Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Zbardhet dosja/ Tetë faturat e kompanisë amerikane, si mashtruan biznesmenët për puset e naftës

Zbardhet dosja/ Tetë faturat e kompanisë amerikane, si mashtruan

Pas  më shumë se 3 vitesh hetime, Prokuroria e Tiranës ka mundur të zbulojë  skemën  e mashtrimit që punonjës të  Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore përmes falsifikimit të dokumenteve i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit  rreth 1.5 milion dollarë amerikanë. 

Sipas dosjes së siguruar nga Gazeta “Shqip”, rezulton se  hetuesit kanë bashkëpunuar me autoritetet amerikane ku  ka rezultuar se kompania Feniks Petrolium kishte nënshkruar një para kontratë me kompaninë, Black Sëan Energy Services (BSES) për të bërë tetë vlerësime për puse nafte dhe plane biznesi, por pa konkretizuar asgjë. Ekspertët kanë zbuluar se nga kjo parakontratë rezulton të jetë falsifikuar edhe firma e përfaqësueses së kompanisë amerikane duke e  kopjuar më pas në 8 faturat që iu paraqitën AKBN-së për shërbimet e kryera që në të vërtetë nuk janë realizuar asnjëherë. 

Hetimet kanë nisur pas kallëzimit në prokurori të administratorit të shoqqrisë Albpetrol, në lidhje me 8 fatura të dyshuara sit ë falsifikuara.

Kallëzimi për faturat

Shtetasi Endri Puka, administrator i shoqërisë “Albpetrol”sh.a. ka paraqitur një kallëzim penal ndaj shoqërisë ““Phoenix Petroleum”sh.a.”sh.a. (identifikuar me NIPT K92927401K) dhe shtetasve Naim Kasa (administrator i kësaj shoqërie) dhe Isuf Berberi (aksioner i shoqërisë në fjalë). Ky shtetas ka sqaruar në kallëzim se, nga raporti i auditimit të deklaratave të llogarisë “Kosto” të realizuara në zbatim të Marrëveshjeve Hidrokarbure të lidhura me shoqërinë “Phoenix Petroleum”sh.a., kanë lindur dyshime në lidhje me disa deklarata (Fatura) për shërbime që ajo i ka pasqyruar si të përfituara.

Në këtë mënyrë dyshohet se kjo shoqëri ka rënduar llogarinë “Kosto” duke dëmtuar interesat e kompanisë “Albpetrol”sh.a. si dhe interesat e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) në një shumë prej 1,299,000.00 USD. Në këto fatura pasqyrohen shërbime të kryera për interes të shoqërisë ““Phoenix Petroleum”sh.a. nga shoqëria “Black Swan Energy Services” (BSES).

Nga komunikimi që shtetasi Endri Peza ka pasur me shtetasen Eva Peza (CEO e shoqërisë BSES) kjo shtetase, me një email të datës 10.05.2016, ka konfirmuar se faturat e mësipërme nuk janë lëshuar prej kompanisë së saj.

Zbardhet dosja/ Tetë faturat e kompanisë amerikane, si mashtruan

Bashkëpunimi me autoritetet amerikane

Me qëllim konfirmimin e origjinalitetit apo falsitetit të faturave është dërguar autoriteteve gjyqësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës një kërkesë për ndihmë juridike.

“Në përgjigje të kësaj kërkese këto autoritete kanë informuar si më poshtë: “……. Shtetasja Eva Peza ka konfirmuar se është në dijeni të situatës me shoqërinë “Phoenix Petroleum”sh.a. faturat e së cilës arrijnë shumën 1.290.000 UD. Kjo shtetase ka konfirmuar se faturat janë të falsifikuara pasi Blac Sëan Energy Services (BSES) nuk ka punuar asnjëherë për shoqërinë “Phoenix Petroleum”sh.a. Në një çështje të pavarur nga çështja në fjalë, para se të krijohen faturat e falsifikuara, BSES kontaktoi me një person të quajtur Naim Kasa, i cili ishte i lidhur me  shoqërinë “Phoenix Petroleum”sh.a. për të bërë tetë vlerësime rezervuarësh dhe plane biznesi.

Asnjë punë nuk u krye në lidhje me këtë çështje pasi “Phoenix Petroleum”sh.a. gjithmonë i shtynte gjërat për një kohë të mëvonshme. Në këtë kontratë kishte firmosur Eva Peza, e cila spekulon se ishte pikërisht nga kjo kontratë që Kasa kopjoi firmën e saj dhe e përdori atë për faturat e falsifikuara…..”.

Nga sa më sipër rezulton se faturat e mësipërme janë të falsifikuara (ky fakt rezulton nga deklarimet e shtetases Eva Peza dhe nga prova të tjera që do shtjellohen më poshtë hollësisht).

Në dosje thuhet gjithashtu se  zyrtarët e AKBN-së me mos veprimet e tyre kanë lejuar që dy biznesmenët e  akuzuar kanë mundur  të përfitojnë përmes mashtrimit .

Rezulton se punonjësit e AKBN – së që kanë kryer veprimet e mësipërme janë shtetasit Qani Hoxhaj (shefi i sektorit të licensave të prodhimit), Klodian Gradeci (drejtor i drejtorisë së hidrokarbureve), Denis Durrsi (drejtor i drejtorisë ekonomike) dhe Rezarta Qose specialiste në drejtorinë ekonomike).

Shtetasi Qani Hoxhaj rezulton të ketë qenë i pranishëm dhe të ketë nënshkruar në pothuaj cdo lloj dokumentacioni në lidhje me procedurat e ndjekura nga AKBN ndaj shoqërisë “Phoenix Petroleum”sh.a. në lidhje me implementimin e MH. Ky shtetas ka konceptuar shkresat Nr.127, datë 07.01.2016 dhe Nr.35/1, datë 12.01.2016, me të cilat, në kundërshtim me ligjin, është konfirmuar plotësimi i Detyrimeve Minimale për Periudhën e Vlerësimit nga shoqëria.

Nga Përshkrimet e Punës së Punonjësve të AKBN – së rezulton se nga detyrat thelbësore të funksionit që ka ushtruar shtetasi Qani Hoxhaj kanë qenë ndjekja e detyrimeve të parashikuara në Marrëveshjet Hidrokarbure dhe Licensat Hidrokarbure, bashkëpunimi me kompanitë në fushën e studimeve gjeologo – gjeofizike në projektimin e puseve të kërkimit dhe atyre të vlerësimit, ndihmesa nga ana teknike për auditin financiar që i bëhet aktivitetit hidrokarbur etj.

Po kështu, rezulton se shtetasi Klodian Gradeci, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Hidrokarbureve në këtë institucion, ka patur rol qëndror në këto procedura. Rezulton se të gjitha shkresat e konceptuara nga shtetasi Qani Hoxhaj kanë marrë miratimin e shtetasit Klodian Gradeci.

Nga Përshkrimet e Punës së Punonjësve të AKBN – së rezulton se nga detyrat thelbësore të funksionit që ka ushtruar shtetasi Klodian Gradeci kanë qenë organizimi dhe drejtimi i punës për përgatitjen e dokumentacionit dhe praktikave të nevojshme për dhënien e lejeve, licensave dhe autorizimeve të cilat mundësojnë hyrjen në marrëveshjet hidrokarbure dhe kryerjen e operacioneve hidrokarbure sipas marrëveshjeve të lidhura, mbajtja e kontakteve të rregullta me të gjitha kompanitë që operojnë në kuadër të Marrëveshjeve Hidrokarbure etj.

Shtetasi Denis Durrsi, i cili ka qenë drejtor i drejtorisë ekonomike në AKBN, ka patur një nga detyrat thelbësore të funksionit të tij koordinimin dhe bashkërendimin e punës në drejtim të mbikëqyrjes, monitorimit dhe auditimit të kontratave, lejeve, koncesioneve dhe marrëveshjeve hidrokarbure.

Shtetasja Rezarta Qose ka qenë specialiste në drejtorinë ekonomike e angazhuar në auditimet tekniko financiare të shoqërive koncesionare të hidrokarbureve. Kjo shtetase ka deklaruar se auditimi konsiston në kontrolli e kostove të hidrokarbureve.

Nga Përshkrimet e Punës së Punonjësve të AKBN – së rezulton se nga detyrat thelbësore të funksionit që ka ushtruar shtetasja Rezarta Qose kanë qenë njohja me marrëveshjet dhe licensat hidrokarbure për cdo kompani për t’u përgatitur për auditimin e tyre, kryerja e auditimit financiar të kontraktorëve në lidhje me shpenzimet e kryera dhe të ardhurat e realizuara dhe përgatitja e raportit të auditimit, ndjekja e kostove hidrokarbure nëpërmjet pasqyrave tre mujore përkatëse të paraqitura nga kompanitë pranë AKBN – së etj.

Po kështu, rezulton se Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ka dërguar një informacion për referimin e veprës penale në të cilin pasqyrohej fakti se shtetasi Naim Kasa, si administrator, dhe subjekti “Transatlantic Albania” Dege e shoqërisë së huaj kanë shmangur pagimin e detyrimeve tatimore dhe doganore duke kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe duke mos paguar shumat përkatëse që rrjedhin nga këto detyrime.

Mesditën e së premtës 6 të ndaluarit, 5 prej të cilëve në masën arrest me burg dhe 1 në arrest shtëpie, pritet të dalin para gjykatës për komunikimin e masës së sigurisë.  Në kërkim vijojnë  të jenë ish-drejtori hidrokarkureve në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Klodian Gradeci si dhe një prej  aksionerëve të kompanisë  Feniks Petrolium.

Konkretisht bëhet fjalë për faturat e falsifikuara

Nr. AL/15#01, datë 08.06.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik per 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 166,000 USD.
2.      Nr. AL/15#02, datë 08.06.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik per 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 225,000 USD.

3.      Nr. AL/15#03, datë 08.06.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik per 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 296,000 USD.

4.      Nr. AL/15#04, datë 08.06.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik per 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 214,000 USD.

5.      Nr. AL/15#05, datë 08.06.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik per 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 148,000 USD.

6.      Nr. AL/15#06, datë 08.06.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik per 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 150,000 USD.

7.      Nr. AL/15#07, datë 10.08.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik per 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 50,000 USD.

8.      Nr. AL/15#08, datë 10.08.2015, me përshkrim “Plan studimi strategjik per 25 vitet ne vazhdim” me vlerë 50,000 USD.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore