Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Sali Berisha kërcënon të shpallë gjithë Shqipërinë “non grata”, ja pse

Sali Berisha kërcënon të shpallë gjithë

TIRANË - Sali Berisha kërcënon që të shkëpusë totalisht marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithçka për të mbrojtur, siç e akuzon Lulzim Basha, interesat e tij personale.

Por si? Në konferencën për mediat të thirrur mbrëmjen e kësaj të mërkure, ish-Kryeministri deklaroi publikisht se nuk synon vetëm postin e kryetarit të Partisë Demokratike, por “oreksin” e ka edhe për një rikthim si Kryeministër i vendit.

“Dua të sjell para jush dokumentin më të rëndësishëm në historinë e pluralizmit shqiptar pas rrëzimit të komunizmit. Kam kënaqësinë të paraqes para jush drejtoreshën e komunikimit të kësaj nisme historike, që ka për synim rivendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Fitoren e PD-së dhe rikthimin e Sali Berishës si Kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë. Të gjitha këto me vullnetin e shqiptarëve. Kam kënaqësinë t’iu prezantoj Floriana Garon. Një studente e shkëlqyer dhe konkurrente e suksesshme në garat e bukurisë. Floriana në jetën e saj ka të regjistruara një sëri suksesesh”, tha ai.

Sipas këtij dokumenti, plani i Berishës pas marrjes hipotetike të Partisë Demokratike nga Lulzim Basha është rrëzimi i Edi Ramës dhe rikthimi i PD-së në pushtet me atë si Kryeministër të vendit.

Deklarata sfidon drejtpërdrejtë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që përmes Ambasadores Yuri Kim vetëm pak orë më parë deklaruan se do të shkëpusnin lidhjet me një parti që drejtohet nga një person i shpallur “non grata” nga SHBA.

“Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, tha Ambasadorja Kim në një intervistë për Top Channel.

I vënë në dijeni të kësaj deklarate të Ambasadores, Berisha iu kundërpërgjigj. “Çështja e kafes, ajo të vazhdojë të pijë kafe në livadhet e qeverisë, unë do ta afroj Shqipërinë me BE dhe SHBA", tha Berisha.

Me këtë deklaratë, Berisha sugjeron se vendimi ndaj tij është çështje e një grupi të vogël personash, që nuk ka lidhje me diplomacinë amerikane. Këtë qëndrim e ka mbrojtur edhe në padinë e ngritur ndaj Sekretarit Blinken, e të papranuar ende nga Gjykata Korrektuese e Parisit.

Por, të gjitha këto pretendime të Berishës bien ndesh me sinjalet e vazhdueshme që mbërrijnë nga Uashingtoni. I fundit ishte nga Gabriel Escobar, zyrtari i lartë i DASh që ka nisur një tur vizitash në rajon. Ai paralajmëroi se “non grata” është mekanizmi më i zbutur i kundërvënies ndaj personave që akuzohen për korrupsion. Hapa të tjerë mund të jenë bllokimi i llogarive dhe aseteve të këtyre personave, të afërmeve e deri të kompanive e bizneseve që i mbështesin.

Deklarata konfirmon seriozitetin e SHBA në këtë fushatë të nisur në Ballkan, ku Sali Berisha nuk është as i pari dhe nuk ka për të qenë as i fundit. Prandaj, “karshillëku” i Sali Berishës ndaj SHBA në këto ditë, duke përdorur e keqpërdorur Partinë Demokratike nuk çon asgjëkundi.

Por, edhe nëse do të çojë diku, e vetmja arritje e kësaj kokëfortësie do të jetë shpallja “non grata” e Shqipërisë. Sepse në skenarin e parë, pra të atij që Sali Berisha merr PD dhe e çon këtë parti në përplasje me SHBA, pasojat do të ishin të rënda për vetë partinë dhe më të zbutura për të gjithë shqiptarët. Në skenarin e dytë, pra në atë ku Sali Berisha zgjidhet Kryeministër, pasojat do të ishin edhe më të rënda dhe refuzimi i kafes, si gjest ndaj një person mund të shndërrohej në një refuzim për një komb të tërë.

Megjithatë, në këtë fazë shanset që kjo të ndodhë duken zero. Berisha mund të deklarojë sa të dojë lart e poshtë që ka miq “republikanë e demokratë” që i japin të drejtë. Shembujt e të shkuarës në diplomacinë amerikane tregojnë se në të tilla raste, e të tilla përplasje ajo ka vazhdimësinë, që do të thotë se pavarësisht se kush është në pushtet, linja në politikën e jashtme nuk ndryshon dhe bashkë me të as lista e personave “non grata”. /Gazeta SHQIP

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 
Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore