Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Sot 1 vit më parë, si u v*a Klodian Rasha

Sot 1 vit më parë, si u v*a Klodian Rasha

Tiranë- Rreth orës 01:45 të datës 8 dhjetor 2020, në rrugën "Dritan Hoxha" në Tiranë, u vra 25 vjeçari Klodian Rasha.

Në orët e para të mëngjesit efektivët Erion Gjore dhe Nevaldo Hajdaraj patrullonin nga Zogu i Zi në drejtim të sheshit “Shqiponja”.

Në trotuarin në anë të rrugës vunë re 25-vjeçarin Klodian Rasha, të cilin tentuan ta ndalonin. I pari ishte efektivi Erion Gjore, i cili ndoqi me vrap Rashën. Gjatë ndjekjes në këmbë, punonjësi i policisë Erion Gjore nxorri pistoletën nga brezi dhe e mbante në dorë.

Nga ana tjetër e rrugës është shfaqur efektivi Nevaldo Hajdaraj. Në orën 02:02 minuta e 30 sekonda ai kapërcen bordurën ndarëse të rrugës “Dritan Hoxha” dhe kalon në korsinë tjetër. Në këtë moment shfaqet përbri Klodian Rashës. Në pamje duket qartazi veprimi që kryen.

Në orën 02:02 minuta e 45 sekonda është fiksuar momenti kur në dorë mban pistoletën e shërbimit dhe ia drejton Klodian Rashës. Ky i fundit nuk kishte në duar asnjë send e aq më pak një pistoletë sikurse ishte pretenduar. Këtë konkluzion e deklaron edhe Prokuroria.

5 sekonda më vonë, punonjësi i policisë kapërcen gardhin. Pasi polici Nevaldo Hajdaraj iu afrua në një distancë të afërt, Klodian Rasha nis të vrapojë. Në tentativë për të kapur nga rrobat 25-vjeçarin, efektivi Nevaldo Hajdaraj rrëzohet në trotuar, ekzaktësisht në orën 02:02 minuta e 55 sekonda.

Klodian Rasha vazhdon vrapin me shpinë nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj. Ky është dhe momenti kur Nevaldo Hajdaraj ngre dorën në lartësinë e trupit të 25-vjeçarit Klodian Rasha dhe e qëllon me pistoletën e shërbimit. Dy plumba janë shkrepur nga arma e efektivit Hajdaraj njëri prej të cilëve ka kapur në shpinë Klodian Rashën.

Në orën 02:02 minuta e 58 sekonda, Klodian Rasha futet në rrugicën pranë shtëpisë së tij, që sot kjo rrugë mban emrin e të riut.

Plumbi e ka prekur në pjesën e shpinës. Ai ulet në tokë në pamundësi për të lëvizuar. Kurse polici Nevaldo Hajdaraj ngrihet dhe shkon në drejtim të 25-vjeçarit Rasha. Nxiton dhe armën e shërbimit e vendos në brez. Në rrugicë gjen Klodian Rashën të plagosur.

Në orën 02:03 minuta e 14 sekonda në krye të rrugës shfaqet efektivi tjetër Erion Gjore. Ai thërritet nga kolegu Nevaldo Hajdaraj për çfarë ka ndodhur dhe nis të shpejtojë hapat për të shkuar drejt tyre.


Veprimet e efektivit Hajdaraj tregojnë qartazi momente tensione tek ai pasi ka kuptuar se çfarë ka bërë. Klodian Rasha ishte shtrirë në tokë dhe këto janë edhe sekondat e fundit para se të ndërrojë jetë në vendngjarje.

Polici Hajdaraj i mat herë pas here pulsin Klodian Rashës.

Në orën 02:03 minuta e 47 sekonda, te rrugica mbërrin edhe efektivi Erion Gjore. Të dy kontrollojnë nëse i riu ka ende shenja jete.

Mesa duket i kërkon llogari kolegut Nevaldo Hajdaraj përse qëlloi me armë ndaj 25-vjeçarit Rasha. Aty pranë është shfaqur edhe një person tjetër, një kalimtar i rastit që është marrë si dëshmitar në këtë ngjarje.

Dy kolegët Nevaldo Hajdaraj dhe Erion Gjore bëjnë ecejake sa në drejtim e të rrugës, e pastaj rikthehen te trupi i 25-vjeçarit. Të tensionuar për atë që ka ndodhur nga veprimet e tyre, presin me ankth mbërritjen e ambulancës dhe të shërbimeve të tjera policore.

Në intervalin kohor 02:04 minuta e 7 sekonda deri në orën 02:04 minuta e 49 sekonda, Klodian Rasha ngre kokën për herë të fundit pak sekonda para se të japë shpirt.

Në orën 02:04 minuta e 48 sekonda mbërrin me shpejtësi një automjet policie.

Gati 1 minutë më vonë në vendngjarje shkojnë edhe makina e motora të tjerë të patrullave policore.

8 punonjës policie po qëndrojnë pranë trupit të Klodian Rashës. Vazhdimisht i masin pulsin për të kontrolluar nëse i riu është ende në jetë. Ndërsa efektivi që e qëlloi, Nevaldo Hajdaraj, nuk lejohet nga kolegët që të afrohet dhe i kërkohet të mbajë distancë.

Nga momenti në moment pritet mbërritja e ambulancës për t’i dhënë ndihmën mjekësore Klodian Rashës.

Pranë trupit të 25-vjeçarit qëndron vetëm një punonjës policie, me detyrë përgjegjës, i cili duket në pamje që kontrollon të riun me gjasë në kërkim të ndonjë sendi të kundraligjshëm…. Por nuk gjen asnjë objekt.

6 minuta pasi është qëlluar Klodian Rasha, në orën 02:09 minuta mbërrin dhe ambulanca. Veprimet e stafit mjekësor kanë qenë të shpejta në përpjekje për t’i dhënë ndihmën e parë Klodianit. Por fatkeqësisht për të riun që u qëllua me plumb pas shpine nga polici Nevaldo Hajdaraj nuk kishte shpresë.

Ambulanca u nis drejt Spitalit të Traumës në orën 02:10 minuta e 40 sekonda. Klodian Rasha kishte mbërritur i pajetë në spital. Plumbi prapa shpine i kishte shkaktuar vdekjen.

PROTESTAT

Vrasja e të riut u pasua me një valë protestash në disa qytete të vendit. Dhjetëra qytetarë, pjesa më e madhe e të cilëve të rinj, protestuan për 7 ditë me rradhë për vrasjen nga efektivi i policisë të  25-vjeçarit. Protestat u zhvilluan në Lezhë, Tiranë, Korçë, Shkodër, Durrës etj. Disa prej tyre janë  shoqëruar me përplasje të forta mes qytetarëve dhe efektivëve. Protestuesit që kanë dalë në shesh kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë dhe që mban të rrethuar godinën e Ministrisë së Brendshme duke kërkuar dorëheqjen e ministrit. Ndërkohë në një nga ditët e protestave ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen, duke i pasuar detyrën Bledi Çuçit. Deri në dorëheqjen e minidtrit vendi është përfshirë nga protesta masive, kryesisht Tirana, ku protestuesit kanë shfryrë inatin e tyre ndaj institucioneve por dhe sinjalistikave rrugore, mes tyre tabelave, apo dhe semaforëve.

DËNIMI I POLICIT

Gjykata e Tiranës ka shpallur vendimin për ish-policin Nevaldo Hajdaraj , i cili u akuzua për vrasjen e të riut Klodian Rasha. Nga 15 vite Nevaldo Hajdaraj do të kryejë 10 vite burg për shkak se ka përfituar gjykim të shkurtuar. Gjatë seancës së fundit, avokati i Hajdarajt kërkoi ndryshim të veprës penale, nga vrasje me dashje në “Vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” si dhe kërkoi që i riu të dënohet në minimum, kërkesë që nuk u pranua.

ETJA PËR DREJTËSI

Një vit pas vrasjes babai i Klodian Rashës, Qazim Rasha kërkon nga shteti të zbardhë ngjarjen. Këtu ai i referohet pistoletës së gjendur pak metra larg vendit ku u vra Klodiani. Kjo pistoletë në hetimet e para u tha se ishte e Klodianit dhe ia kishte drejtuar efektivit para se ky i fundit ta qëllonte. Por në fund rezultoi se pistoleta nuk ishte Klodianit dhe ende vijon të mbete mister se kush eka vendosur armën aty? A ishte ky një inskenim për të mbuluar krimin siç thotë babai i Klodianit?

Për këto dhe shumë pyetje të tjera babai i Klodianit kërkon që drejtësia të japë përgjigje duke gjetur personin që e ka vënë armën aty. Babai i Klodianit paralajmëroi se nëse shteti nuk e vendos drejtësinë në vend, ai do ta bëjë vetë. “Atë vendosjen e armës aty bën mirë që shteti ta gjejë e ta cojë sa unë s’kam vendosur akoma për ta gjetur vetë”./Gazeta Shqip

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore