Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Sport

Raikkonen mposht koronavirusin, gati rikthimi në pistë

Raikkonen mposht koronavirusin, gati rikthimi në pistë

Kimi Raikkonen gati për t’u kthyer në pistë. Veterani finlandez mposhti virusin Covid – 19 dhe tashmë është i gatshëm për të garuar përsëri. Piloti më i madh në moshë nga pjesëmarrësit e botërorit të Formulës 1 tani është në dispozicion të skuadrës zvicerane Alfa Romeo Racing për etapën e radhës, që do të mbahet fundjavën përmbyllëse të këtij muaji në Rusi.

Piloti skandinav do të festojë 42-vjetorin pas pesë javësh dhe kampioni i botës i vitit 2007 me Skuadrën Ferrari ka deklaruar prej kohësh se ky do të jetë sezoni i fundit për të në Formula 1. Fitoren e fundit në këtë kampionat Raikkonen e ka regjistruar në vitin 2018, kur drejtonte një Ferrari dhe ishte shok skuadre me pilotin gjerman Sebastian Vettel te ekipi nga Maranello.

Me triumfin në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara 37 muaj më parë në pistën teksane në Austin, në moshën 39-vjecare piloti finlandez u bë piloti më i madh në moshë që fiton një garë në Formula 1 në afërsisht çerek shekulli, më saktë që nga viti i largët 1994, kur britaniku Nigel Mansell fitoi garën përmbyllëse të sezonit në Çmimin e Madh të Australisë me Williams – Renault. Pasi u largua nga Ferrari Kimi Raikkonen firmosi një kontratë 3-vjecare në vitin 2018 me skuadrën helvete, kështu që ekipi zviceran Alfa Romeo Racing Orlen, që garon me motor Ferrari do të jetë i fundit për veteranin skandinav në këtë aktivitet.

41-vjecari u infektua dhe për shkak të pandemisë së koronavirusit piloti finlandez humbi Çmimet e Mëdha në Holandë dhe Itali, që u zhvilluan në datat 5 dhe 12 shtator në Zandvoort dhe Monza. Në profilin e tij në Instagram Raikkonen postoi ditën e hënë një mesazh ku shpjegoi se ndihet shumë mirë dhe veterani nga Espoo iu premtoi fansave të këtij sporti gjithashtu se do ta shohin në pistë që në garën e ardhshme. Aktualisht Raikkonen pozicionohet në vendin e 17 në klasifikimin e përgjithshëm të pilotëve, me thjeshtë 2 pikë, falë vendeve të dhjeta që ka siguruar në Francë dhe Hungari, ndërsa shoku i tij i ekipit italiani Antonio Giovinazzi krenohet me pikën e marrë në Principatë, në Cmimin e Madh të Montecarlos.

Në Holandë dhe Itali, Raikkonen u zëvendësua nga piloti rezervë i skuadrës, veterani polak Robert Kubica, që i mbylli këto gara respektivisht në vendet 15 dhe 14. Çmimi i Madh i Rusisë do të zhvillohet nga 24 shtatori deri më datën 26 buzë Detit të Zi, në Sochi, në një itinerar që shtrihet përgjatë Parkut Olimpik, që u ndërtua enkas për Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2014, sidoqoftë kontrata me qytetin në veri të Kaukazit është e vlefshme edhe për sezonin e ardhshëm, sepse nga viti 2023 e tutje njëvendëshet e Formulës 1 do të zhvendosen në veri të St. Petersburg-ut, në pistën e re Igora Drive.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore