Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

“Urdhri” i Gjykatës Kushtetuese/ Dekretet e ministrave, sjellin takimin e parë Rama-Meta?!

 

“Urdhri” i Gjykatës Kushtetuese/ Dekretet e ministrave, sjellin

Qeveria dhe emrat e ministrave mund të sjellin një takim “kokë më kokë” ndërmjet aleatëve të dikurshëm, por tashmë armiq të përbetuar, Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Shkak për këtë mund të shërbejë vendimi më i fundit i Gjykatës Kushtetuese që ka përcaktuar rregullat e qarta për procedurën e emërimit të ministrave. Kjo Gjykatë u fut në lëvizje pas përplasjeve të forta që Edi Rama pati me Ilir Metën për emërimin e disa ministrave, si Sandër Lleshaj dhe Gent Cakaj, ku propozimin e fundit për ta caktuar ministër i Jashtëm e refuzoi për ta dekretuar. Kjo solli një përplasje të fortë mes Ramës dhe Metës, që në fund detyroi kryeministrin të tërheqë emrin e Cakajt dhe vetë të mbajë postin e ministrin e Jashtëm.

Sot pas afro tre vitesh dhe kur Rama kërkon mandatin e tretë qeverisë me bekimin e Metës po për herë të tretë, sërish në skenë kanë dalë aludimet dhe teoritë se Meta mund të bëhet pengesë prej disa prej kandidaturave për postet ministrore. Sot kreu i shtetit hapi rrugën formimit të qeverisë, duke dekretuar Edi Ramën si kryeministër.

Në një vendim të marrë me 25 maj të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se kryeministri nuk mund të shmangë presidentin në formimin e qeverisë, duke kërkuar konsultime paraprake për emra të ndryshëm.

“E thënë ndryshe, në planin juridik asnjë nga institucionet nuk mund ta ushtrojë këtë kompetencë i vetëm, pa bashkëpunimin dhe bashkëveprimin me të tjerët. Në vlerësimin e Gjykatës, konsultimi dhe bashkëveprimi, si elemente të parimit të luajalitetit kushtetues, pavarësisht formës së zgjedhur nga institucionet (gojarisht ose me shkresë), e ndihmojnë procesin e emërimit të ministrit, në respektim të kritereve dhe cilësive kushtetuese të kërkuara për këtë pozicion”, thuhet në në arsyetimin e GJK në vendimin numër 26.

Në pikën 51 të këtij arsyetimit theksohet “Si përfundim, në lidhje me nenin 98 të Kushtetutës, procesi i emërimit dhe shkarkimit të ministrit duhet të bazohet në dialogun ndërinstitucional, nga i cili burojnë detyrimet për bashkëpunim luajal kushtetues në marrëdhëniet midis organeve shtetërore. Parimi për bashkëpunim jo vetëm që i detyron organet të respektojnë kompetencat e tyre përkatëse, por mundëson dhe garanton mbarëvajtjen e të gjithë procesit të përbashkët, pa cenuar kështu pavarësinë dhe ekuilibrin midis ushtrimit të kompetencave nga pushtetet, në respektim të  Kushtetutës”.

Gjykata çmon se Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi në procedurën e emërimit dhe të shkarkimit të ministrit duhet të udhëhiqen nga parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, në përputhje me qëllimin e nenit 98 të Kushtetutës. Gjithashtu kjo Gjykatë fut në lojë në këtë proces edhe Parlamentin e Shqipërisë.

Mbetet për t’u parë nëse Rama do t’i trokasë personalisht në zyrë Metës për t’u konsultuar, si dhe nëse presidenti do të ketë ndonjë rezervë për emrat e caktuar ministrave të propozuar. Pjesa më e madhe e ministrave që do të jenë në kabinetin “Rama 3” kanë kaluar filtrin e presidentit Meta.

Mbetet për t’u vështruar se si do të veprohet për ato pak ministra që janë propozuar për herë të parë si Ulsi Manja, Frida Krifca, Edona Bilali dhe Delina Ibrahimi. Nëse do të ketë konsultime direkt, atëherë ky do të jetë takimi i parë mes Ramës dhe Metës, pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe pas vendimit të mazhorancës socialiste për shkarkimin nga posti i presidentit. Akti i parë i Parlamentit, që pret atë finalin nga Gjykata Kushtetuese për të vlerësuar nëse shkarkimi i Metës është i drejtë ose jo?

Gjykata Kushtetuese V E N D O S I:

1.      Pranimin e pjesshëm të kërkesës.

2.      Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

3.      Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:

-        Në procedurën e emërimit dhe të shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi udhëhiqen nga  parimi i luajalitetit kushtetues dhe ai i ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

-     Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tri organeve të mësipërme.

-                  Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantojë përmbushjen e  kritereve  dhe cilësive kushtetuese  për këtë funksion.

-                  Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër bëhet nga të tria organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese,  brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.  

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore