Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Zgjedhjet/ Rritet tensioni për një përplasje të dhunshme, ministri: Duan trazira në Mal të Zi

Zgjedhjet/ Rritet tensioni për një përplasje të dhunshme,

Mali i Zi zhvillon sot zgjedhjet më delikate që pas referendumit të pavarësisë në vitin 2006.

Kjo për arsye se duhet të testohet stabiliteti i një anëtari të NATO-s tashmë, ndërkohë që Rusia ka investuar shumë për të rrëzuar jo thjesht qeverisjen aktuale, por për të prishur ekuilibrat politikë e fetarë në vend.

Katër vjet më parë, pikërisht në vitin 2016, Mali i Zi, në një ditë si e sotme ka përjetuar një tentativë për pucc të armatosur, ku shërbimet sekrete perëndimore zbuluan gjithçka, e në krye të komplotit ishin eksponentë të shërbimit ushtarak rus GRU.

Edhe sot tensioni është shumë i lartë në Mal të Zi, aq shumë sa ministri i Brendshëm i vendit, Mevludin Nuhoxhiç, ka lëshuar alarmin se ka tentative për prishje të rendit me dhunë në Mal të Zi.

Ndërkohë nga të dy palët, si nga Gjukanoviçi ashtu edhe nga kundërshtarët e tij ka një polarizim të lartë. Sputnik, organi propagandistik i Kremlinit i ka dedikuar radion, televizionin dhe median online zhvillimeve në Mal të Zi, në një investim të madh me njerëz e teknikë moderne. Në këto media sulmohet ashpër Gjukanoviç, duke u sjellë në publik si “mik i shqiptarëve”.

Në një shkrim të gjatë, i cili u zbardh nga një emision që u transmetua dhe në radio e televizion, Sputnik vendosi pikëpyetjen: “Manastiri i Ostrogut apo Shtëpia e Verdhë”?. Manastiri i Ostrogut është objekti i kultit më i rëndësishëm i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, kurse Shtëpia e Verdhë, akuza serbe ndaj UÇK-së për trafikim organesh.

Në këtë speciale Sputnik, pasi përmend mbështetjen e Edi Ramës, thekson se shqiptarët kanë sjellë një numër të madh nga diaspora për të votuar, duke rritur listat më shumë se numri natyral i popullsisë.

Zgjedhjet/ Rritet tensioni për një përplasje të dhunshme,

Kjo nuk është aspak një anormalitet; pasi këtë herë ndryshe nga zgjedhjet e tjera kanë ardhur mjaft pjesëtarë të diasporës shqiptare për të votuar për Listën Shqiptare.

Sputnik thekson se në Ulqin, Plavë e Guçi ka një numër më të madh zgjedhësish, duke përmendur të ardhurit nga emigrimi, që në fakt vijnë çdo verë në familjet e tyre. I gjithë ky tension qëndron në këto nivele, pasi situata është e prerë me thikë, ka një polarizim të madh që u vu re edhe në referendumin e pavarësisë në 2006-n.

Ai referendum u fitua me më shumë se 2 mijë vota sipër kufirit prej 56%, të cilin BE-ja caktoi për të quajtur të “kryer” vullnetin për ndarje nga Serbia.

Forcat e opozitës malazeze, që janë përkatësisht filoserbe- e filoruse akuzuan Gjukanoviçin në atë kohë se ka rritur listat e zgjedhësve me 20 mijë vetë që sollën diferencën e fitores. Realisht këto janë thjeshtë emigrantë shqiptar që vijnë për të votuar, pasi këtë të drejtë ata e kanë të garantuar. Mali i Zi, ashtu edhe Shqipëria nuk garanton votën e emograntëve nga vendet ku jetojnë, si pasojë e mos dhënies së konsensusit nga opozita.

Në referendumin për pavarësi, Mali i Zi kishte të regjistruar 484,718 votues e sot janë të regjistruar më shumë: 532,599 zgjedhës. Pikërisht ky numër relativisht i vogë; bën që çdo votë të ketë rëndësi dhe tensioni rritet.

Serbët kanë polarizuar dhe galvanizuar të gjithë popullatën me etni serbe nëpërmjet Kishës Ortodokse Serbe, e cila është një lojtar shumë i fortë kundër Gjukanoviçit. Serbët e deklaruar me kombësi zyrtatrisht përbëjnë 32% të popullsisë, ndërkohë një pjesë e madhe të atyre që quhen “filoserbë” janë ata banorë të lidhur ekonomikisht dhe në spekte sociale me Beogradit, pasi ose jetojnë në Serbi, punojnë etj.

Me një fjalë janë pjesë e një lidhje të vjetër që e ka rrënjën tek bashkëjetesa që kanë pasur gjatë me shtetin serb në gati 100 vjet, me një ndërprerje të vogël gjatë Luftës së II Botërore, kur italianët, si dhe në Shqipëri, krijuan një shtet malalazez, ku e ndanë nga Serbia.

Edhe Gjukanoviç, i cili logjikisht, që me një qëndrim prej 23 vitesh në pushtet është konsumuar, po e polarizon situatën për të lëshuar “rrezikun serb”, duke tentuar që të votojnë sa më shumë pro tij boshnjakët dhe muslimanët që janë 70 mijë, shqiptarët 20 mijë, kroatët 6 mijë etj.

Numri më i vogël i shqiptarëve është pasi një pjesë prej tyre sidomos banorë të Plavës e Gucisë e kanë regjistruar veten si “muslimanë” nga koha e pastrimit etnik serb.

Zgjedhjet/ Rritet tensioni për një përplasje të dhunshme,

Ashtu si edhe gjatë referendumit për pavarësi, Gjukanoviç ka në krye të ministrisë së Brendshme, pra që të sigurojë rendin, një boshnjak-musliman. Mevludin Nuhoxhiç, është një politikan nga Bjello Polja, që është pjesë e krahinës së Sanxhakut dhe e banuar me shumicë nga boshnjakët.

Në  vitin 2006, në krye të ministrisë së Brendshme ishte Jusuf Kalamperoviç nga Tivari, qytet që e kishte drejtuar si kryebashkiak, i cili kishte edhe rrënjë shqiptare.

Ministri aktual  i punëve të Brendshme, Nuhoxhiç, ka bërë të ditur në një deklaratë dramatike se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj atyre që duan të prishin zgjedhjet.

“Kërcënimet - nga cilado adresë nga vijnë - nuk do të kalojnë. Ashtu siç nuk mund të kalojë propaganda se shteti do të shkaktojë një grusht shteti dhe incidente. Por kjo është arsyeja pse institucionet janë të gatshme të mbrojnë shtetin e të gjithë qytetarëve të tij. Ne do të bëjmë gjithçka për t'i mbajtur zgjedhjet në një atmosferë demokratike, pa incidente, siç i ka hije Malit të Zi, i cili është pjesë e familjes më të fortë euro-atlantike të vendeve të lira dhe të bashkuara në botë”, deklaroi ministri i Brendshëm, duke nënvizuar jo më kot qënësinë si “pjesë e vendeve të lira Perëndimore”.

Kundërshtarët politikë, bënë të ditur dje në Sputnik se është “Perëndimi që po mbron një despot si Gjukanoviç”. Beogradi zyrtar nuk ka ndërhyrë në fakt asnjëherë në këtë lojë, por ka një mekanizëm tjetër shumë më të fortë se pushteti politik në Serbi që ndikon dhe është natyrisht Kisha Ortodokse Serbe, e ndihmuar shumë edhe financiarisht e politikisht nga Moska. E nisur nga të gjitha këto zhvillime, mund të thuash që beteja elektorale në Mal të Zi edhe sot është ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore