Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Super stërvitja/ Zgjedhjet në Shqipëri nën “vëzhgimin” e NATO-s, Qeveria i kërkon leje Parlamentit për ushtrinë

Super stërvitja/ Zgjedhjet në Shqipëri nën

“Defender Europe 21” është stërvitja ushtarake më e madhe që NATO do të zhvillojë në Shqipëri dhe në Ballkan dhe për këtë do të angazhohen 17 mijë trupa ushtarake amerikane dhe e vendeve anëtare të NATO-s. Kjo është stërvitja më e madhe e organizuar ndonjëherë në Ballkan, duke treguar kështu një rëndësi të madhe që NATO i tregon rajonit të brishtë që është në influencën ruse.

Për të mundësuar këtë stërvitje, qeveria shqiptare ka paraqitur një projektligj në Parlament për të marrë miratimin për futjen e trupave të huaja ushtarake në territorin e Republikës së Shqipërisë.

“Stërvitja “Defender Europe 21” zhvillohet në periudhën 26 prill – 20 qershor 2021, në Komandat e Forcave Tokësore, Ajrore dhe Detare, në garnizonin “Skënderbej”, në bazën ajrore të Farkës, në bazën ajrore të Kuçovës dhe në poligonet stërvitore të Bizës e Fekenit, si dhe në rrugëkalimet ajrore e tokësore për në këto rajone”, thuhet në projektligjin e siguruar nga “Gazeta Shqip”.

Më tej bëhet e ditur se sa trupa ushtarake do të marrin pjesë dhe do të kalojnë nëpër territorin shqiptar.

“Në këtë stërvitje angazhohen 3100 trupa aleate, 10 anije, 18  avionë, 19 helikopterë, 6 sisteme raketash patriot dhe 1000  automjete jo luftarake, të cilat kryejnë lëvizje gjatë 24 (njëzet e katër) orëve në rajonin e përcaktuar të stërvitjes, sipas nenit 4, të këtij ligji”, thuhet në nenin 5 të projektligjit.

A duhet të angazhohet ushtria në zgjedhjet parlamentare?

Organizimi i kësaj super stërvitjeje përkon me një situatë të pazakontë në Shqipëri, pasi do të përfshihet në ethet zgjedhore e më 25 prill vendi do të shkojë në zgjedhje. Ligjet parashikojnë ndalimin e përdorimit të forcave dhe strukturave të posaçme.

Në nenin 5, të Kodit Zgjedhor, parashikon: “Forcat komando dhe forcat e tjera të ushtrisë ndalohen që të përdoren gjatë gjithë fushatës zgjedhore, përveçse me urdhër me shkrim të ministrit që mbulon rendin publik dhe ministrit të Mbrojtjes, kur këto forca nevojiten për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, në zëvendësim të punonjësve të Policisë së Shtetit ose në zbatim të detyrimeve ndërkombëtare. Një kopje e urdhrit me shkrim i dërgohet menjëherë KQZ-së”.

Super stërvitja/ Zgjedhjet në Shqipëri nën

Gjithashtu përcaktohet se “Ndalohet përdorimi i forcave komando dhe i forcave të tjera të ushtrisë për ruajtjen e objekteve që kanë lidhje me zgjedhjet. Forcat e ushtrisë ndalohen të kryejnë ushtrime ose manovra ushtarake jashtë reparteve ose vendeve të dislokimit të tyre gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Në të gjitha llojet e zgjedhjeve ndalohet përdorimi ose pjesëmarrja e punonjësve apo strukturave të Shërbimit Informativ Shtetëror”.

Po kjo situatë ngërçi duket se ka gjetur zgjidhje nga qeveria, pasi thekson në relacionin shoqërues të këtij ligji se në ditën e zgjedhjeve, nuk do të ketë stërvitje ushtarake nga ana e NATO-s. “Shprehemi se të gjitha veprimet e operacionet paraprake para datës 25.4.2021 do të jenë të një natyre planëzuese dhe logjistike dhe do të zhvillohen brenda reparteve. Edhe nga palët e huaja është marrë garanci që asnjë veprim ose manovër nuk do të zhvillohet jashtë reparteve para datës 25.4.2021. Manovrat e mirëfillta stërvitore do të fillojnë në datat e ilustruara në pjesën III të relacionit, pra, kryesisht në muajin maj. Periudha para këtyre datave është parapërgatitore për të garantuar zhvillimin me sukses të akomodimit, logjistikës dhe zhvillimit të stërvitjes në përgjithësi”, thuhet në argumentimin e qeverisë.

Gjenerali i lartë amerikan dhe kostoja e stërvitjes

“Defender Europe 21” zhvillohet në të gjitha vendet e Ballkanit dhe garanton bashkëpunimin ndërmjet këtyre vendeve dhe forcave amerikane, të cilat do të mund të vijnë në ndihmë në rast të një agresioni nga një forcë e huaj armike. Më 3 shkurt në Shqipëri erdhi ushtaraku i lartë amerikan, Gjeneral Majori Joseph Jarrard, Zëvendëskomandant i Ushtrisë së SHBA në Evropë. Ai zhvilloi takime me autoritetet e larta të vendit për koordinimin e masave paraprake dhe  përgatitjet për zhvillimin me sukses të stërvitjeje ushtarake " Defender Europe /21.

Gjenerali Jarrard mori pjesë të mërkurën, në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Sigurisë, të thirrur nga kryetari i këtij Këshilli, presidenti, Ilir Meta.

Super stërvitja/ Zgjedhjet në Shqipëri nën

Kjo situatë e pazakontë ku kjo stërvitje lidhet me periudhë zgjedhjesh ka detyruar që SHBA të marrë edhe bekimin e opozitës, pasi në tryezën e Këshillit të Sigurisë ishte prezent edhe lideri i opozitës, Lulzim Basha.

“Presim që Shqipëria të ketë një rol të rëndësishëm në këtë stërvitje madhore ushtarake. Ajo do të jetë një vend kryesor pritës për veprimtaritë e shumta ushtarake dhe kjo përforcon rëndësinë strategjike të gjeografisë së Shqipërisë në rajon” theksoi Zv/Komandanti i trupave amerikane në Europë, Gjeneral Major Joseph Jarrard në median sociale të Ambasadës amerikane në Tiranë.

Sipas të dhënave zyrtare, kosto e përafërt për pjesëmarrjen në këto stërvitje (karburant, lubrifikant) është rreth 436,712 euro,  Këto kosto do të përballohen nga buxheti i flokuar për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2021.

Super stërvitja/ Zgjedhjet në Shqipëri nën

 

Tabela

Sa trupa ushtarake marrin pjesë

12 helikopterë shumërolësh dhe MEDEVAC;

6 sisteme raketash “Patriot”;

3. 1000 automjete të ndryshme (jo luftimi) transporti mallrash, personeli dhe mjete xheniere;

4. 10 mjete detare: 2 LSV; 2 army MCS; 1 T=EPF; 1 UK point class vessel;

1 navy causeaway ferry, si dhe 3 mjete të tjera;

5. Avionë transporti për personelin dhe mallrat;

6. 25 mjete fluturuese që do të marrin pjesë në misionin Astral Knight, pjesë e “Defender Europe 21”:

10 avionë F15;

2 avionë F16;

 2 avionë F35 (1 italian, 1 amerikan);

3 avionë tip KC-135, për furnizim në ajër;

7 helikopterë për kërkim-shpëtim;

1 avion patrullimi C 130. 

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore