Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Trafiku i kokainës/ Pse mafiozët blejnë lehtësisht pasaporta dhe strehohen në Ekuador

Trafiku i kokainës/ Pse mafiozët blejnë lehtësisht pasaporta

Amerika Latine është kthyer në një El Dorado për grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor. Një vëmendje e veçantë i kushtohet Ekuadorit dhe Kolumbisë. Në periudhën 2008–2020, Amerika Latine u kthye në një zonë problematike në lidhje me daljen në skenë të grupeve kriminale nga Ballkani. Ka disa arsye pse ndodhi kjo.

Së pari, prodhimi i kokainës është rritur dhe kërkesa mbetet e lartë anembanë botës, veçanërisht në tregjet e pasura evropiane, dhe në Australi.

Së dyti, pati një çrregullim të ekuilibrave në furnizimin me kokainë në Kolumbi pas marrëveshjes së paqes në vitin 2016 me grupin rebel FARC (që kontrollonte territore të gjera ku kultivohej bima e kokës), dhe kjo krijoi mundësi për kriminelët nga Ballkani perëndimor që të krijonin lidhje me furnitorë të rinj.

Së treti, trafikimi i drogës paraqet një rrezik relativisht të ulët në Amerikën Latine, si pasojë e korrupsionit të shfrenuar, hapësirave që lejon ligji, trazirave dhe paqëndrueshmërisë në disa shtete (si Venezuela), si dhe zyrtarë porti që bashkëpunojnë me trafikantët në të dy krahët e zinxhirit të trafikut.

Si rezultat, disa kriminelë mendjemprehtë nga Shqipëria, Mali i Zi, dhe Serbia udhëtuan drejt vendeve prodhuese të kokainës për t’u përfshirë në furnizimin dhe shpërndarjen e drogës.

Informacionet e para (të paktën nga materialet e bëra publike) në lidhje me bashkëpunimin midis mafias në Evropën lindore dhe karteleve kolumbiane doli në vitin 2001. Atë vit u arrestuan tre shqiptarë në kuadër të operacionit Rrugëtimi (Journey), që zgjati dy vjet, dhe u zhvillua nga DEA në bashkëpunim me vende të tjera për të goditur trafikimin me rrugë detare nga Kolumbia.

Në periudhën 2008-2020, Amerika Latine u bë zonë problematike në lidhje me aktivitetin e grupeve kriminale nga Ballkani, kryesisht si pasojë e rritjes së kërkesës për kokainë.

Pse Amerika Latine është vend kaq tërheqës?

Duke qenë se është burimi i një prej drogave më fitimprurëse, kokainës  është e natyrshme që Amerika Latine duket tërheqëse për grupet kriminale nga Ballkani. Kolumbia është prodhuesja më e madhe në botë e gjetheve të kokainës dhe eksportuesja kryesore e kokainës, e ndjekur nga Peruja dhe Bolivia. Sidoqoftë, kjo nuk është ndonjë gjë e re.

Në krimin e organizuar, ashtu si dhe në tregun e pasurive të paluajtshme, vendndodhja është gjëja më kryesore. Ekuadori ndodhet midis Kolumbisë dhe Perusë, që prodhojnë rreth 90 për qind të kokainës në botë. Në periudhën 1996–2006, Ekuadori konsiderohej si demokracia më e paqëndrueshme në Amerikën Latine. Kjo pasqyrohet edhe nga fakti se ky vend pati tetë presidentë të ndryshëm brenda një dekade, dhe tre prej tyre u hoqën nga posti me vendim parlamenti dhe nga protesta masive.

Ka edhe faktorë të tjerë që e bëjnë Ekuadorin vend shumë tërheqës për grupet ndërkombëtare të krimit të organizuar, si kufij porozë, legjislacion i mangët, dhe procedura shumë të lehta për ndërrimin e identitetit dhe blerjen e dokumenteve false, si letërnjoftime dhe pasaporta.

Një tjetër faktor ishte edhe mbyllja në vitin 2009 e bazës ushtarake amerikane në qytetin bregdetar të Mantas. Për një dekadë me radhë, amerikanët kishin zhvilluar operacione antidrogë nga kjo bazë. Sipas ish-drejtorit të shërbimit informativ të ushtrisë ekuadoriane, mbyllja e bazës e bëri më të lehtë hyrjen e organizatave kriminale nga Ballkani, Lindja e Mesme, dhe Azia në Ekuador, dhe përdorimin e portit kryesor në Manta.

Gjatë kësaj periudhe, futja në kushtetutën e re të konceptit të shtetësisë universale (e amenduar në vitin 2008) i lejonte të huajt e çdo shtetësie që të vizitonte Ekuadorin deri në 90 ditë pa pasur nevojë për vizë turistike: kjo periudhë mund të zgjatej për 90 ditë të tjera, duke i lejuar vizitorët që të qëndronin në mënyrë ligjore në Ekuador për gjashtë muaj me radhë. Për ata që qëndronin ilegalisht në Ekuador, gjoba maksimale ishte 800 dollarë amerikanë. Të gjitha këto elemente e bënin Ekuadorin një vend shumë mikpritës për kriminelët “turistë” nga Ballkani (dhe zona të tjera).

Një element tjetër që e bën Ekuadorin vend shumë tërheqës për krimin e organizuar është dollari amerikan. Në vitin 2000, pas një krize financiare, Ekuadori vendosi të ndërrojë monedhën e vendit me dollarin amerikan. Si pasojë e kësaj reforme, Ekuadori ka monedhë të fortë, por ka nivel të ulët të përdorimit të sistemit bankar nga publiku i gjerë. Për shembull, në vitin 2018, 48.1 për qind e ekuadorianëve nuk përdorte ndonjë shërbim financiar, sipas një studimi të bankës qendrore të Ekuadorit.

Me fjalë të tjera, një sasi e madhe parash ngelet jashtë sistemit bankar zyrtar, dhe kjo e bën më të vështirë që të evidentohen shkëmbimet financiare dhe rrjedha e fondeve, dhe lehtëson pastrimin e parave të pista (për shembull, nëpërmjet biznesit të ndërtimit dhe pronave të paluajtshme).

Për më tepër, Ekuadori nuk ka ligje për konfiskimin e pasurive të trafikantëve të drogës. Si rezultat, ashtu si thotë edhe një burim nga policia, “kriminelët bëjnë dy-tre vjet burg, dhe pastaj dalin jashtë e shijojnë paratë e tyre”.

Ndërsa grupet e huaja kriminale filluan të hynin në Ekuador, shteti kishte pak mundësi që t’i identifikonte dhe të parandalonte aktivitetet e tyre. Sipas një oficeri madhor të shërbimit informativ të Ekuadorit, vëmendja kryesore e qeverisë së Rafael Correa (2007–2017) ishin mbledhja e informatave ndaj kundërshtarëve politikë, dhe jo kriminelëve.

Gjithashtu, ky vend u përqendrua më shumë tek bashkëpunimi me SHBA në luftën kundër krimit të organizuar (me një marrëveshjeje të rinovuar në vitin 2019), dhe jo tek bashkëpunimi i gjerë ndërkombëtar, asistenca ligjore reciproke, dhe shkëmbimi i të dhënave informative. Këtë problem nuk e ka vetëm Ekuadori. Për shembull, Kolumbia nuk ka marrëveshje ekstradimi me asnjë nga gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor.

Forcat e ruajtjes së rendit i kanë duart e lidhura, edhe ngaqë Ekuadori është një nga të paktët vende në botë që nuk mban një bazë të dhënash me shenjat e gishtave dhe fotografitë e vizitorëve. Kjo e bën shumë të vështirë gjurmimin e pasaportave, sidomos kur kriminelët përdorin më shumë se një emër të rremë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore