Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Tregjet e Lindjes: A ishte deklarata e Edi Ramës antiperëndimore?!

Tregjet e Lindjes: A ishte deklarata e Edi Ramës antiperëndimore?!

Deklarata e Edi Ramës nga Korça për tregjet e Turqisë dhe Lindjes së Mesme ka sjellë normalisht reaksione të forta, që edhe priteshin. Qëndrim që vinte edhe nga qasje të kryeministrit shqiptar mbi Bashkimin Europian nga Ankaraja, apo edhe nga Tirana.

Kritikët e Edi Ramës, siç pritej kanë lëshuar mbi të artilerinë e rëndë se ai është “armiku i BE”-së, “njeriu  i sulltanit”, po edhe provokatori i marrëdhënieve tona me Europën. Por ata që e përkrahin Ramën, nuk është se kanë bërë ndonjë koment. Po kush është Edi Rama: “një anti-europian”, një “erdoganist” apo një politikan që e do Shqipërinë të shkojë në lindje?

Këtu secili mund të bëjë një variacion mbi temën, por realisht nëse i hymë argumentit që vetë kryeministri ka sjellë dje, atëherë duhet të merremi me analizimin e tij. Por natyrisht edhe me shkaqet e pasojat.

A është Edi Rama një politikan anti-europeist që si logjikë politike e di Shqipërinë jashtë BE-së dhe në një aleancë orientale e quaje edhe antiantlantiste? Realisht Edi Rama, sipas gjasave ka një dëshirë të diskutohet mbi këtë argument, por Shqipëria e Edi Ramës nuk ka pasur asnjë qëndrim të fortë anti-europeist, as anti-NATO. Rama, flasim si kryeministër, jo si një person privat; ka dëbuar më shumë diplomat rusë e iranian nga Tirana.

Edi Rama nuk ka pasur asnjë qëndrim anti perëndimor në tetëvjeçarin e tij si kryeministër. Por Edi Rama, ka pasur dhe ka dashur të ketë një polemikë të tij me Europën qoftë me logjikën e Kosovës, bashkimit kombëtar e tani edhe me tregjet.

Por realisht, Edi Rama është kryeministri i parë i Shqipërisë, që e ka vendosur Shqipërinë në një rang të rëndësishëm ligjor të partneritetit strategjik të Shqipërisë. Që pa u bërë kryeministër, kur me Ditmir Bushatin takoi Erdoganin në Dollma Bahçe.

Ka një logjikë gjeopolitike që Rama e ka thyer nga 1992, e që duhet pranuar; ai nuk e ka pasur asnjëherë Athinën vizitën e parë si kryeministër siç e kanë bërë të gjithë pasardhësit e tij nga viti 1991.

Politikisht Edi Rama ka një logjikë të afërt me Turqinë e kjo tashmë është fakt prej 8 vjetësh, por a është ky koncept ekonomik? Në 2004, Shqipëria ishte e kontrolluar nga grekët: banka, telekomunikacion, hidrokarbure, etj. Sot, jo se e bëri të gjithë Rama, se e nisi Fatos Nano, Greqia nuk llogaritet aq shumë.

Megjithatë, koncepti i tregjeve që Edi Rama foli nga Korça, kujt i drejtohet? Vini re: kryeministri tha pas 3-4 vitesh do të përmbysim tregjet e lindjes. E ka shumë vite që ne flasim që prodhuesit shqiptar i hedhin, i bllokojnë ose nuk i nxisin prodhimet që nga qumështi, perimet, apo edhe mollët e Korçës e qepët apo edhe fasulet.

Pse ka ndodhur kjo? Shto edhe mishin. Mishi shqiptar, sidomos mishi i viçit apo edhe i qengjit ka që prej vitit 2005 që nuk shitet këtu, por ikën në Lindje; sidomos në Maqedoni, Bullgari apo edhe Turqi. E cila ka kërkuar qengja dhe dash shqiptar, ndoshta për të ringjallur atë fluks gjigant të kohës së Mbretit Zog, kur Shqipëria përmbyste me gjalpë e mish të imtash Turqinë. Që në fakt me çmime të larta shkonte në Lindje të Mesme.

BE, këto produkte, pra midhjet e Butrintit, gjalpin apo mishin tonë nuk e importon, i vetmi përjashtim është shkëmbimi i fshehtë i peshkut në mes të detit nga peshkarexhat, ku i japim të freskëtin e marrim tjetrin. Por që nuk ka vulën: Made in Albania.

Nëse flasim për tregje, nuk është se ka ndonjë problem. Por Shqipëria, si vend që synon BE-në, ka marrë edhe masa të forta, siç janë që të ndalojë eksportet për në Rusi. Madje edhe kur Rusia kishte mjaft dëshirë të blinte në Shqipëri, nisur nga partnerët e saj serbë dhe kompanive nga Kosova.

Por që prej 2016 kjo ka sjellë një bllokadë, së cilës u është përgjigjur edhe Moska, që ka bllokuar eksportet për në Shqipëri. Moska natyrisht që ka gjetur rrugë të tjera, e natyrisht Turqinë që është dhe fqinji më i afërt i saj.

Por Rama ka folur për Lindjen e Mesme. Një rajon që ai e ka sjellë me dy zhvillime: nga Emiratet dhe Arabia Saudite. Nëse Porti i Durrësit, plus lagjet e reja për ata që kanë humbur shtëpitë nga tërmetet ndërtohen nga Emiratet, atëherë tregtia me Dubain natyrisht që do të japë një zhvillim shumë të fortë.

Emiratet janë qendra tregtare e Lindjes së Mesme, që furnizon Perëndimin me gjysmën e asaj që dikur vinte nga Rruga e Mëndafshit, nga India e bota indo-kineze. E nëse ndodh ky zhvillim që Rama e përmend pas 3-4 vitesh nuk është aspak anti-perëndim. Pasi flasim për një zonë ku Perëndimi ka bazën më të fuqishme jo vetëm ekonomike por edhe ushtarake. /GazetaShqip

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore