Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Si ndjehet Emiljano, kur shikon Ministrin Klosi në këtë foto?!

Si ndjehet Emiljano, kur shikon Ministrin Klosi në këtë foto?!

Emiljano është një nga biznesmenët e vegjël shqiptarë, i cili prej 13 vitesh operon në në sektorin e turizmit në plazhin e Borshit. Këtë vit, ai ende nuk ka hapur çadrat dhe turistët po i kthen mbrapsh çdo ditë. Emiljano ka aplikuar në e-albania për leje shfrytëzimi, por aktualisht jemi në fund të qershorit dhe ende nuk ka marrë një përgjigje. Sa herë që aplikon në e-albania, leja i refuzohet.

Kjo bëhet me një qëllim, që tregu i turizmit të orientohet drejt resorteve, të ndërtuara nga biznesmenë të fuqishëm, të etiketuar shpesh si oligarkët e vendit. Ata s'kanë nevojë për leje shfrytëzimi sepse janë investitorë strategjikë, një titull i vendosur nga qeveria për t'i favorizuar maksimalisht. Këto resorte, plazhin e trajtojnë si plaçkë të tyre, e shfrytëzojnë si të duan dhe pa asnjë kriter.

E sikur të mos mjaftonte kjo, edhe marketingun resortet e kanë të garantuar. Ministri i Turizmit Blendi Klosi, i inaguron dhe ri-inaguron çdo vit dhe u bën thirrje pushuesve që të frekuentojnë "plazhet elitare" - siç e quan ai. E fundit ishte ceremonia e madhe për Morina Palace, ku Klosi ishte ulur në krah të biznesmenit elitar Lul Morina.

Por jo vetëm!

Ministri i kalon vetë pushimet në resorte si Nazar, Drymadhes IN etj. duke shfaqur një mbështetje publike, për destinacionet e jugut. Deri më sot, ne nuk e kemi parë ministrin Klosi që të jetë prezent më inaugurimin e ndonjë biznesi të vogël në Palasë, Dhërmi apo Himarë, si një akt mbështetjeje për operatorët e vegjël, që prej vitesh promovojnë zhvillimin e turizmit që është jetik për Shqipërinë.

Precedentë të tillë ka plot, këtu mund të përmendim si shembull rastin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj që shkon në çdo biznes të vogël në Tiranë dhe e poston në facebook-un e tij. Por Klosi, si ministër i Turizmit ka tjetër target. Ai shpërndan në facebook, resortet.

Dhe në fund lind pyetja, si ndjehet Emiljano duke pritur në diell për lejen e plazhit në Borsh dhe në të njëjtën kohë shikon foton e Ministrit Klosi me Lul Morinën?

Turizmi i rrënuar

Turizmi është një nga arteriet kryesore të ekonomisë shqiptare. Pas më shumë se një viti nga pandemia e shkaktuar nga Covid, biznesi i vogël u godit dhe kjo u ndje veçanërisht në zonat e bregdetit shqiptar.

Për shkak të pandemisë pati 1,1 miliardë euro më pak të ardhura në arkat e shtetit, e kjo si nevojë e shpenzimeve të munguara nga turistët gjatë vitit 2020.

Përballë kësaj situate, qeveria dhe pushteti lokal duhej të kishte marrë masa lehtësuese ndaj biznesit të vogël, si në licencat e stacioneve e plazheve në bregdetin shqiptar nga veriu dhe në jug të Shqipërisë, apo te taksat vendore.

Por e kundërta ka ndodhur, pushteti lokal dhe ai qendror në vend që të ndikojë në lehtësimin barrës ndaj biznesit të vogël, i rriti taksat dhe i nxori pengesa në lidhje me regjistrimin e tyre për marrjen e lejeve në e-Albania për stacionet e plazheve. Gjithashtu edhe masat parandaluese anti Covid në fuqi, sipas shoqatave do t’i penalizojë akoma, ku parashikohen 30% të ardhura më pak.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore