Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Rrëzimi i qeverisë i shtron rrugën Albin Kurtit, por me kë do të qeverisë pas zgjedhjeve?!

Rrëzimi i qeverisë i shtron rrugën Albin Kurtit, por me kë

Vendimi i Gjtkatës Kushtetuese të Kosovës e cila rrëzoi qeverinë e Avdullah Hotit, duke e çuar vendin në zgjedhje, përveçse ka tronditur skenën politike të vendit, i ka dhënë një fuqi të madhe këtij institucioni. Disa vjet më parë, po Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka rrëzuar Presidentin e Kosovës, kur në këtë post u zgjodh Behgjet Pacolli, pikërisht me një dispozitiv të ngjashëm siç bëri me qeverinë sot. Të votave të parregullta në Kuvend.

Po ashtu në këtë pranverë Gjykata Kushtetuese i dha jetë nisjes së qeverisë “Hoti” pas rrëzimit të asaj të Albin Kurtit. Në historinë e vendeve të Ballkanit nuk ka ndodhur që një institucion i tillë të ketë tronditur pushtetet më të mëdha të vendit si në Kosovë.

Të jetë vërtetë kaq e konsoliduar fuqia e Gjykatës Kushtetuese e Kosovës? Realisht vendimet e saj ja kanë dhënë këtë besueshmëri, e ndaj gjithmonë i frikësohen politikanët, prej traditës që ka krijuar.

Por nga ana tjetër, duke qenë një vend që është ende në një “protektorat” ndërkombëtar, ku ka mijëra trupa ushtarake ndërkombëtare, ku EULEX ka fuqi edhe policore, përveçse gjyqësore e hetimore, nuk mund të shmanget ndikimi ndërkombëtar në zhvillimet e rëndësishme që kanë penguar vendin të ecë përpara.

Megjithatë, pas arrestimit të Hashim Thaçit nga Prokuroria Speciale, e lënia vakant e rolit të presidentit, kanë dhënë një pritshmëri për një krizë të mundshme qeveritare. Kjo pasi të gjithë partitë nuk kanë një konsensus për zgjedhjen e kreut të shtetit, ndaj dhe zgjedhjet e parakohshme ishin të pashmangshme. Por kjo pritej që të ndodhte vitin e ardhshëm kur të afrohej afati 40 ditor i qëndrimit të Vjosa Osmanit në postin e Presidentes në detyrë të Kosovës.

Megjithatë, ky zhvillim shumë i rëndësishëm ndodhi në një termin politik gjithashtu me peshë: brenda Presidencës gjermane të Bashkimit Europian. Një sinjal i qartë i ndikimit të kancelares Merkel, pas përplasjes me Trump dhe Grenell për zgjidhjen finale mbi dialogun Serbi-Kosovë.

Fjalëkryqi i politikës shqiptare pas zgjedhjeve duket më i qartë, në këtë moment kur fituesi shikohet qartë se është Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Kreu i Vetëvendosjes është në ditët më të mira të karrierës së tij, madje më mirë se kur ishte kryeministër. Përkrahu Joe Biden hapur i cili fitoi, mbajti marrëdhënie të mira me Merkel dhe për gjithë këto kohë ka harruar “variantin revolucionar”.

Megjithatë enigma është  se a do ta arrijë Albin Kurti mazhorancën për të krijuar qeverinë prej 50%? Në 6 tetorin e vitit të shkuar Vetëvendosje mori 26.2%, e aktualisht aktiviztët e kësaj partie janë në delir e thonë se do të marrin më shumë se 51%. Kjo duket më shumë sesa një entuziazëm elektoral, megjithatë, sikur sërish Vetëvendosje nuk merr 51%, ajo i ka të gjitha gjasat që të dalë parti e parë, e si rrjedhim të kryesojë bisedimet për qeverinë e re.

Kësaj radhe, ndryshe më 6 tetor 2019 i ka më të lehta negociatat pasi nuk ka “vija të kuqe” ndaj askujt siç ka pasur për Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Kushdo prej partisë së dytë apo të tretë nuk do ta refuzonte variantin e koalicionit me Albinin, edhe për arsye se sot nuk ka një variant politik për ta rrëzuar atë, siç një vit më parë ishte Richard Grenell dhe Hashim Thaçi.

Madje nuk është çudi e një qeverie vetëvendosje-PDK, të dy vijnë nga një opozitë ndaj qeverisë “Hoti” dhe të dyja i kanë rrënjët në UÇK, e gjithashtu të dyja këto parti kanë liderë të tyre në Hagë: PDK Thaçin e Veselin e Vetëvendosje Rexhep Selimin. Këtë variant, madje nuk e ka kundërshtuar edhe Albin Kurti gjatë një interviste televizive.

Ndërkaq, mundësitë për një koalicion me Ramush haradinajn janë më se të hapura, pak komplikacione me LDK-në e Isa Mustafës, por deri pas zgjedhjeve do të rrjedhin shumë ujra dhe ndërkombëtarët do të jenë si gjithnjë vendimtarë, në përcaktimin e zhvillimeve...

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore