Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Reforma zgjedhore, PD do të kërkojë lista të hapura 100 për qind

Reforma zgjedhore, PD do të kërkojë lista të hapura 100

Një prej kërkesave të Partisë Demokratike për reformën zgjedhore do të jetë hapja 100 për qind e listave. Propozimi u bë nga përfaqësuesi ligjor i demokratëve në kontestimin e rezultatit të 25 prillit, Marash Logu. Logu tha se veç kësaj, PD do të kërkojë që të ketë edhe barazi të votës.

Duke marrë si shembull votat e siguruara nga PSD dhe nga LSI në zgjedhjet e fundit, përfaqësuesi ligjor i PD u shpreh në Zona Zero në Top News se sistemi aktual deformon votën e qytetarëve.

“Partia Demokratike do të kërkojë lista 100 për qind të hapura dhe këmbëngulë në barazinë e votës, ku të mos kemi që një parti me 35 mijë vota merr 3 mandate dhe një parti me 100 mijë vota merr katër mandate. Ky është deformim i sistemit”, tha ai.

Ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume që së bashku me aktorë të tjerë të shoqërisë civile ka ndërmarrë disa nisma për të korrigjuar sistemin zgjedhor dhe rikthyer të drejtën për referendum për qytetarët tha se në tryezën e radhës për reformën zgjedhore nuk duhet të ulet vetëm politika.

“Të gjitha palët të ulen, por të githa palët të ulen. Kur them të gjitha palët jo vetëm partitë politike por edhe shoqëria civile”, tha ai.

Ndërkohë, Marash Logu u shpreh se për Partinë Demokratike, 25 prilli nuk është një kapitull i mbyllur.

Partia Demokratike pritet që të ngrejë shumë shpejt një grup pune dhe do të dërgojë në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni për reformën zgjedhore.

“Do t’i çojmë shumë shpejt Kuvendit kërkesën për ngritjen, apo për vazhdimin e punës për reformën zgjedhore”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha për mediat pas takimit me delegacionin e OSBE që hartoi raportin për zgjedhjet e 25 prillit.

Por, vetëm reforma zgjedhore, thotë Basha, nuk mjafton.

“Sepse regjimi me 25 prill dhe të gjitha muajt para 25 prillit dhe pas 25 Prillit deri në procesin e ankimimeve, shkeli dhe ato rregulla që kishte aprovuar vetë, ato që kishte aprovuar vetë, pa opozitën, pa Partinë Demokratike, pa aleatët tanë. Pra qartësisht në këtë vend nuk duhet thjeshtë një reformë zgjedhore, por duhet një shkundje e thellë në mënyrë që instrumentat e regjimit të mos funksionojnë më dhe vendi të kthehet në demokraci”, u shpreh Basha.

Dy mekanizmat kryesorë për të ecur drejt kësaj, tha Basha, është “t’iu japim shqiptarëve jo thjesht legjislacionin, pra Kodin Zgjedhor, Kodin Penal, ndryshime të tjera, ndryshime për të garantuar lirinë e medias, por edhe instrumentet që garantojnë që ky legjislacion do të zbatohet nuk do të mbetet në letër, se jam i bindur që ligje të mira ka edhe Lukashenko, por Shqipëria nuk mund të jetë dhe nuk mund të bëhet Bjellorusi”.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri tha se socialistët ishin gati për të diskutuar në lidhje me reformën zgjedhore. Ai foli pas një takimi me ambasadoren Urszula Gaçek.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste shprehu gatishmërinë e mazhorancës për t’u ulur në tryezë me opozitën me synim adresimin e të gjitha rekomandimeve të lëna nga raportet e OSBE/ODIHR-it, përfshirë nevojën për depolitizimin e administratës zgjedhore. Sipas tij, dialogu politik brenda institucioneve ka raste të shumta suksesi të kryerjes së reformave të rëndësishme bipartizane.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore