Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Turistët që u vranë apo terrorizuan në Shqipëri/ Vdekja misterioze e rusëve, çmenduria e Mihal Kokëdhimës dhe “mallkimi” për çekët

Turistët që u vranë apo terrorizuan në Shqipëri/ Vdekja

SPECIALE - Shqipëria është shndërruar vitet e fundit në një prej destinacioneve më të kërkuara nga turistët në mbarë botën. Vendi ynë po rekomandohet gjithnjë e më shumë nga mediat e njohura ndërkombëtare, ndërsa turizmi konsiderohet si një ndër sektorët kyç në rritjen e ekonomisë.

Edhe pse me një imazh kryesisht të shkëlqyer, ku turistët në masë vlerësojnë mikpritjen dhe dashamirësinë e shqiptarëve, në vendin tonë nuk kanë munguar as rastet tronditëse, nga grabitjet, dhunimi dhe deri tek vrasja e turistëve. Raste kryesisht të izolura, që duket se nuk kanë patur ndikim në fluksin e vizitorëve, por padyshim që janë një njollë e zezë në imazhin e vendit.

Prej disa ditësh, mediat më të njohura ndërkombëtare po shkruajnë për vdekjen misterioze të 4 shtetasve rusë në Shqipëri. Edhe pse ngjarja nuk është zbardhur ende, prokuroria e ka regjistruar si vrasje pa autor. Në “hetime” është përfshirë edhe ambasada ruse, me të cilën qeveria shqiptare ka një histori të fortë përplasjesh vitet e fundit.

Po cilat janë disa nga ngjarjet më të rënda me turistët e huaj që janë regjistruar në Shqipëri

Fati tragjik i rusëve, nuk është i vetmi. Përgjatë viteve të fundit, ka patur edhe humbje të tjera jete në radhët e turistëve, kryesisht nga mbytjet në det, rrëzimi në male, apo edhe grabitje që kanë përfunduar në vrasje. Gazeta SHQIP do sjellë një përmbledhje të rasteve më të rënda të regjistruara vitet e fundit.

Misteri i vdekjes së 4 rusëve

Sergey Burenkov, 60 vjeç, dhe bashkëshortja Natalya Burenkova, 58 vjeç, ishin me pushime në Shqipëri, së bashku me vajzën e tyre Katia, 31 vjeç, dhe partnerin e saj Nikita Belousov, kur u gjetën të vdekur në saunën e një hoteli në plazhin e Qerretit në Kavajë.

Teksa hetimet janë duke vijuar në lidhje me vdekjen e mistershme të katër turistëve rusë, Prokuroria e ka regjistruar këtë çështje për veprën penale të vrasjes. Fillimisht u raportua se vdekja mund të ketë ardhur për shkak të asfiksisë në saunën e resortit, por më pas ky version duhet se u rrëzua nga prokuroria.

Kreu i Komitetit Hetues të Rusisë (TFR), Alexander Bastrykin dha versionin e tij për ngjarjen, duke aluduar se vdekja mund të ketë ardhur edhe nga përdorimi i tepërt i klorit të në pishinën dimërore.

“Rusët erdhën në hotel nga Maqedonia e Veriut dhe kërkuan që të përgatisnin një pishinë për ta, të cilën ata donin ta vizitonin pas saunës. Mediat raportuan se klori në pishinën e hotelit mund të kishte vrarë rusët. Një punonjës mund të kishte përdorur shumë klor, që çoi në vdekjen e njerëzve”, lexohej në njoftimin për shtyp.

Terroi ndaj spanjollëve nga Mihal Kokëdhima

Shumë nga shqiptarët i kanë ende të freskëta pamjet kur pronari i një restoranti në Porto Palermo terrorizoi një grup turistësh nga Spanja.

I gjithë sherri nisi për një ngatërresë në numrin e peshqve të porositur nga familja spanjolle e biznesmenit të njohur Eugenio Galdon, themelues i kompanisë ‘ONO’.

Eugenio Galdón së bashku me familjen e tij kishte zgjedhur Shqipërinë për të pushuar, por u përball me një situatë horror.

Pas largimit të turistëve nga restoranti, Mihal Kokëdhima i është hedhur me trup furgonit ku ishte biznesmeni spanjoll së bashku me familjen e tij dhe teksa automjeti ishte në ecje ai godiste me grushte xhamin e përparmë duke e thyer atë.

Ngjarja që pushtoi mediat botërore ndodhi në gusht të 2019, duke i dhënë një goditje të fortë imazhit të Shqipërisë. Pas kreu dënimin, Kokëdhima doli nga burgu, por nuk e “harroi” vesin e keq të sulmeve ndaj turistëve. Edhe kohët e fundit në mediat kanë qarkulluar video të tij, teksa kërcënon turistët.

Shqipëria "mallkimi" i çekëve

Një prej rasteve më shokuese të regjistruara në vendin tonë është vrasja e një çifti turistësh nga Çekia, 6 vjet më parë në zonën e Thethit.  Michal Svatos 27 vjeç dhe Anna Kosinova 36 vjeçe, teksa po udhëtonin me mjetin e tyre “Nissan” drejt Thethit, u vranë dhe më pas u hodhën në një greminë në fshatin Prekal të Dukagjinit. Ngjarja e rëndë u regjistrua më 3 Korrik 2015.

Rënia në greminë  e mjetit krijoi alibinë se ishte një aksident automobilistik, por të shtënat e armëve që janë dëgjuar nga banorët  dhe këqyrja e vendngjarjes nga policia ku u gjetën tre gëzhoja kallashnikovi dhe një krehër fishekësh, mundësoi të kuptohej se bëhej fjalë për një grabitje të armatosur që përfundoi barbarisht më vrasjen e dy turistëve çeke.

Incidentet me turistët çekë në vendin tonë kanë qenë të shumta, kryesisht gjatë viteve 2014-2015, ku vendi ynë u kthye në një "mallkim" për ta.

1 Qershor 2014, turisti çek David Polack vdes në Dukagjin pasi makina e tij bie aksidentalisht në greminë.

15 gusht 2014, turistja çeke 26 vjeçare Martina Mala plagoset në një lokal në plazhin e Velipojës. Policia arrestoi personin që qëlloi, S.H nga Draxhati i Shkodrës.

8 Maj 2015, turisti çek Adama Baron, 26 vjeç, mbytët në lumin Kir,teksa bënte rafting. Trupi nxirret nga forcat RENEA.

Ngjarja tragjike e 2001 - Nuk duhet harruar as historia tragjike e zhdukjes së tre studentëve çekë në vjeshtën e vitit 2001 në Shqipëri. Mihal Pavelka, Jan Pavelka dhe Lenka Tuçkova, u zhdukën në zonën malore të Dukagjinit, vjeshtën e vitit 2001. Ende sot e kësaj dite nuk ka asnjë informacion në lidhje me fatin e tyre.

Rastët e mësipërme janë më flagrantet dhe më të rëndat që kanë ndodhur në vendin tonë. Fatkeqësisht ka patur edhe raste të shumta grabitjesh, rrëzimesh në male, apo mbytjesh në det.

Gjithsesi, vendi ynë vijon të mbetet një ofertë e parezistueshme turistike. Plazhet dhe lumenjtë e virgjër, natyra e mrekullueshme, ushqimi dhe mikpritja e shqiptarëve, e bëjnë vendin tonë një atraksion të veçantë. Dhe rastet e izoluara që cituam më sipër, sigurisht që nuk ia heqin vlerat Shqipërisë./Gazeta SHQIP

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 
Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore