Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

SHBA përkujton 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit

SHBA përkujton 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit

Presidenti Joe Biden përkujtoi 20 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit me vizita në secilin prej tre vendeve ku u rrëzuan aeroplanët e rrëmbyer në vitin 2001.

Zoti Biden e nisi ditën në Nju Jork, ku mori pjesë në një ceremoni në vendin ku dikur ngriheshin kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë përpara se ato të goditeshin nga dy aeroplanë të rrëmbyer nga terroristët.

Presidenti Biden dhe ish-Presidentët Bill Clinton dhe Barack Obama si shumë të pranishëm në vendngjarje, mbajtën një minutë heshtje në 8:46, që përkon me momentin kur avioni i parë goditi njërën prej kullave.

Rreth 3,000 persona humbën jetën gjatë sulmeve në Nju Jork, Pentagon dhe në Pensilvani. Në Shenksvill të Pensilvanisë pasagjerët e avionit arritën të parandalojnë që rrëmbyesit të godasin objektivin e planifikuar, duke e detyruar avionin të rrëzohet në një fushë.

Në Nju Jork të afërmit e viktimave lexuan emrat e atyre që humbën jetën si pasojë e sulmit ndaj dy kullave binjake. I pranishëm në ceremoni ishte edhe Rudy Giuliani, i cili në kohën e sulmeve mbante detyrën e kryebashkiakut të Nju Jorkut.

Zoti Biden më pas u nis për në Shanksville të Pensilvanisë. Në ceremoninë e zhvilluar atje ish-Presidenti George W. Bush, i cili udhëhoqi vendin gjatë kohës së sulmeve terroriste mbajti një fjalim për nder të viktimave duke kujtuar heroizimin e tyre.

Presidenti vizitoi më pas Pentagonin, simbolin e fuqisë ushtarake amerikane i cili më 11 shtatorin e 2001 u godit nga një tjetër aeroplan i rrëmbyer.

Ky përvjetor vjen menjëherë pas përfundimit të luftës së udhëhequr nga SHBA në Afganistan që nisi gjatë administratës Bush rreth 20 vjet më parë me synimin për të çrrënjosur al Kaedën, përgjegjëse për sulmet e 11 shtatorit.

Tashmë prej 31 gushtit 2021 SHBA i ka dhënë fund luftës në Afganistan.

Presidenti Biden nuk kishte planifikuar të mbante asnjë fjalim në të tre vendet kur po zhvillohen ceremoni me rastin e 20 vjetorit të sulmeve terroriste. Të premten ai publikoi një video për të shprehur ngushëllimet e tij për të dashurit e viktimave dhe për të nxjerrë në pah unitetin kombëtar që përshkoi vendin menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit.

Përvjetori vjen menjëherë pas përfundimit të luftës së udhëhequr nga SHBA në Afganistan, e nisur rreth 20 vjet më parë për të çrrënjosur Al Kaedën, e cila kreu sulmet e 11 shtatorit.

Sulmet e 11 shtatorit 2001 ndodhën brenda një periudhe prej më pak se 102 minutash, duke shkaktuar vdekjen e 2,996 njerëzve në atë ditë. Ky është sulmi më i rëndë terrorist në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara.

Sulmet u pasuan nga lufta në Afganistan që zgjati gati 20 vjet, që sipas Departamentit të Mbrojtjes, shkaktoi vdekjen e të paktën 2,325 ushtarëve amerikanë. Askush nuk e di saktësisht se sa civilë u vranë në këtë luftë.

Më 11 shtator 2021, Presidenti Joe Biden do të përpiqet të reflektojë mbi këtë tragjedi të dyfishtë, duke bërë nderime në tre zonat ku ndodhën sulmet, të cilat nxitën luftën më të gjatë të Amerikës.

Lufta Globale kundër Terrorit, siç u quajt atëherë, u shtri përtej Afganistanit, duke arritur në Irak dhe cepa të tjerë të globit, përfshirë Afrikën. Në Irak, konflikti shkaktoi vrasjen e gati 4,500 ushtarëve amerikanë dhe qindra mijëra civilëve.

Që nga vendimi i debatueshëm për të tërhequr të gjithë trupat nga Afganistani deri në fund të gushtit, administrata e Presidentit Biden ka bërë lëvizje vendimtare për të lënë prapa 20 vitet e fundit, duke deklasifikuar një mori dokumentesh që mund të hedhin dritë mbi ngjarjet e 11 shtatorit dhe duke mbajtur një distancë nga qeveria e ashpër teokratike talebane, që mori pushtetin në Afganistan ndërsa amerikanët po tërhiqeshin.

Tre zona

Të shtunën, Presidenti Biden do të vizitojë tre vendet ku u ndezën shkëndijat e luftës: qyteti i Nju Jorkut, ku në orën 8:46 të mëngjesit të një dite shtatori me diell, një avion i kompanisë American Airlines u përplas në kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë dhe ku, 17 minuta më vonë, një avion i kompanisë United Airlines goditi kullën jugore.

Ai gjithashtu do të vizitojë Pentagonin, ku 34 minuta më vonë, u përplas një avion i kompanisë American Airlines. Ndërsa Nënpresidentja amerikane Kamala Harris do të vizitojë memorialin në Shanksville të Pensilvanisë, ku u rrëzua avioni i katërt i rrëmbyer, i kompanisë United Airlines.

Është një skenar, gati kinematografik për 20 vitet e fundit, thotë për Zërin e Amerikës, Jeremi Suri, profesor i historisë në Universitetin e Teksasit në Austin.

"Presidenti po reflekton mbi ngjarjet në 20 vitet e fundit. Ai po vepron si historian dhe po thotë se kemi përfunduar një epokë, ashtu si fundi i epokës së Luftës së Dytë Botërore. Tani është koha për të marrë vendime të reja ashtu siç bëri Harry Truman, pas epokës së Luftës së Dytë Botërore".

Profesor Suri, librat e të cilit eksplorojnë zyrën e presidencës dhe politikën e jashtme amerikane, thotë se historianët shohin njëfarë logjike në mënyrën sesi presidenti po krijon këtë moment.

"Por ne gjithashtu do të shohim, siç ndodh gjithmonë, se një epokë nuk përfundon në momentin, kur fillon një epokë e re", tha ai. "Unë mendoj se ne jemi në një moment tjetër pas zgjedhjeve të vitit 2020 dhe jemi në një moment të ndryshëm me ngritjen e Kinës. Por shumë nga çështjet e 20 viteve më parë nuk kanë përfundime të rregullta të kapitujve në mënyrën siç duken në librat tanë".

Zëvendës këshilltarja e sigurisë kombëtare Elizabeth Sherwood-Randall thotë se ajo që ka rëndësi, ndërsa bota po kalon dy dekada nga sulmet e 11 shtatorit 2001, është se nuk ka patur një sulm tjetër të madh terrorist në SHBA.

Sfida të ndryshme

"Njëzet vjet më vonë, sfidat tona janë të ndryshme", tha ajo gjatë një diskutimi këtë javë në Këshillin Atlantik. "Ne kemi mësuar që nga 11 shtatori (2001) se si t'i mbrojmë amerikanët nga terrorizmi. Kjo nuk do të thotë që jemi 100% të sigurt, gjëra të tmerrshme ende po ndodhin. Por përmes një kombinimi të veprimeve jashtë dhe brenda, ne deri tani kemi qenë në gjendje të parandalojmë një sulm tjetër të ngjashëm me atë të 11 shtatorit 2001".

Por historiani i Universitetit të Vanderbiltit, Thomas Schwartz thotë se do të ketë pasoja pas ceremonive përkujtimore të së shtunës, që do të shënojnë mbarimin e një epoke.

"Unë jam ndoshta më kritik për këtë sepse nuk mendoj se kjo është diçka që vërtetë mund të bëhet", tha ai. "Unë mendoj se armiku në njëfarë kuptimi ka një votë. Ai mund të vendos që të mos e përfundojë këtë kapitull pas 20 vjetësh. Dhe në këtë kuptim, unë mendoj se fjalët e Presidentit Biden, dhe veprimet e tij, si ai për të caktuar një afat për tërheqjen nga Afganistani ishin të gabuara dhe mund të ndikojnë Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të ardhshme".

Presidenti ka të ngjarë të mbajë një fjalim të shtunën, por "fjalët nuk do të bëjnë ndonjë ndryshim në këtë pikë", thotë Norman Ornstein nga Instituti “American Enterprise”, me prirje konservatore.

"Natyrisht, ai duhet të mbajë një fjalim të hartuar me kujdes të shtunën, ku pjesërisht do të theksojë se ne kemi arritur përmes disa administratave të shmangim një 11 shtator tjetër", tha Ornstein. "Ne arritëm të kapim dhe vrasim njeriun që ishte përgjegjës për sulmet, Osama bin Ladenin, se lufta kundër terrorizmit nuk ka mbaruar ende dhe se kemi bërë shumë gabime gjatë kësaj fushate. Dhe ne do të përpiqemi të shmangim gabimet e atij lloji në të ardhmen."

Libani në 1983

Por ai paralajmëron se amerikanët mund të shikojnë historinë si shembull se çfarë mund të ndodhë, jo atë të vitit 2001, por atë të vitit 1983, kur Presidenti Ronald Reagan vendosi të tërhiqte forcat amerikane nga Libani disa muaj pasi një sulmi me bombë që vrau 241 ushtarë amerikanë. Ky, tha Ornstein, është ndryshimi themelor midis Amerikës së sotme dhe Amerikës së dekadave të kaluara.

"Ne nuk bëmë thirrje për dorëheqjen e Ronald Reaganit, dhe nuk filluam një proces për shkarkimin e tij", tha ai, duke krahasuar situatën e vitit 1983 me situatën e tanishme, në një referencë ndaj ligjvënësve republikanë, të cilët kanë kritikuar ashpër tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani.

"Ne nuk e kishim këtë përçarje në linja partiake. Gjendja politike në vendin tonë ka ndryshuar shumë krahasuar me 40 vjet më parë.Gjithçka tani shihet nga një pikëpamje më e fragmentuar", thotë ai. "Dhe ky është një element shqetësues. Është të paktën po aq shqetësues sa drejtimi që do të marrë vendi në të ardhmen ndërsa ne përballemi me kërcënime të tjera."

Amerikanët kanë vazhduar të mbështesin gjerësisht vendimin e presidentit për t'u tërhequr nga Afganistani në sondazhet e fundit të opinionit publik, por ata gjithashtu kanë kritikuar PresidentinBiden për mënyrën se si administrata e tij e trajtoi evakuimin e njerëzve nga ai vend. Kjo është pjesërisht arsyeja pse sondazhet e reja tregojnë një miratim prej vetëm 43% për punën e tij, më i ulëti i presidencës së tij deri tani. / Zëri i Amerikës

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore