Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

SPAK vendos për Mediun / Prindërit e 7-vjeçarit që u vra në Gërdec: Ja pse duhet të gjykohet nga e para

SPAK vendos për Mediun / Prindërit e 7-vjeçarit që u vra

Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7-vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008 i kërkojnë gjykatës pranimin e kërkesës për rihapjen e çështjes ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të shqyrtoje kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të rifilluar ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut për rolin e tij në ngjarjen e Gërdecit, proces i bllokuar që prej shtatorit të vitit 2009, kur hetimet ndaj Mediut u bllokuan pasi ky i fundit rifitoi imunitietin pas zgjedhjeve parlamentare të atij viti.

Dy prindërit e 7-vjeçarit thonë se bazuar në ndryshimet e 2017-s të Kodit të Procedurës Penale, ata legjitimohen për të kërkuar procedimin e fajtorit dhe një nga personat që u morën të pandehur pas shpërthimit të Gërdecit, që la 26 persona të vdekur, sipas tyre është Fatmir Mediu, me detyrë ish-ministër i Mbrojtjes në kohën e ngjarjes.

Përveç legjislacionit shqiptar, kërkuesit thonë se autoritetet shqiptare duhet të zbatojnë edhe Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut, që sipas tyre u jep të drejtë për rihapjen e hetimeve.

Gjykata e Posaçme do të mblidhet ditën e martë për të vendosur në dhomë këshillimi për këtë çështje. Kësaj mbledhjeje Feruzan dhe Zamira Durdaj i paraprinë me një kërkesë drejtuar gjykatësve që të pranojë rinisjen e hetimeve dhe të gjyqit ndaj Fatmir Mediut, pasi ky është edhe vetë vendimi i Prokurorisë, që pas ngjarjes e mori të pandehur.

“Konkluzioni që shtetasi Fatmir Mediu duhet dërguar në gjykatë është i vetë Prokurorisë së Përgjithshme, megjithëse pas pushimit të kërkesës në vitin 2009 nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të rifilluar cështjen, pas rënies së shkaqeve penguese”, thuhet në kërkesë.

Pavarësisht kësaj, edhe pse që në 2012 kërkesa për autorizim për shkak të imunitetit ra me ndryshimet Kushtetuese, prokuroria nuk ndërmori asnjë nismë për të rinisur hetimin ndaj Mediut.

Prindërit e 7-vjeçarit thonë se gjykimi ndaj Mediut duhet të rinisë edhe sepse kërkesa e tyre nuk bie ndesh me një vendim të Gjykatës së Lartë në vitin 2011, që rrëzoi një kërkesë të ngritur nga shoqatat për këtë çështje. Në këtë kërkesë, thonë ata, nuk janë të pranishme pengesat e tjera që konstatoi Gjykata e Lartë e cila rrëzoi kërkesën, sepse: Së pari, nuk jemi para rastit që kërkues është një shoqatë, por janë trashëgimtarët ligjorë të të ndjerit Erison Durdaj.

Së dyti, nuk jemi para rastit që ligji nuk i njeh të drejtë viktimave, pasi me ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale në vitin 2017 (me ligjin nr. 35/2017), viktimat kanë të drejta të zgjeruara, të njohura për herë të parë nga legjislacioni procedural penal. Madje tashmë viktima njihet si palë në procesin penal dhe dëgjohet nga gjykata. Ky arsyetim bazohet edhe në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në çështjen Giuliani dhe Gaggio kundër Italisë, u shpreh se ky set të drejtash i njihet viktimës dhe të afërmve të tij, që ata të bëhen pjesë aktive e procesit penal.

“Deri më sot nuk ka gjetur zgjidhje çështja më sipër, por me ndryshimin e legjislacionit përkatës, besojmë se jemi në kushtet e duhura që kjo kërkesë të marrë përgjigje pozitive dhe çështja në fjalë të dërgohet në gjykatë. Një rrethanë që e vë në diskutim bazueshmërinë e vendimit të pushimit dhe e bën të revokueshëm është edhe ndryshimi i ligjit që nuk kërkon më asnjë autorizim për të vijuar me ndjekjen penale që ka nisur. Amendamenti kushtetues i vitit 2012 e ka hequr kërkesën për autorizim për procedimin e deputetëve”, thuhet në kërkesë.

Ata kanë parashtruar një memo para gjykatës duke i kujtuar asaj që:

- ndjekja penale është një detyrim i shtetit shqiptar që buron nga konventat ndërkombëtare që kërkojnë hetimin dhe gjykimin e plotë për çdo humbje jete

- dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe duke i hapur rrugë gjykimit do të mundësohet një vlerësim i drejtë i të gjithë fakteve penale

- gjykata të zbatojë drejtpërdrejt nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të mos humbasë në teknikalitete, në dëm të thelbit të detyrës së prokurorisë dhe gjykatave të një shtet të së drejtës. Gjykata e Strasburgut ka kërkuar shpesh here nga shtetet që të bazojnë vendimet direkt ne Konvente.

- nëse gjykata ka dyshime se ndonjë dispozitë e ligjeve shqiptare bëhet pengesë për këtë gjykim, të ushtrojë të drejtën për t'iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për t'i hequr pengesat antikushtetuese.

Kërkesa rendit një sërë faktesh, se përse Fatmir Mediu duhet të mbajë përgjegjësi për shpërthimin tragjik të Gërdecit.
Faktet:

1. Më 27 Dhjetor 2006, kompania Amerikane SAC (Sourthern Ammunition Company Inc) me president Patrik Henry III me qendër në Loris, South Carolina, SHBA, e krijuar në vitin 1974, e licensuar në SHBA, paraqiti një ofertë për demontimin e disa tipeve të municioneve të dala nga përdorimi i Forcave të Armatosura. Kjo ofertë erdhi pas kontakteve të realizuara ndërmjet presidentit të saj, shtetasit amerikan Patrick Henry III, me shtetasin Ylli Pinari, drejtor i Ndërmarrjes MEICO (Military Export Import Companny) të Ministrisë së Mbrojtjes (MM). Kontaktet u realizuan me postë elektronike, telefon dhe takime të drejtpërdrejta në Tiranë. Në këto kontakte, shtetasi amerikan Patrik Henri III kishte shfaqur interes për blerjen e municioneve me gëzhojë tunxhi, të kalibrit të vogël, që dispononte ushtria shqiptare dhe që nuk ishin pjesë e armatimit të saj, me qëllim demontimin dhe demilitarizimin e tyre. Pas kontakteve të mësipërme, Drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, vë në dijeni Ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, me Memon nr. 1232/523, datë 05.07.2006 “Propozim për demontim industrial municionesh” për interesimin e kompanisë SAC inc., për blerjen e municioneve me gëzhojë tunxhi, për demontimin dhe demilitarizimin, duke i sugjeruar se do të ishte me interes të jepeshin për këtë projekt fishekët që janë të vjetër dhe në pamundësi shitjeje, pa cenuar projektin NAMSA. Ylli Pinari siguronte Ministrin e Mbrojtjes se nga ana ekonomike propozimi i SAC Inc. krijonte të ardhura për Ministrinë e Mbrojtjes dhe hapte vende pune. Gjithashtu ndërmjet Ylli Pinarit dhe shoqërisë SAC kanë vazhduar komunikimet me postë elektronike deri në datën 06.11.2006, ku Patrick Henry III përsërit interesimin për fillimin e projektit të demontimit.

2. Në fillim të dhjetorit 2006, Ylli Pinari i ka sugjeruar shtetasit amerikan Patrick Henry III domosdoshmërinë e kryerjes së procesit të demontimit dhe demilitarizimit të municioneve në Shqipëri, duke e orientuar atë për të realizuar një takim të drejtpërdrejtë me Ministrin e Mbrojtjes, meqenëse deri në atë kohë kërkesat e tij nuk ishin vënë në lëvizje nga ky i fundit.

3. Me shkresën datë 28.12.2007 Ministri i Mbrojtjes ia përcjell ofertën e datës 27.12.2007 të kompanisë SAC Inc. Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullahi, me detyrën që “të konsiderohet edhe mendimi juaj në një praktikë konform ligjit.”
4. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, në Memon e datës 28.12.2006, të hartuar nga Drejtori i Logjistikës, Bardhyl Hoxha, i jep mendimin Ministrit të Mbrojtjes se qendra për demilitarizimin e këtyre municioneve duhet të përzgjidhet nëpërmjet negociatave midis palëve, pasi rajoni i propozuar i Bërzhitës nuk është i përshtatshëm dhe as i licencuar, si për depozitim ashtu edhe për asgjësim municioni, sepse ndodhet pranë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan, pranë qendrave të banuara, si dhe nuk garantohet energjia elektrike, duke saktësuar gjithashtu se kjo kërkesë duhet të shoqërohet me një projekt demilitarizimi, duke garantuar transportin e municioneve, ruajtjen e pajisjeve dhe të rajonit ku do të kryhet demontimi.

5. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm, Ardian Mullahi, këtë kërkesë me shënimin “urgjent” e ka kaluar në dy drejtime, me porosinë që pas mendimit të Shtabit të Përgjithshëm të hartohej një letër për kompaninë: (1) Drejtorisë së Harmonizimit të Legjislacionit dhe Marrëdhënieve me Kuvendin pranë Ministrisë së Mbrojtjes (DHLMK) i ka kërkuar të studiojë ofertën dhe të parashikojë zgjidhjen e problematikës në lidhje me ligjet; (2) Ndërmarrjes MEICO i ka kërkuar që të japë mendimin për municionet e propozuara, nëse kanë interes shitjeje, si dhe sasitë përkatëse.

6. Në kushtet kur VKM nr. 617, datë 04.12.2002 “Për heqjen nga armatimi dhe përdorimi të një pjese të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura dhe për asgjësimin ose çmontimin dhe shitjen e tyre”, nuk e rregullonte shitjen e municioneve për qëllim demontimi, nga aparati i Ministrisë së Mbrojtjes, për plotësimin e boshllëkut ligjor nisi përgatitja e një projekt vendimi të veçantë për Këshillin e Ministrave (KM).

7. Në relacionin e projekt-vendimit analizohet leverdishmëria ekonomike e kontraktimit me SAC Inc, përparësia teknologjike kundrejt ndërmarrjeve të Ministrisë së Mbrojtjes, sepse instalimi i kësaj teknologjie do të mundësonte demontimin e shpejtë e me leverdi të municioneve. Gjatë zhvillimit të kësaj procedure, Këshilli i Ministrave orientoi që në vend të një akti administrativ të posaçëm, të propozohej një akt normativ dhe KM të mos shprehej për një kompani të caktuar, por të përcaktonte rregulla standarde dhe të qendrueshme në kohë. Në këtë kuadër, në datën 05.03.2007, u dërgua për mendim një projekt-vendim i ri, në të njëjtat ministri. Projekti i dytë pasqyronte edhe vërejtjet e bëra gjatë shqyrtimit të projektit të parë.

8. Në datën 14.03.2007, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave me VKM nr. 138 “Për procedurën e trajtimit të armeve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, vendosi të kryhet demontimi i municioneve luftarake, duke caktuar modalitetet e kryerjes së kësaj veprimtarie shtetërore.

9. Më 25.04.2007 Ministri i Mbrojtjes nxori Urdhrin nr. 550 “Për zbatimin e vendimit nr. 138 datë 14.03.2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”. Urdhri nr. 550, datë 25.04.2007 parashikon që ndërmarrjes MEICO t’i kalohet për shitje me qëllim demilitarizimin, sasia e municioneve të kërkuara nga kompania SAC. Sipas këtij Urdhri është përcaktuar që ndërmarrja MEICO të lidhë kontratën me kompaninë SAC, duke respektuar kërkesat e Kodit Civil, VKM nr. 138, datë 14.03.2007, si dhe çmimet e miratuara nga komisioni përkatës.

10. Në zbatim të këtij Urdhri, ndërmarrja MEICO, nëpërmjet drejtorit të saj Ylli Pinari, ka lidhur kontratën me kompaninë SAC Inc. më datë 06.06.2007, me një vlerë totale prej 1.611.200 USD. Një ditë pas lidhjes së kontratës me ndërmarrjen MEICO, shoqëria amerikane SAC Inc., në datën 07.06.2007 ka lidhur kontratën me personin juridik shoqërinë “Albademil” sh.p.k, përfaqësuar nga Mihal Delijorgji, ortak dhe administrator kryesor i kësaj shoqërie, për blerjen prej saj të municioneve dhe realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të tyre, si dhe për shitjen e nënprodukteve të përfituara nga ky proces. Albademil u themelua si shoqëri nga shoqëria amerikane SAC Inc., për arsye se personi që duhej të kryente aktivitetin tregtar duhej të ishte i regjistruar në regjistrat fiskal vendas.

11. Në datën 25.06.2007, Drejtori i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes pranë Ministrisë së Mbrojtjes (DMIBM) Shkëlzen Madani, me autorizimin nr. 4242 autorizon Komandën e Forcës së Bashkuar, të lidhë kontratë qiraje me kompaninë SAC për një sipërfaqe prej 200 metra katror në repartin ushtarak Gërdec. Komandanti i Forcës së Bashkuar, Shpëtin Spahiu, ka lidhur kontratën e qerasë nr. 4342/1, datë 26.06.2007 me shoqërinë “Albademil”sh.p.k. Kjo kontratë është lidhur në bazë të VKM nr. 138, dt. 14.03.2007, pika IV/3 dhe UMM nr. 550, datë 25.04.2007, pika 4, germa “b”, ku thuhet: “KFB të hartojë kontratë për dhënien me qira sipas procedurave të parashikuara në VKM nr. 162, datë 07.03.2007, pika I, 6/a me kontraktorin (sipas pikës 1 “shoqërinë “Southern Ammunition Kompany Inc” që këtu e më poshtë do të quhet kontraktori”) dhe të lejojë ndërtimin në të të strukturës së përshtatshme industriale për çmontim dhe çmilitarizim (sipas grafikut kohor dhe planimetrisë përkatëse të miratuar)”. Shkëlzen Madani, me shkresën nr. 4285/1 prot., datë 27.06.2007, me lëndë “Autorizim për lidhje kontrate”, miraton lidhjen e kontratës së qirasë me shoqërinë Albademil sh.p.k. edhe për një sipërfaqe prej 66.5 m², brenda pronës nr. 126 – ish brigada e tankeve Gërdec – Vorë.

12. Gjatë realizimit të kësaj kontrate (kontrata e parë), janë demontuar municione të kalibrave 7.62 mm, 8 mm, 12.7 mm dhe 14.5 mm. Këto municione silleshin nga makinat ushtarake dhe shkarkoheshin kryesisht në sheshin që ndodhej në krahun e majtë të postbllokut kryesor, në sheshin që ndodhej në krahun e djathtë të postbllokut kryesor, në sheshin përpara kapanonit të fabrikës, përpara zyrave të shoqërisë Albademil sh.p.k. dhe në një pjesë të sheshit ku ndodheshin kontenierët e barutit.

13. I gjithë municioni shkarkohej në terren të hapur dhe jo në ambiente të mbrojtura nga dielli apo reshjet. Për sa i përket pajisjeve të tjera të punës ato ishin: leva dhe sqeparë që shërbenin për hapjen e arkave të municionit, pinca dhe dara që shërbenin për hapjen e kasetave metalike me fishekë dhe heqjen e fashetave siguruese të arkave të drurit, karroca metalike me një rrotë dhe me katër rrota që janë përdorur për transporte të ndryshme, thasë plastikë dhe kuti kartoni për ambalazhimin e barutit.

14. Gjatë zbatimit të kontratës së parë nga kompania SAC është kërkuar të jepej mundësia e një kontrate tjetër për demontimin e municioneve të tjera të një kalibri më të madh, me gëzhoje tunxhi të kalibrave 20 mm deri 152 mm dhe të realizohet sërish në rajonin e Gërdecit.

15. Për kërkesën e kompanisë SAC të datës 01.09.2007, ndërmarrja MEICO nëpërmjet drejtorit të saj Ylli Pinari, me shkresë nr. 1804/522, datë 06.09.2007, njofton Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili ia përcjell këtë kërkesë Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha “për veprim”.

16. Më tej, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka nxjerrë Urdhrin nr. 2044, dt. 07.12.2007, me anë të të cilit urdhëron Komandantin e Komandës Mbështetëse, Zija Bahja, t’i kalojnë municionet ndërmarrjes MEICO, sipas indeksit bashkëlidhur këtij Urdhri, të përgatitur nga shefi i sektorit të Armatim - Municionit në Drejtorinë Logjistike në Shtabin e Përgjithshëm. Sipas pikës 8 të Urdhrit, ndërmarrja MEICO përgjigjet për zbatimin nga kontraktori të procedurave standarde të sigurisë, masave të mbrojtjes nga zjarri dhe të sigurisë së jetës dhe shëndetit të personelit të projektit gjatë procesit të demontimit dhe demilitarizimit të municioneve, në kushte të rrepta vëzhgimi e sigurie. Kjo pikë ishte në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në VKM nr. 138 datë 14.03.2007 i cili përcakton se procesi i demontimit do të kryhej nën mbikëqyrjes e rreptë dhe sigurinë ushtarake të Forcave të Armatosura. Në pikën 9 parashikohet që ruajtja e rajonit të Gërdecit të behet nga KFB dhe ndërmarrja MEICO.

17. Kontrata e dytë është lidhur më datë 28.12.2007 përsëri midis ndërmarrjes MEICO dhe kompanisë SAC. Kontrata ka një vlerë totale prej 582.326 USD dhe është mbështetur në vendimin nr. 138 date 14.3.2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës, dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”.

18. Ndërsa në datën 31.12.2007 ndërmjet shoqërisë SAC dhe shoqërisë Albademil sh.p.k, është lidhur kontrata për blerjen prej saj të municioneve dhe realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të tyre, si dhe për shitjen e nënprodukteve të përfituara nga ky proces.

19. Me shkresën nr. 8433/2, datë 26.12.2007, Komandanti i Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, i drejtohet Drejtorisë së Operacioneve dhe Stërvitjes në Shtabin e Përgjithshëm me një shkresë ku e informon se e ka të pamundur të sigurojë ruajtjen e rajonit të Gërdecit, pasi në zbatim të Urdhrit të MM nr. 1800, datë 22.10.2007, KFB më datë 25.10.2007 i ka dorëzuar ndërmarrjes MEICO, me dokumentacion të rregullt, pronën nr. 126 (Gërdec) dhe komponentët përbërës të saj. Sipas kësaj shkrese ndërmarrja MEICO kishte organizuar vetëshërbimin e ruajtjes së rajonit të Gërdecit dhe të objekteve që ndodhen brenda saj me kapacitetet e veta.

20. Në ambientet ku zhvillohej veprimtaria, mungonin magazinat e liçensuara ku do të bëhej magazinimi i municioneve të dorëzuara nga FA. Punëtorët punësoheshin pa pasur parasysh asnjë kriter moshe (madje edhe të mitur), seksi, gjendje shëndetësore, kualifikim, njohuri në fushën e armatimit, apo më tej, në atë të demontimit, etj.

21. Një ditë para shpërthimit, në datën 14.03.2008, në Gërdec kanë shkuar rreth 7 automjete ushtarake të ngarkuara me municion 100 mm blindshpues. Për shkak të orës së vonë të natës, këto automjete nuk janë shkarkuar gjatë natës, por të nesërmen në mëngjes. Shkarkimi i tyre ka filluar rreth orës 07.00 deri rreth orës 09.30 të datës 15.03.2008 dhe sasia e municionit të shkarkuar është lënë në shesh.

22. Në datën 15.03.2008, pak përpara orës 12.00, në ambientet e mësipërme të repartit të tankeve në Gërdec, ka rënë zjarr duke u pasuar me disa shpërthime masive të lëndëve plasëse dhe djegëse. Punëtorët në pamundësi për të shuar zjarrin, pasi mungonin mjetet e posaçme, kanë filluar të largohen me shpejtësi në dy drejtime kryesore që ishin porta hyrëse dhe një portë anësore e kapanonit. Përhapja e shpejtë e zjarrit ka bërë që një pjesë e punëtorëve që ndodhej në shesh, të digjeshin në pjesë të ndryshme të trupit (kryesisht në pjesën e shpinës). Mbas shpërthimit të ndodhur tek kapanoni, kanë vazhduar të tjera shpërthime të njëpasnjëshme, për shkak të sasisë së barutit dhe shtimjeve, të cilat ishin të shpërndara në shesh. Këto shpërthime kanë vazhduar të dëmtojnë fizikisht punëtorët, të cilët ishin në largim e sipër. Shpërthimet kanë vazhduar të shtrihen në gjithë territorin e ish-Brigadës së Tankeve. Shpërthimet kanë qenë të fuqishme dhe të vazhdueshme, për shkak se në datën 15.03.2008, në ambientet ku zhvillohej ky aktivitetit ndodhej një sasi prej 1067.855 ton barut; djegore të tipeve të ndryshme 286.476 copë dhe predha municionesh/shtimjesh 4365,335 ton, me mbushje tritol (TNT) 795,609 ton. Lëndët plasëse dhe djegëse të mësipërme ishin të depozituara në ambientet e pronës nr. 126 (ish brigada e tankeve Gërdec Vorë). Shpërthimet e fuqishme erdhën në formën e një reaksioni zinxhir, që filloi me ndezjen e një thesi të mbushur me barut dhe vazhdoi me ndezjen e barutit që ndodhej aty pranë dhe kutive të municionit. Zjarri vazhdoi të përhapej me shpejtësi, derisa shkaktoi shpërthimin e municioneve luftarake me detonator dhe pa detonator, të cilët ishin të vendosur në skajin juglindor të fabrikës. Nxehtësia e madhe që u krijua dhe efektet e përhapjes së shpejtë të flakës së barutit, sollën shpërthimet e pakontrolluara të predhave, djegoreve dhe shtimjeve unitare të kalibrit 100 mm. Predhat që shpërthenin në ajër në mënyrë të pakontrolluar dhe nxehtësia tepër e madhe që u krijua në gjithë mjedisin, çoi në ndezjen e barutit që ndodhej i mbyllur nëpër kontenierë. Shpërthimi i kontienerëve të mbushur me barut, solli një valë goditëse me efekte shkatërruese për një sipërfaqe tepër të gjerë.

23. Nga këto shpërthime është shkaktuar vdekja e 26 personave, dhe plagosja e rëndë e 27 personave të tjerë.

24. Për shkak të veprimit të flakëve dhe eksplozionit të këtyre municioneve mbi trup, mbeti i vrarë edhe djali i kërkuesve, i mituri Erison Durdaj.

25. Menjëherë pas shpërthimit, Prokuroria e Përgjithshme nisi një hetim, me numër 3/2008. Më 13.03.2009 Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Fatmir Mediu, Agim Lala, Ndue Marku, Ardian Mullahi, Zija Bahja, Luan Hoxha, Zenun Fero, Hysni Çoçka, Lavdi Shatro, Jorgo Mino, Fiqret Mato, Armand Tartari, Fatbardh Kuçi, Shpëtim Spahiu, Adriatik Mema, Rezart Tershana, Denis Hajdari, Gëzim Hoshafi, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fahri Toska, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Shkëlzen Madani, Sokol Ngjeçi, Dritan Minxolli, Juliana Margariti, Dashnor Çaushi, Hilmi Laçaj e “Albademil”sh.p.k me akuzat përkatëse.

26. Më 22.05.2009, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin e ndërmjetëm në lidhje me kërkesat paraprake, ka vendosur: (1) Shpalljen e moskompetencës së Gjykatës së Lartë për gjykimin e akuzave penale në ngarkim të të pandehurve Agim Lala, Ndue Marku, Ardian Mullahi, Zija Bahja, Luan Hoxha, Zenun Fero, Hysni Çoçka, Lavdi Shatro, Jorgo Mino, Fiqret Mato, Armand Tartari, Fatbardh Kuçi, Shpëtim Spahiu, Adriatik Mema, Rezart Tershana, Denis Hajdari, Gëzim Hoshafi, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fahri Toska, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Shkëlzen Madani, Sokol Ngjeçi, Dritan Minxolli, Juliana Margariti, Dashnor Çaushi, Hilmi Laçaj e “Albademil”sh.p.k dhe dërgimin e çështjes në ngarkim të tyre për kompetencë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë; (2) Veçimin e padisë civile nga procesi penal të paditësve Nazime Hazizaj etj., të legjitimuar nga organi i prokurorisë në fazën e hetimeve paraprake dhe mospranimin për shqyrtim të kërkesë padive të avokatit të shtetit dhe padive të tjera civile, duke i dërguar ato për shqyrtim nga një trup gjykues civil i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

27. Më 14.09.2009, me vendimin nr. 6, Gjykata e Lartë vendosi të pushojë gjykimin ndaj të pandehurit Fatmir Mediu, për shkak se rizgjedhja e tij si deputet në Kuvendin e Shqipërisë e kishte veshur këtë person sërish me imunitet parlamentar dhe se për këtë arsye ekzistonte një shkak pengues për të vazhduar gjykimin e çështjes ndaj këtij të pandehuri.

28. Në datën 12.03.2012 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 381, deklaroi se vdekja e të ndjerëve ishte shkaktuar nga shkelja e rregullave të sigurisë në punë dhe të operimit me lëndët plasëse, duke shpallur fajtor katër persona, ndërmjet të cilëve, Drejtori i ndërmarrjes shtetërore MEICO së bashku me një punonjës tjetër të kësaj ndërmarrjeje, administratorin e shoqërisë Albademil sh.p.k. dhe një punonjës tjetër në cilësinë e drejtorit të fabrikës së demontimit, si dhe katër persona nga Forcat e Armatosura për shpërdorim detyre për hartimin e Urdhërit nr. 2044/2007 të Ministrit të Mbrojtjes. Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë u ankimua nga të pandehurit në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila me vendimin nr. 138 dt. 13.02.2013, vendosi ta lërë në fuqi vendimin e mësipërm në lidhje me faktet dhe përgjegjësitë e konstatuara.

30. Më herët, në vitin 2011, Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme të niste edhe një herë procedimin. Pas mosreagimit, i njëjti subjekt kërkues iu drejtua gjykatës.

31. Më 13.06.2011, Gjykata e Lartë, me vendimin nr. 9, vendosi të rrëzojë kërkesën, me arsyetimin se: (1) kërkuesi ishte një shoqatë dhe nuk legjitimohej për këtë kërkesë; (2) ligji nuk ia njihte të drejtën viktimave të ankoheshin ndaj veprimeve të prokurorit për veprat penale që ndiqeshin kryesisht, dhe; (3) vetëm palët në proces mund të bëjnë ankim ndaj vendimeve të prokurorit.

32. Në vendimin e sipërpërmendur, Gjykata e Lartë thekson se: “...autorizimi për procedim mund të kërkohet vetëm nga prokurori, i cili sipas nenit 292 të K.Pr.Penale nuk ka asnjë pengesë ligjore për ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin fakt dhe të njëjtin person nëse i jepet autorizimi nga organi kompetent, ose në momentin që zhduket kushti personal që e bën të domosdoshëm autorizimin (bie imuniteti për shkak të mos qenit më deputet), mund të rifillojë përsëri ndjekjen penale.”

33. Më 18.09.2021, Kuvendi miratoi një amendament të Kushtetutës (ligji 88/2012), i cili ndër të tjera hoqi kushtin pengues për procedimin penal ndaj deputetëve. Në këto kushte Prokuroria e Përgjithshme mund të kërkonte riçeljen e gjykimit për ish Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.

34. Më 04.02.2014 Prokuroria e Përgjithshme, kërkesës së familjarëve të viktimave të shpërthimit të Gërdecit për të ridërguar në Gjykatën e Lartë çështjen penale në ngarkim të Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, iu përgjigj me shkresën nr. 1636/2 prot, duke u shprehur se nuk kishte asnjë vendim për mosfillim apo pushim të çështjes nga ana e prokurorit dhe se ky organ e kishte dërguar një herë çështjen në gjykatë, por kjo e fundit kishte ngritur pengesën e imunitetit dhe kishte pushuar gjykimin. Në këtë mënyrë familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit nuk kishin asnjë mundësi juridike për të kërkuar rinisjen e procesit penal ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes dhe se kjo ishte e mundur vetëm nëse Prokurori i Përgjithshëm do të vepronte ex officio, veprim i cili nuk u krye asnjëherë prej tij.

35. Më herët, Gjykata e Lartë, më 19.07.2013, vendosi të mos pranojë rekurset e paraqitura nga prokuroria dhe nga 29 të pandehurit e tjerë, duke bërë që vendimi i formës së prerë në çështjen penale të mos ndryshohet.

36. Më 29.01.2014 dy familjarë të viktimave, Z. Feruzan Durdaj dhe Zj. Zamira Durdaj iu drejtuan Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke parashtruar ndërmjet të tjerave, edhe faktin që roli dhe përgjegjësia e ish Ministrit të Mbrojtjes nuk ishin gjykuar pavarësisht se hetimi ishte i plotë dhe rezultonte se kishte dyshime të arsyeshme për fajësinë e tij. Më 06.01.2015 Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut i komunikoi qeverisë Shqiptare kërkesën e aplikantëve Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, duke shtruar një sërë pyetjesh, ku kërkohej informacion për rolin dhe përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore në këtë ngjarje kriminale, si dhe në mënyrë specifike nëse ishin marrë masat e duhura që ngjarja të evitohej, nëse ishin bërë inspektimet e duhura, si dhe cili ishte roli dhe përgjegjësia e Ministrit të Mbrojtjes në ngjarje. GJEDNJ caktoi një afat për përgjigjen e qeverisë shqiptare deri më 4 Maj 2015. Deri më sot, qendrimi i qeverisë shqiptare nuk është i qartë për kërkesat e GJEDNJ.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore