Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Reagimi në bllok i ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 25 prillit, si "shuplakë" për opozitën

Reagimi në bllok i ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 25

Ndërkombëtarët i kanë dhënë një goditje të fortë “kauzës” së re të opozitës lidhur me pretendimet për manipulim dhe blerje të zgjedhjeve, duke njohur në bllok rezultatin e 25 prillit dhe duke uruar kryeministrin Edi Rama për mandatin e tretë.

Mesazhi më i fortë dhe njëkohësisht më i rëndësishëm erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes zëdhënësit të DASH dhe ambasadores Yuri Kim.

Në reagimin e SHBA, merr përgjigje edhe deputeti i ri i PD, Mark Marku dhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie, të cilët deklaruan qartë se nuk do të njohin zgjedhjet, edhe pse Lulzim Basha nuk e artikuloi qartë qendrimin e tij, në tentative për të fituar kohë.

Dje kandidati i Bashës foli me bindje se “SHBA, BE dhe gjithë bota demokratike nuk do ta njohin Lukashenkon e Ballkanit, Edi Rama dhe zgjedhjet e tij”, por vetëm një ditë më vonë, e gjithë bota rrëzoi kauzën e tij.

Zëdhënësi i DASH, Ned Prince, deklaroi sot se SHBA do të vazhdojë partneritetin e ngushtë me kryeministrin Edi Rama, ndërsa qëndrimi ndaj opozitës është i qartë; njihni rezultatin.

“Sh.B.A përgëzon popullin e Shqipërisë për zgjedhjet e tyre të fundit. Ne shpresojmë të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Kryeministrin Rama dhe përgëzojmë fushatën e fortë të opozitës. Respektimi i rezultateve të zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë.”, thuhet në reagimin e DASH, duke shkërmoqur kështu edhe bindjen personale të zotit Marku.

Akuzave që po artikulohen në selinë blu iu dha përgjigje edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, e cila deklaroi se populli shqiptar foli qartë në zgjedhjet e 25 prillit.

Pasi uroi Edi Ramën për fitoren dhe Lulzim Bashën për fushatën e mirë elektorale, Yuri Kim kërkon njohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe bashkëpunim mes liderëve për të mirën e popullit shqiptar.

“ Ne urojmë kryeministrin Edi Rama dhe PS për fitoren në këto zgjedhje. Urimi tjetër shkon për kreun e PD, Lulzim Basha për drejtimin e një fushatë të fortë që iu dha zë shumë njerëzve dhe inspiroi shpresë. Në veçanti urojmë popullin shqiptar, i cili foli qartë. Duke njohur rezultatin e zgjedhje dhe bashkëpunimit me njëri-tjetrin liderët do të sillen në mënyrë të përgjegjshme për të mirën e popullit shqiptar.”, shkruan Yuri Kim.

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit strategjik të Shqipërisë, edhe Gjermania “certifikoi” rezultatin e 25 prillit, duke vlerësuar si të qetë procesin.

Ambasadori gjerman në Tiranë Peter Zingraf uroi kryeministrin Edi Rama për fitoren, duke theksuar se Berlini do të vazhdojë ta shoqërojë dhe mbështesë vendin tonë edhe më tej në rrugën e saj europiane. Sipas tij Kodi i ri zgjedhor e kaloi me sukses testin e tij të parë.

“ Për ne me rëndësi vendimtare është rruga e mëtejshme e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Unë pres që të gjitha partitë dhe aktorët politikë të kontribuojnë në mënyrë aktive në këtë drejtim dhe që përmes reformash të tjera të bëhen hapa përpara. Përgëzoj Partinë Socialiste për fitoren. Qeveria e saj do të ketë një funksion kyç në këtë proces reformash. Po kështu përgëzoj edhe Partinë Demokratike, e cila ka mundur të shënojë një rritje të konsiderueshme krahasuar me zgjedhjet e fundit. Një demokraci e shëndetshme ka nevojë për një opozitë të fortë parlamentare si dhe për përfshirjen dhe kontributin e saj aktiv, për shembull në ligje dhe vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar. Gjermania do të vazhdojë ta shoqërojë dhe mbështesë Shqipërinë edhe më tej në rrugën e saj”,  tha ai.

Të njëjtin qëndrim pati edhe ambasadori britanik Duncan Norman, i cili uroi Ramën për fitoren.

"Urime Kryeministit Edi Rama dhe Partisë Socialiste për rezultatin në zgjedhjet parlamentare, si dhe qytetarëve për pjesëmarrjen e tyre, pavarësisht kufizimeve  të COVID19. Theksojmë gjithashtu fushatën e bazuar në programe që zhvilloi Partia Demokratike si dhe rritjen e shënuar në rezultat”, shkruan Norman.

Pasi Departamenti Amerikan i Shtetit, Gjermania, Britania dhe kryesuesja e OSBE vlerësuan zgjedhjet, Rama ka marrë mesazh urimi edhe nga Presidenti francez Emmanuel Macron.

Për fitoren, Rama ka marrë mesazh urimi edhe nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

Rama po ashtu zhvilloi dje, një bisedë telefonike me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyp Erdogan dhe Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, të cilët e uruan për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Siç shihet, qëndrimi i ndërkombëtarëve ka qenë i unifikuar dhe me mesazhe të qarta. Qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit është legjitime dhe zgjedhjet ishin të lira dhe të qeta.

E gjithë kjo ofensivë e ndërkombetarëve synon që të parandalojë përsëritjen e skenarit të opozitës që mori edhe aktin ekstrem të djegies së mandateve./Gazeta SHQIP

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore