Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Rebusi i Presidentit të Kosovës: Zgjedhje apo koalicion i madh PDK-LDK

Rebusi i Presidentit të Kosovës: Zgjedhje apo koalicion i madh PDK-LDK

Kosova ndodhet para një ngërçi politik pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi dhe sipas gjasave, vendi do të hyjë një krizë të re politike.

Kjo sepse AAK-ja kërkon që President të zgjidhet Ramush Haradinaj dhe thotë që kjo parti nuk do të votojë asnjë kandidat tjetër. AAK ka 10 vota në Kuvend.

Enver Hoxhaj, kreu kujdestar i PDK-së thotë se kjo parti nuk do të votojë asnjë kandidat që vjen nga qeveria, pra LDK e AAK. PDK-ja e drejtuar nga Thaçi dhe më pas nga Veseli ka 24 deputetë në Kuvend. Vetëvendosje nga ana e saj deklaron se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjen e Presidentit dhe ajo kërkon që kjo të ndodhë pas zgjedhjeve të reja. Vetëvendosje ka 29 deputetë në Kuvend.

LDK që drejton edhe mazhorancën qeverisëse nuk dëshiron që ta fusë vendin në krizë dhe kreu i kësaj partie Isa Mustafa ka deklaruar se do të nisë negociatat me partitë parlamentare. LDK zotëron 28 vota në Kuvend.

“Sipas opinionit tonë është më mirë që çështja të zgjidhet tani sesa të shkojmë në zgjedhje dhe ta përsërisim edhe një herë situatën e njëjtë”, ka deklaruar Mustafa.

Vjosa Osmani, e cila është Presidente e komanduar, s’mund të rrijë më shumë se 6 muaj në këtë post. Por që të zgjidhet një President, sipas Kushtetutës, në raundin e parë ai mund të zgjidhet me 80 vota dhe në raundin e pestë mund të marrë edhe shumicë të thjeshtë pra me 61 vota.

Hashim Thaçi u zgjodh President me 71 vota, Fatmir Sejdiu me 61, Ibrahim Rugova po ashtu. E vetmja që ka marrë votat e 2/3 ka qenë Atifete Jahjaga që u bë me marrëveshje dhe prodhoi një qeveri të përbashkët PDK-LDK.

Prej kohësh po flitet për një rikthim të koalicionit të madh në Kosovë, por nga PDK presin që Hashim Thaçi e Kadri Veseli të hetohen në liri, që të mund edhe të rikthehen në krye të politikës.

Nëse bashkohen PDK e LDK ata bëjnë së bashku 52 deputetë e i duhen vetëm 7 vota për të zgjedhur Presidentin e ri apo edhe qeverinë. Që lehtësisht mund t’i sigurojnë vetëm me 12 deputetët e Nisma-s së Fatmir Limajt dhe të minoritetit boshnjak e pakicat egjiptiane (Ashkalinjtë) . Por një rikthim në qeveri, ka rrezik t’i japë PDK-së problemet që mazhoranca aktuale ka hasur deri tani. Ndaj nuk është një fjalëkryq i lehtë...

Gjithsesi presioni i Ramush Haradinajt është më shumë një presion i përkohshëm, që pak gjasa të kthehet në opsion politik.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore