Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Të miturit si azilkërkues/ Sistemi TIMS i nxjerr zbuluar, ja si veprojnë prindërit me fëmijët

Të miturit si azilkërkues/ Sistemi TIMS i nxjerr zbuluar, ja si

Një vit më parë Shqipëria bëri disa ndryshime në legjislacion, duke shtuar një pikë në nenin e Kodit Penal që bën fjalë për braktisje të fëmijëve. Madje, në zbatim të këtij vendimi pati një shtim të numrit të denoncimeve nga Policia në Prokurori e më pas në Gjykatë. E gjithë kjo, pas konstatimeve që vinin nga jashtë vendit, se shumë fëmijë të mbërritur në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian kërkon azil, pasi prindërit i braktisnin.

Rastet janë të shumta dhe fenomeni i lënies së të miturve në vendet e Bashkimit Evropian tashmë po reflektohet edhe me statistika zyrtare në organet ligjzbatuese shqiptare.

Përveç forcimit të kontrolleve në pikat kufitare, këtë fakt e vërtetojnë edhe statistikat e Gjykatës së Tiranës. Nëse gjatë vitit 2018 gjykata e Tiranës ka gjykuar gjashtë raste të braktisjes së fëmijëve, vetëm në gjatë 6-mujorit e parë të këtij viti, kjo shifër është dyfishuar.

Prindërit që janë kthyer nga vendet e BE, pa fëmijën e mitur, janë ndaluar menjëherë nga policia kufitare, sapo kanë hyrë në territorin shqiptar dhe ndaj tyre kanë nisur procedimet penale. Verifikimet janë kryer nga sistemi TIMS, ku tregohet qartë se ata kanë udhëtuar me fëmijët e tyre e më pas janë kthyer vetëm.

Një pjesë e tyre janë justifikuar se i kanë lënë tek të afërmit e tyre për studime, arsye shëndetësore apo shkollim, por pa paraqitur asnjë dokument.

Ndërsa të tjerë që janë treguar më të sinqertë, janë shprehur para organeve kompetente se e kanë ndërmarrë këtë risk për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.

Neni 214 i Kodit Penal parashikon se braktisja e fëmijëve dënohet nga gjobe deri në tre vjet burgim, por deri më tani Gjykata e Tiranës ka aplikuar dënimet me gjobë ose me shërbim prove.

Ndërkohë, të dhënat e autoriteteve italiane dhe franceze si dhe të Eurostat tregojnë se vetëm në Itali, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar ndodhen rreth 3 mijë fëmijë shqiptarë të moshës 7-17 vjeç, të cilët kanë aplikuar për azil përgjatë 4 viteve të fundit.  Shtrati ligjor i kërkesave të tyre është pretendimi se ata u braktisën nga prindërit.

Shumica e këtyre fëmijëve vijnë nga zonat e varfra dhe të pazhvilluara të veriut dhe verilindjes së Shqipërisë. Fenomeni ka prekur gjithashtu periferitë e qyteteve të mëdha si Fieri, Elbasani apo Korça.

Azilkërkuesit e mitur shpresojnë që me të mbushur 18 vjeç do të kenë mundësinë e lejeve të përkohshme të qëndrimit apo të kontratave të punës, të cilat jepen në varësi të nivelit të tyre të integrimit. Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar, një destinacion kryesor për adoleshentët shqiptarë, shumë prej tyre arratisen nga qendrat e azilit në prag të mbushjes së moshës dhe kthehen në emigrantë ilegalë, në mënyrë që të mos jenë të detyruar të kthehen në Shqipëri.

Edhe pse vendi ynë nuk është i përfshirë në gjendje lufte, apo konflikte ushtarake Shqipëria mbetet vendi i cili ka numrin më të lartë të emigrantëve minorenë të pashoqëruar që kërkojnë strehim në Itali, apo edhe në vende të tjera. Numri i tyre kapërcen numrin e emigrantëve minorenë të pashoqëruar që mbërrijnë nga Bangladeshi, Egjipti, Pakistani, Tunizia .

Në fund të muajit gusht, autoritetet italiane kanë publikuar të dhënat mbi situatën e minorenëve të pashoqëruar në Itali e për të disatin vit radhazi minorenët shqiptarë renditen në vendet e para. Në qëndrat për strehimin e fëmijëve në vendin përtej Adriatikut jetojnë  5540 minorenë prej të cilëve 1267 janë shqiptarë të dhe 22.9% të numrit të përgjithshëm.

Në vend të dytë renditet Bangladeshi me 965 minorenë të pashoqëruar, Egjipti, Pakistani, Tunizia e me radhë. Ndërsa emigrantët minorenë të pashoqëruar nga Kosova, në Itali janë 177 duke u renditur në vendin e nëntë në klasifikimin sipas kombësive.

Në raportin e autoriteteve italiane theksohet po ashtu se gjatë kësaj periudhe ka vazhduar emigrimi pavarësisht masave kufizuese të lëvizjes për shkak të Covid-19. Nga 1 gushti 2020 deri më 31 gusht 2020 kanë hyrë në territorin italian 4 minorenë shqiptarë të pashoqëruar dhe 12 kosovarë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore