Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Vonesa për krijimin e Kushtetueses ka një adresë më të qartë; sipas SHBA e BE

Vonesa për krijimin e Kushtetueses ka një adresë më të

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim është e vetmja që po i rri çekiç në kokë KED-së së Vitore Tushës për ta mbyllur procesin e përzgjedhjes së dy kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese brenda muajit dhjetor. Në një postim të sotëm ajo ka deklaruar se KED nuk ka asnjë problem objektiv që të mos e mbyllë procesin brenda javës, pra që të çojë tek presidenti dhe në Parlament listat mbi 6 emra të kandidatëve sipas kritereve me renditjen e tyre.

“KED duhet të mblidhet  këtë javë për të përfunduar vlerësimin dhe për ta dërguar listën e kandidatëve në Presidencë dhe Parlament. Proceset duhet të respektohen, por jo të keqpërdoren. Nuk ka asnjë arsye praktike që Gjykata Kushtetuese nuk mund të jetë funksionale deri më 31 dhjetor. Kjo është çështje vullneti. Liderët duhet të tregojnë vullnetin e tyre të vërtetë”, shkruan ambasadorja Kim.

Në fakt logjika e saj është e saktë, pasi deri në fund të muajit si Kuvendi, ashtu edhe Presidenti Ilir Meta, mund të miratojnë një nga kandidaturat e dy listave përkatëse që KED ka çuar në strukturat përkatëse.

Por KED e drejtuar aktualisht nga Vitore Tusha ka çuar në Presidencë vetëm Sonila Bejtjen dhe Altin Binaj, ndërsa në Parlament nuk ka çuar ende listë, ku ka të kualifikuar vetëm Altin Binajn.

Vendimi i KED për disa muajsh ka qenë më shumë eleminim, sesa një seleksionim që më pas të zgjedhë legjislativi dhe Presidenti. KED ka eleminuar disa emra, çka ka sjellë përplasje e pakënaqësi. Zhaklina Peto, një magjistrate e njohur, ka arritur që të fitojë dy herë në Gjykatën Administrative që të kandidojë për anëtare e Kushtetueses.

Pra një vendim që ka rrëzuar KED-në, pasi ky institucion nuk ka të drejtën që të largojë, por thjesht të seleksionojë sipas kritereve një listë përkatëse, në bazë të kandidimit që bëjnë vetë gjyqtarët apo juristët.

Ndërsa në rastin e KED së Dvoranit pati nga opozita dhe Ilir Meta sulme pa fund, kur realisht Dvorani thjesht pati një vonesë në dërgimin e listave, e cila mund të ishte edhe objektive, sot Tusha ka marrë përsipër të bëjë politikë kuadri.

Ndaj ambasadorja amerikane i bën të qartë se nuk ka asnjë arsye objektive të vonojë procesin, vetëm nëse e ka vullnet të paracaktuar.

Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca shprehet se është kritike që KED të përfundojë sa më shpejt procesin e vlerësimit të kandidatëve për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Soreca thekson se funksionalitetit i plotë i kësaj Gjykate është kusht kryesor për të filluar bisedimet e pranimit në BE, në konferencën e përbashkët qeveritare. Pra më shumë se politikën, këtë herë si Kim, ashtu edhe si Soreca, kanë gjetur shënjestrën edhe diku tjetër; tek kreu i KED që u zgjodh nga Meta, pasi bëi zhurmë të madhe për Dvoranin. Që do të thotë, se nëse një vit më parë edhe mund të ishte mazhoranca fajtore për vonesën e formimit të Kushtetueses, këtë herë ata adresën e çojnë në Presidencë. 

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore