Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Zbardhet vendimi i plotë/ Pse u konsiderua i drejtë procesi i Vettingut ndaj Altina Xhoxhajt

Zbardhet vendimi i plotë/ Pse u konsiderua i drejtë procesi i

Gjykata e Strasburgut dha sot vendimin e parë mbi procesin e Vettingut në Shqipëri. Ai lidhet pikërisht mbi ankimin e ish-anëtares së Gjykates Kushtetuese, Altina Xhoxhaj.

Gazeta Shqip ka siguruar vendimin mbi Xhoxhaj, ku gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut e ka cilësuar si të drejtë procesin e ndjekur nga dy shkallët e Vettingut të KPK-së dhe KPA-së ndaj ish-gjyqtares Xhoxhaj.

Ndërsa anëtarët e Strasburgut kanë marrë vendimin me shumicë votash. “Gjykata me shumicë votash (6 kundër 1) se nuk kishte shkelje të nenit 6/ 1 (e drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut përsa i përket pretendimit për mungesë të pavarësisë dhe paanshmërisë të organeve të vetingut, me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6/ 1 përsa i përket pretendimit për parregullsi të procedurave, me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6/1 përsa i përket pretendimit për mosmbajtjen e një seance publike përpara Kolegjit të Apelimit, me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6/1 përsa i përket pretendimit për shkelje të parimit të sigurisë juridike, dhe me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare)”, thuhet në vendimin e marrë.

Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte shkelje të nenit 6/1, pasi organet e vetingut kishin qenë të pavarura dhe të paanshme, procedurat kishin qenë të rregullta, shqyrtimi i ankimit të kërkueses në seancë publike nga Kolegji i Apelimit nuk kishte qenë i domosdoshëm dhe nuk ishte shkelur parimi i sigurisë juridike.

Për më tepër, Gjykata konstatoi se nuk kishte shkelje të nenit 8, pasi shkarkimi nga detyra kishte qenë proporcional dhe ndalimi i përhershëm ligjor për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore kishte qenë në përputhje me garantimin e integritetit të detyrës së magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Gjykata shqyrtoi shkarkimin nga detyra të një gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese në vijim të procedurave të filluara ndaj saj, si pjesë e një procesi të jashtëzakonshëm për rivlerësimin e përshtatshmërisë në detyrë të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, i njohur ndryshe si procesi i vetingut. Çështja e kërkueses u shqyrtua nga organet e vetingut, dhe Kolegji i Apelimit, pasi e mori çështjen në shqyrtim në dhomë këshillimi, la në fuqi shkarkimin e saj nga detyra.

Pjesë nga vendimi

Gjykata theksoi se afatet e parashkrimit janë të rëndësishme për respektimin e sigurisë juridike. Megjithatë, Gjykata shtoi se kontrolli i pasurive, duke qenë një masë në luftën kundër korrupsionit, paraqiste tipare të veçanta, pasi pasuritë normalisht akumulohen gjatë gjithë jetës dhe autoritetet e brendshme kishin detyrimin të vlerësonin ligjshmërinë e të gjitha pasurive të fituara nga subjektet e vlerësimit.

Gjykata vuri re se përfundimet e pafavorshme ndaj kërkueses kishin të bënin me deklarimet që ajo kishte bërë në deklaratën e pasurisë të vetingut dhe në deklaratat e pasurisë të viteve të mëparshme. Fakti që kërkuesja ishte vendosur në një pozicion disi të vështirë për të justifikuar ligjshmërinë e burimeve fillestare financiare, të cilat kishin shërbyer si bazë për blerjen e apartamentit prej 101 m2 , ishte shkaktuar pjesërisht nga mosdeklarimi i asaj pasurie nga kërkuesja në kohën kur ajo e kishte blerë atë pasuri.

Zbardhet vendimi i plotë/ Pse u konsiderua i drejtë procesi i

Përveç kësaj, kërkuesja nuk kishte dorëzuar asnjë provë që të justifikonte ekzistencën e një pamundësie objektive për të justifikuar ligjshmërinë e burimeve financiare, e cila ishte një rrethanë lehtësuese e parashikuar në Ligjin e Vetingut. Për më tepër, fakti që barra e provës i kishte kaluar kërkueses pas gjetjeve paraprake në procedurat e vetingut nuk ishte në vetvete arbitrare.

Si rrjedhojë, Gjykata vendosi se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 në lidhje me pretendimin e shkeljes të parimit të sigurisë juridike.

Përsa i përket vlerësimit të aftësive profesionale, Gjykata vlerësoi se, duke u bazuar në rrethanat e çështjes aktuale, organet e vetingut nuk kishin dhënë arsye të mjaftueshme për të justifikuar përfundimin se ishte cenuar besimi i publikut në sistemin gjyqësor për shkak të mostërheqjes së kërkueses nga gjykimi kushtetues.

Për më tepër, Gjykata theksoi se, për një vend të vogël si Shqipëria, nuk mund të kërkohej tërheqja automatike e një gjyqtari i cili kishte lidhje gjaku me një gjyqtar tjetër që kishte marrë pjesë në një gjykim tjetër në lidhje me një ose të gjitha palët e procesit. Pavarësisht këtij përfundimi, Gjykata çmoi se përfundimet e nxjerra në lidhje me vlerësimin e pasurive ishin mjaftueshmërisht të rënda sipas të drejtës së brendshme sa të justifikonin shkarkimin nga detyra të kërkueses.

Duke iu referuar përfundimeve të organeve të brendshme, Gjykata vlerësoi se shkarkimi nga detyra i kërkueses kishte qenë proporcional. Ekzistenca e një game të kufizuar të masave disiplinore në Ligjin e Vetingut ishte në pajtueshmëri me frymën e procedurave të vetingut, të cilat, duke qenë një proces unik, kishin si qëllim të pastronin sistemin e drejtësisë nga elementët e korruptuar dhe të ruanin pjesën e shëndetshme të tij.

Për më tepër, ajo çmoi se ndalimi i përhershëm për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda etike, i cili ishte vendosur nëpërmjet një ligji tjetër dhe gjente zbatim edhe ndaj kërkueses dhe personave të tjerë të shkarkuar nga detyra, kishte qenë i pajtueshëm me garantimin e integritetit të detyrës të magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë. Ky ndalim ishte akoma më i justifikuar për shkak të kontekstit kombëtar të një shteti të së drejtës në konsolidim e sipër. Si rrjedhojë, nuk kishte patur shkelje të nenit 8 të Konventës.

çfarë kërkoi Xhoxhaj, 5 pyetjet e Strasburgut

Pyetja 1:

A u zbatua neni 6 pika 1 e Konventës, e zbatueshme në të tilla raste? Nëse po, a i përdori ankuesi të gjitha mjetet juridike të vendit në lidhje me pretendimet e saj të parashikuara në nenin 6 të Konventës?

Pyetja 2:

A) A pati ankuesi një seancë gjyqësore të drejtë, në përputhje me kërkesat e nenit 6, pika 1 të Konventës? Në veçanti: A mund të konsiderohet KPK një “gjykatë e krijuar me ligj”, sipas parashikimeve të nenit 6 pika 1 të Koneventës? A i përmbushi KPK kërkesat për paanshmëri, duke marrë parasysh se e njata trupë gjykuese kreu edhe hetimin edhe vendosi për përjashtimin nga ssitemi gjyqësor (rast i ngjashëm Kamenos kundër Qipros, tetor 2017)

B) A ishte KPA e paanshme dhe e pavarur, sipas parashikimeve të nenit 6 pika 1 e Konventës?

C) A janë paashikimet e ligjit numër 84/2016 të mjaftueshmërisht të qarta dhe të aksesueshme, duke i siguruar ankuesi mbrojtjen e të drejtave të parashikuara në Konventë gjatë procedurave para organeve të rivlerësimit kalimtar? Në veçanti, si e ka interpretuar dhe zbatuar KPK aspektet e rëndësishme të ligjeve:

 – konceptimin e ‘ligjit mbi të ardhurat’ (neni 3(19) i këtij ligjit), në lidhje me të ardhurat nga një burim i huaj, dhe “asetet e ligjshme” (neni 61(1) i ligjit);

 – kushtet për zhvendosjen e barrës së provës mbi subjektet e vlerësimit të ri, duke përfshirë edhe kushtin që “provat kanë arritur [nivelin] e provueshmërisë”, (neni 52 (1) e ligjit) si dhe vlerësimin e fakteve dhe rrethanave të ndodhura në vitet përpara hetimit;

 – standardet e “zbulimit të aseteve të pamjaftueshme” (neni 61 (3) i Ligjit) dhe “dëmtimi i besimit të publikut në sistemin e drejtësisë” (neni 61 (5) i Ligjit) si arsye për largimin nga gjykatëse;

 – metodologjia e përdorur për të vlerësuar shpenzimet e jetesës të personin të hetuar dhe familjarëve të tyre?

Qeveria është e ftuar të japë ekstraktet e vendimeve të trupave të rivlerësimit për të qartësuar më shumë çështjet e mëposhtme:

 – A ishin shkeljet disiplinore apo shkeljet e tjera që dhanë bazën për largimin e ankueses nga gjyqtare, subjkt i kufizimeve statuore (shih çështjen Oleksandr Volkov kundër Ukrainës, nr. 21722/11, §§ 137-140, KEDNJ 2013)?

 – A ishte refuzimi i kërkesës së ankuesit për dëgjesë publike dhe për paraqitjen e provave shtesë përpara KPA-së shkelje e të drejtës së saj për një proces të rregullt gjyqësor në zbatim të nenit 6 § 1 të Konventës, të shqyrtuar së bashku me pyetjen nën paragrafi 2 (a) më lart (shih Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë [GC], nr. 55391/13 dhe 2 të tjerë, 6 nëntor 2018)?

Pyetja 3:

 – A i ka përdorur ankuesi të gjitha mjetet ligjore të vendit për tu ankuar në zbatim të nenit 8, përfshirë edhe ndalimin e ushtrimit të profesionit privat të avokatit? A ka pasur ndërhyrje në të drejtën e ankuesit për respektimin e jetës private të saj, sipas nenit 8 të Konventës, për shkak të largimit të saj nga detyra si gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese (shih: Olleksandr Volkov kundër Ukrainës, nr. 21722 / 11, §§ 165-167, KEDNJ 2013 dhe Denisov kundër Ukrainës [GC], nr. 76639/11, 25 shtator 2018)?

Pyetja 4:

 – A ishte ndërhyrja në të drejtën e ankuesit për respektimin e jetës private të përcaktuar me ligj dhe të domosdoshme në një shoqëri demokratike, në parashikimet e nenit 8 § 2 (shih Oleksandr Volkov kundër Ukrainës, nr. 21722/11, KEDNJ 2013 dhe Denisov kundër Ukrainës [GC], nr. 76639/11, 25 shtator 2018)? Veçanërisht:

 – A ishte dënimi me heqje nga detyra në proporcion me rëndësinë e shkeljeve disiplinore apo të shkejljeve të tjera mbi të cilat u bazua vendimi?

 – A mundet ligji nr. 55/2018 ligj nr. 55/2018 për ‘Profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë’, duke qenë se ankuesi është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, ta pengojë të kryejë punën e avokatit? Nëse po për sa kohë?

Pyetja 5:

 – A ka pasur në dispozicion ankuesi një mjet ligjor efektiv vendas për ankesat e parashikuara në nenit 8, sikurse parashikohet në nenin 13 të Konventës?

Dokumenta bashkëngjitur

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore