Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Regjimi 41 bis/ Shqipëria kalon provën, modeli italian për të fortët që ndodhen në burg

Regjimi 41 bis/ Shqipëria kalon provën, modeli italian për

Që prej muajit prill e deri më tani, Shqipëria pati disa muaj kohë për të testuar regjimin e ashpër të burgjeve, në të cilin janë më shumë se 200 të burgosur që do i nënshtrohen, por në periudha të ndryshme, pasi nuk ka ende kapacitete.

Shqipëria deri më tani ka testuar vetëm një burg të sigurisë së lartë, në të cilin do të zbatohet ky regjim. Aktualisht ka përfunduar sistemi i kamerave dhe ai telefonik, ndërsa në 1 shtator do të mbërrijnë të parët aty.

Ka pasur edhe një trajnim të personelit të burgjeve, me këtë sistem të panjohur më parë për Shqipërisë dhe që e ka marrë si model nga Italia, e cila e ka filluar këtë praktikë në vitin 1992 pas vrasjeve të bujshme nga mafia të Xhovani Falkones dhe Paolo Borselinos.

41 bis është një regjim i veçantë dhe më i rreptë i burgjeve sesa ai normal. Aty janë të destinuar të shkojnë autorët e krimeve më të rënda, veçanërisht krimet që lidhen me krimin e organizuar.

Qëllimi kryesor i këtij institucioni të vuajtjes së dënimit është që t’i ndalojë të burgosurit të marrin informacion nga jashtë, nga ana e organizatave të cilave ata i përkisnin, të japë informacione dhe të përcjellë direktivat për bashkëpunëtorët që janë të lirë jashtë.

41 bis minimizon kontaktet midis të burgosurit dhe njerëzve të jashtëm (me anëtarët e familjes dhe avokatët), si dhe me të burgosurit e tjerë dhe gjithashtu edhe me rojet e burgut. Me pak fjalë, është një gjendje e izolimit total.

Në Itali, kufizimi ekstrem që sjell ky regjim ka hapur shumë herë debatin mbi legjitimitetin e tij: nëse është e vërtetë që Kushtetuta lejon vetë një regjim të veçantë burgu për kriminelë shumë të rrezikshëm është gjithashtu e vërtetë që në disa raste 41 bis përkthehet në privim të të drejtave të njeriut në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Çfarë parashikon?

Ata që i nënshtrohen këtij regjimi mbahen në një qeli të vetme dhe nuk kanë akses në hapësirat e përbashkëta të institucionit penitenciar, edhe ora e ajrimit ndodh në izolim total. Qelia e një të burgosuri ka një shtrat, një tryezë dhe një karrige të gozhduar në tokë dhe çdo formë privatësie është e pamundur.

Të arrestuarit në këtë regjim nuk mund të zotërojnë ndonjë objekt personal, madje as një libër. Lëshime bëhen vetëm në raste të veçanta, që kërkojnë një proces të gjatë aprovimi.

I burgosuri monitorohet nga policia e burgut 24 orë në ditë, ndërsa kontaktet me rojet e burgut reduktohen në minimumin e mundshëm. Takimet dhe bisedat me anëtarët e familjes, avokatët dhe çdo kontakt tjetër me pjesën e jashtme janë gjithashtu jashtëzakonisht të kufizuara.

Edhe pse mund të jetë subjekt i këtij regjimi, i burgosuri ka të drejtë të marrë kujdesin mjekësor që i nevojitet në burg, dhe, kur është i domosdoshëm, ai mund të dërgohet në spital.

Krime e të dënuarve të regjimit bis 41

Ligji Ndëshkimor 41 bis përcakton që ky lloj burgu vihet në zbatim për krimet e mëposhtme: për qëllime terrorizmi; organizata kriminale e llojit mafioz; bashkëpunim me organizatat mafioze; skllavëri; prostitucioni i fëmijëve; trafikimi i qenieve njerëzore; blerja ose shitja e skllevërve; dhunë seksuale në grup; rrëmbim me qëllim grabitjen ose zhvatjen; grup kriminal për trafikim të substancave psikotrope ose narkotike.

Shifrat në Itali

Në Itali janë 22 institucionet e vuajtjes së dënimit që e aplikojnë këtë regjim. Të dhënat e të fundit të numrit të të burgosurve nën regjimin 41 bis datojnë në periudhën dy vjeçare 2017-2019: në fillim të vitit 2017, 729 të dënuar mbaheshin në këtë lloj burgu, 7 prej tyre gra. 80% e tyre ishin të dënuar për krime që lidhen me grupet mafioze.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore