Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

SPAK merr dosjen/ Si përfunduan armët shqiptare në Siri, Libi dhe Afganistan

SPAK merr dosjen/ Si përfunduan armët shqiptare në Siri, Libi dhe

Trafikimi i armëve është shndërruar në një biznes të paligjshëm, mjaft fitimprurës, për grupet kriminale shqiptare brenda dhe jashtë vendit, në periudhat para dhe gjatë konflikteve të armatosura në rajon.

Të njëjtat rrjete kriminale që kanë furnizuar me armë “kriminelë” kanë trafikuar armë edhe për “luftëtarë”. Në praktikë, duke iu nënshtruar natyrës së tregut, armë “shtetërore” kanë devijuar drejt sipërmarrjeve kriminale, ashtu si dhe armë në zotërim të qytetarëve janë shitur për konflikte të armatosura dhe veprimtari kriminale.

Megjithatë, duhet theksuar se në shumicën e rasteve qëllimi përfundimtar i këtyre transaksioneve është fitimi monetar dhe jo për çfarë do të përdoren këto armë. Konkretisht, dukuri të tilla janë raportuar para dhe gjatë konflikteve të armatosura në Kosovë në vitin 1999 dhe Maqedoni në vitin 2001.

Që prej vitit 1994, grupe etnike shqiptare të krimit të organizuar, që veprojnë në vende të Evropës Perëndimore, janë furnizuar me armë dhe drogë nga grupe kriminale në Gjeorgji dhe Armeni. Me paratë e siguruara nga shitja e drogës bliheshin sasi të tjera armatimesh, që janë trafikuar drejt konfliktit që po përgatitej në Kosovë. Armë janë siguruar edhe nga ushtarë rusë, në shkëmbim të heroinës.

Zyra e Kombeve të Bashkuara mbi Drogën dhe Krimin (UNODC) ka raportuar gjithashtu furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me armë të blera me para të fituara nga trafiku i drogës, si dhe me mbështetjen e komunitetit të diasporës në Itali dhe Zvicër. Gjithashtu, në Kosovë kanë shkuar edhe armë të plaçkitura nga depot e armatimeve në Shqipëri.

Përllogaritej se nga depot e armatimeve janë plaçkitur rreth 550.000 armë, prej të cilave 38.000 ishin armë dore, 226.000 kallashnikovë, 25.000 mitralozë, 2400 hedhës raketash kundërtank, 3.500.000 granata dore, dhe 3600 tonë eksploziv.

Tregtia përmes kanaleve zyrtare

Duke mbajtur parasysh dallimin midis trafikimit të armëve nga rrjete kriminale dhe tregtisë ndërkombëtare të armëve, ku aktorë kryesorë janë shtetet rezulton se armë dhe municione nga Shqipëria kanë shkuar edhe në zona të tjera për qëllime të ndryshme.

Sipas Regjistrit të Kombeve të Bashkuara për Armët Konvencionale, Shqipëria ka transferuar municione drejt ShBA dhe Bullgarisë, për qëllime demontimi dhe demilitarizimi. Sisteme artilerie të kalibrit të rëndë kanë shkuar edhe për forcat e armatosura të Burkina Faso dhe Republikës Demokratike të Kongos.

Gjithashtu është dokumentuar se 115.510 fishekë të kalibrit 12.7 mm janë dërguar nga vendi ynë në Burundi. Vitin e fundit, armë dhe municione nga Shqipëria i janë dhuruar qeverisë afgane dhe forcave kurde në Irak, në kuadër të përpjekjeve të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit.

Kohët e fundit, armë dhe municione nga Shqipëria mund të jenë trafikuar në Siri. Në nëntor 2014, pas një operacioni të policisë që çoi në arrestimin e 8 personave të dyshuar si të përfshirë në trafikimin e armëve, u raportua mbi dyshime të arsyeshme se ky grup kriminal kishte trafikuar dhe më parë armë në Siri. Megjithatë, këto pretendime janë kundërshtuar nga Prokuroria edhe pse së fundmi kjo dosje do të rihetohet nga Prokuroria Speciale, ndryshe SPAK, pasi janë siguruar prova të reja jo nga autoritetet shqiptare, por të huaja.

Ndonëse nuk ka informacion për përdorim të kanaleve zyrtare për trafikimin e armëve, rezulton se armët dhe municionet janë vjedhur nga depot e policisë dhe ushtrisë, nga punonjës të përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në këtë veprimtari të organizuar kriminale.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore