Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Rusia del kundër Turqisë, Lavrov në Athinë: Ne e bëmë Greqinë të pavarur

Rusia del kundër Turqisë, Lavrov në Athinë: Ne e

Rusia e Vladimir Putinit ka dalë hapur pro Greqisë në betejën e saj me Turqinë, duke kujtuar betejën e vitit 1827, kur pikërisht Perandoria ruse e Katerinës ishte faktori primar në pavarësinë e Greqisë nga Perandoria osmane. Menjëherë ky qëndrim është përforcuar në mediat greke, të cilat prej kohësh nuk gëzohen kaq shumë nga gjetja enjë aleati të tillë të madh.

Të zhgënjyer nga SHBA dhe Gjermania që nuk mbajtën anë gjatë konfliktit greko-turk për Mesdheun Lindor, mediat greke janë entuziazmuar shumë për coming out-in e Moskës për të përkrahur Greqinë.

Lavrov, i cili do të vizitojë Athinën të hënën, publikoi një video në twitter ku bën të ditur betejën e Navarinos, kur forcat ndërkombëtare me në krye Rusinë mbytën flotën osmane në Gjirin e Navarinos në Detin Egje në vitin 1827. Ndërkaq, vetë Putin do të vizitojë Greqinë në vitin 2021.

Ky postim pason një njoftim nga ambasada ruse në Greqi, që përkrahu qëndrimin e Athinës për të shtrirë ujërat e saj territoriale në 12 milje detare.

Në videon e shpërndarë nga ministria e jashtme Ruse përkujtohet beteja e  20 tetor 1827, kur në Gjirin e Navarinos forcat e Rusisë, Francës dhe Britanisë së Madhe dhanë një goditje të rëndësishme kundër Osmanëve, duke mbështetur luftën e Greqisë për  Pavarësi.

Në postim, ministri i Jashtëm rus thekson: "193 vjet më parë, forcat ruse së bashku me forcat e Britanisë së Madhe dhe Francës mundën flotën turko-egjiptiane. Fitorja e forcave aleate në Navarino hapi rrugën për pavarësinë e Greqisë”.

Mesazhi i mëparshëm i Moskës për Ankaranë erdhi gjashtë ditë më parë kur ambasada ruse në Greqi përsëriti mbështetjen e saj të vendosur për Konventën e OKB mbi Ligjin e Detit (1982), duke theksuar të drejtën sovrane të shteteve për ujërat territoriale. deri në 12 milje detare.

"Kjo vlen edhe për Mesdheun," theksohej në deklaratë, duke shtuar se sfidat e Turqisë në Mesdheun Lindor me Oruç Reis vazhdojnë.

Ministria e Jashtme ruse, në deklaratën e saj theksoi më tej se “Pozicioni i Rusisë si një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB është pozicioni i autoritetit. Ne e konsiderojmë Konventën e KB të vitit 1982 mbi Ligjin e Detit gur themeli të regjimit ndërkombëtar detar. Konventa parashikon shprehimisht të drejtën sovrane të të gjitha shteteve për ujërat territoriale deri në 12 milje detare dhe përcakton parimet dhe metodat për caktimin e kufijve të EEZ. Kjo vlen edhe për Mesdheun.

E përditshmja greke, Protothema, thekson në komentin e saj se “Rusia dhe Turqia, megjithëse ka vite që kanë pasur një periudhë afrimi mes tyre, në të njëjtën kohë relacionet e tyre janë të vështira. Kjo sepse interesat e të dy vendeve janë në konflikt në të gjitha frontet lokale, në Siri, Libi dhe Kaukaz.

E vetmja arsye që Moska dhe Ankaraja mbahen afër është interesi i ndërsjellë për "tablonë e madhe". Vladimir Putin po bën kompromise me homologun e tij turk në frontet individuale e lokale, në mënyrë që të mbajë të hapur përçarjen në marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin dhe kështu të zvogëlojë presionin e ushtruar mbi të në mënyra të ndryshme nga SHBA dhe Evropa.

Nga ana tjetër, Rexhep Taip Erdogan ka nevojë për Rusinë që të ekuilibrojë presionin amerikan për t'u kthyer në “korridorin perëndimor”. Mos të harrojmë se ai është i bindur se pas grushtit të shtetit të dështuar në korrik 2016 ishte një gisht amerikan.

Sidoqoftë, në veçanti, ndërhyrja e hapur e Turqisë për të mbështetur në mënyra të ndryshme sulmin azerbajxhanas ndaj Nagorni-Karabakut Armen i ka shkaktuar shqetësim të madh Rusisë, e cila e konsideron Kaukazin si "oborrin e saj të pasmë" dhe "barkun e butë" nga një këndvështrim gjeopolitik. Prandaj, njoftimi për zgjerimin e ujërave territoriale Greke dhe vizita e Lavrov duhet të shihet si një përgjigje indirekte e Moskës ndaj Ankarasë”.

Në një intervistë në radio ruse, Lavrov tha se Rusia "kurrë nuk e konsideroi Turqinë një aleat strategjik, por një partner strategjik, një marrëdhënie që ka një rëndësi strategjike në shumë aspekte". Sipas medias greke, duke ardhur në Athinë, Sergei Lavrov i kujton Ankaranë se ai nuk po “luan” vetëm me të.

 

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore