Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Vrasja e Azemit/ Rrëfimet e Zylfie Haklajt dhe pse Sali Berisha duhet të japë dëshminë në gjyq

Vrasja e Azemit/ Rrëfimet e Zylfie Haklajt dhe pse Sali Berisha duhet

Vrasja e Azem Hajdarit është rikthyer në vëmendjen e publikut. Këtë herë pas kërkesës së të pandehurit Izet Haxhiaj që kërkon pafajësinë për këtë krim, duke dëshmuar se ka prova të reja, që nuk janë marrë parasysh në gjykimin në themel të çështjes.

Madje, në pretendimet e tij për pafajësi ai kërkon si dëshmitarë personazhe publike dhe jo vetëm, që kanë dijeni për vrasjen e 12 shtatorit të vitit 1998 të Azem Hajdarit.

Një prej dëshmitarëve që kërkon Izet Haxhia është ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit ka dhënë vetëm një dëshmi në formën e një deklarate, e cila nuk mund të konsiderohet provë juridike për aq kohë sa nuk është bërë publike në seancat gjyqësore të Drejtësisë shqiptare, të shumta në numër e që janë zhvilluar vite më pare me të pandehurit, që sot kanë marrë dënime.

Por, një tjetër zë që kërkon zbardhjen e të vërtetave për serialin e vrasjeve në Tropojë është Zylfije Haklaj, motra e vëllezërve Haklaj, e cila akuzon Sali Berishën për çfarë ndodhi.

Në një dëshmi ekskluzive në Top Story, Zylfie Haklaj foli qartë e troç, duke treguar mesazhet që Sali Berisha, i dërgonte nëpërmjet të afërmve të tyre.

Sali Berishës i rrezikohej pushteti si president dhe dërgoi forca nga Garda për të takuar Fatmirin, për t’i kërkuar mbështetjen e tij dhe Fatmiri i thotë shprehimisht që as për Hamdiun nuk e bëj këtë punë që të sulmoj Jugun për të mbrojtur Saliu karrigen e presidentit”, – rrëfeu Zylfie Haklaj në atë kohë.

Për akuzat e Berishës në atë kohë si dhe para e pas vrasjes së Azem Hajdarit se Fatmir Haklaj ka lidhje me Fatos Nanon dhe kontakte të vazhdueshme me të, Zylfie Haklaj i jep përgjigjen e prerë. Edhe pse e pranon se Halil Haklaj ka pasur kontakte me udhëheqës të lartë Zylfie Haklaj mohon se kjo ka ndodhur me Fatos Nanon, e aq më pak njohje të Fatmirit me të.

"Ne si familje e kemi mbështetur Sali Berishën vitet e para të demokracisë. Dy vëllezërit e mi, Hamdiu e Halili kanë pasur njohje personale me Sali Berishën dhe ne si familje e dinim kush ishte familja e tij, kishim besim se do e drejtonte Shqipërinë, ishte njeri i njohur kardiolog, pavarësisht se kishte qenë në udhëheqjen  partisë punës në bllok, kishim besim se do ishte njeri i duhur për të drejtuar Shqipërinë", - ka deklaruar Zylfie Haklaj, duke qartësuar raportet e familjes së saj me Berishën.

Por Sali Berisha, pavarësisht se çfarë rrjedhe do të marrë pozita juridike e të dënuarit me 25 vjet burg Izet Haxhia, është në listën e dëshmitarëve. A do të shkojë në gjyq për të dëshmuar kjo pritet të shihet në seancat e tjera të procesit.

Mjafton të kujtojmë deklaratën e tij pas vrasjes së Azemit, se sapo PD të vinte në pushtet do rihapte hetimet dhe drejtësia do të vihej në vend. Por, nuk e bëri edhe pas marrjes së pushtetit në 2005. Sepse, nëse do të kishte vullnet mund ta kishte bërë këtë në 8 vjet të qeverisjes së tij, e nëse vijon të ketë të njëjtin qëndrim për zbardhjen e vrasjes, atëherë në respekt të ligjit të pranojë dhënien e dëshmisë në sallën e gjyqit, në shenjë respekti për Drejtësinë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore