Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Skenaret/Lista e zezë e SHBA në Kongres tërbon Berishën, paralajmëron protesta dhe rikthimin si kryetar i PD-së

Skenaret/Lista e zezë e SHBA në Kongres tërbon Berishën,

Takimi i Elbasanit, si Foltorja e radhës së Berishës u parapri nga një cicërimë të ambasadores amerikane në Twitter, Yuri Kim e cila njoftonte se lista e zezë me personat e shpallur si të korruptuar dhe "non-grata", e quajtur edhe si antikleptokraci ishte depozituar në Kongresin amerikan.

Në këtë listë figuronte Sali Berisha së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes, bashkëshortja Liri Berisha dhe dy fëmijët Argita e Shkëlzen Berisha. Familja Berisha rreshtohej në krah të persona të tjerë të përcaktuar si të korruptuar nga Bullgaria, Namibia, Guatemala dhe Panamaja.

Ky njoftim tërboi siç duket Berishën, i cili ngriti tonet e kërcënoi në dy drejtime. Së pari duke paralajmëruar nisjen e protestave kundër Ramës, pra rrëzimin e qeverisë.

"Ne duhet të përgatitemi për protestat më të fuqishme që ka njohur vendi, protestë, protestë dhe vetëm protestë. Edi Rama duhet ta dish mirë se kur të ngrihemi ne në këmbë nga rruga nuk shqitemi pa të hedh ty aty ku e meriton. Mos luaj me çmimet, jo me kafshatën, njerëzit e paguajnë kafshatën 80 herë më shtrenjtë se qytetarët e vendeve europiane. Mos luaj me shqiptarët, ne do ngrihemi në këmbë, ne po ngrihemi në këmbë si opozitë që do i tregojmë vendin siç i treguam në ’90 regjimit të etërve të tyre. Ftoj demokratët të përgatitemi për një betejë gjer në fitoren tonë të plotë", tha Berisha nga takimi i djeshëm nga Elbasani.

Në fakt ky qëndrim shihet edhe si një kërcënim për protesta të dhunshme si ato të viteve më parë të opozitës, duke na afruar se ky skenar ka qenë i mbështetur plotësisht nga Berisha. Një lëvizje që Berisha synon edhe të djegë kartën e protestave Bashës, i cili ka mbajtur një qëndrim më të moderuar.

Lëvizja e dytë e Berishës ka të bëjë jo vetëm me rrëzimin e Bashës, por edhe me marrjen vetë të drejtimit të partisë më të madhe opozitare. Ish-kryeministri shkoi akoma më tej, duke u shprehur që të marrë çdo detyrë që mund t'i afrohet, pra të "mbretërojë" edhe një herë. Për këta ai ka ofruar skenarin e vjetër që kryetari i PD-së të mos jetë kryeministër.

“U them gazetarëve që tani e tutje jam i hapur për çdo funksion kushtetues të këtij vendi. Cilindo kryetar që dëshironi ju unë do ta pranoj, unë jam i hapur. Historia ka treguar që rikthimet janë të dobishme... Nuk është kusht që kryetari i partisë të jetë dhe kryeministër, le të vendosë anëtarësia, ajo mban përgjegjësinë për të mbështetur këtë lokomotivë në zhvillimin e vendit. Kryetari nuk mund të marrë vendime duke shkelmuar statutin”, tha më tej Berisha.

Një skemë që Berisha e zbatoi kur e mori drejtimin e qeverisë për herë të parë në '92. Aleksandër Meksi ishte kryeministër, ndërsa Eduard Selimi ishte kryetar i partisë, ndërsa Berisha e drejtonte PD-në nga Presidenca. Kur Selami kërkoi zbatimin e standardit që kreu i PD-së të jetë kryeministër, ai e përjashtoi. Foltorja e nisur po zbulon skenare të vjetra, rikthimin e Berishës me komandimin e PD-së de jure dhe jo vetëm de fakto./Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore