaturën në parketin e basketbollit shqiptar për vite me radhë, ndërsa Igli pasi veshi fanellën e shpresave kuqezi, mori arratinë drejt Bundesligës, ku arriti të bënte emrin e tij, për t’u zhvendosur më pas në Serie A tek skuadra e Lazios”, shton Rama në postimin e tij.

“Presidentit Lotito i ra bixha me kolosin shqiptar, që jashtë fushës së blertë spikaste me stofin e liderit dhe i besoi as më shumë e as më pak, po çelësin e zyrës së drejtorit teknik të armiqve të Romës. Nën drejtimin e Igli Tares, Lazio u kthye në një armatë mbresëlënëse, që ka një bilanc të pabesueshëm mes shpenzimeve shumë më të ulëta se sa klubet elitare të Serisë A dhe vendit që ka zënë në klubin e të mëdhenjve të futbollit italian.

Sot Igli është aseti më i kushtueshëm i Lazios dhe në ditën e tij të lindjes, i uroj të ketë edhe 100 vjet shëndet e sukses, duke uruar njëkohësisht që një ditë ta shoh në krye të Juventusit (jo të Milanit siç kam frikë se do ndodhë”, mbyll urimin e tij kryeministri Rama.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore