Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Raporti / Pas shkarkimit, Ilir Meta drejt SPAK-ut për nxitje dhune dhe urrejtje, rol të dyshimtë edhe në vrasjen e Pjerin Xhuvanit

Raporti / Pas shkarkimit, Ilir Meta drejt SPAK-ut për nxitje dhune dhe

Pas shkarkimit të pritshëm në seancën e 9 qershorit 2021, Presidenti Ilir Meta mund të përballet me SPAK për dy vepra të rënda penale, thirrjet publike për veprime të dhunshme dhe thirrje për urrejtje nacionale.

Report Tv ka siguruar raportin prej 100 faqesh të komisionit hetimor parlamentar, në të cilin propozohet jo vetëm shkarkimi i Ilir Metës nga posti i Presidentit, por kërkohet angazhimi i organeve hetimore për të nisur hetimet kryesisht ndaj Presidentit për nxirrje të dhunës dhe urrejtjes para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.

Në raport reflektohen thirrjet e Metës për dhunë, roli i tij në përplasjen mes Bashkisë së Tiranës dhe FRD-së, mbrojtja nga ana e tij e strukturës paramilitare të PD pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, duke analizuar qëndrimet e Metës në 19 emisione televizive, 9 deklarata për mediet, 45 postime në rrjetet sociale si dhe disa shkresa që u ka drejtuar institucioneve të pavarura në mënyrë të përsëritur.

“Komisioni Hetimor nuk hetoi faktet e mësipërme të thirrjes për dhunë apo urrejtjes ne kuadrin e veprave penale, pasi objekti i hetimit në këtë proces lidhet me pretendime për shkelje të rënda kushtetuese, dhe kjo është detyrë e organeve hetimore që për këto çështje mund të nisin hetimin dhe kryesisht sipas dispozitave ligjore në fuqi. Komisioni Hetimor vlerëson se aktet e sjelljet e Presidentit kanë frymëzuar dhunë dhe ndasi sociale...Sipas komisionit nxitje dhune dhe ndasie dhe shembuj për të zgjidhur situatat me vetëgjyqësi, gjenden dhe në sjelljet e Presidentit që analizohen në këtë raport në lidhje me konfliktin midis FRD dhe Bashkisë Tiranë...”, thuhet në faqet 81 dhe 82 të raportit.

Sipas raportit, nga aktet që janë marrë në shqyrtim nga Komisioni, rezulton se në shumë nga daljet e veta publike, Meta ka zgjedhur të përdorë një retorikë dhune, duke promovuar dhunën si mjet për zgjidhjen e problemeve përkundrejt mjeteve që ofron shteti i së drejtës.

“Kjo retorikë dhune, e justifikuar në mbrojtje të votës nga vjedhja, ka pasur përshkallëzim të fortë deri në fund të fushatës. “Nëse një votë vidhet, do u pritet dora në sheshin Skënderbe, Kryemadhit të parit dhe të tjerat”, deklaronte Presidenti më datë 1 mars 2021, duke u ofruar shqiptarëve “drejtësinë” e Mesopotamisë së lashtë, në vend të shtetit ligjor. Më 19 prill 2021 Presidenti lëshoi thirrjen: “Gjejini (patronazhistët)! Izolojini! Mos i toleroni!…Ngrehuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini, katundar e punëtorë, që nga Shkodra gjer në Vlorë!”. Më 21 prill 2021 parulla e ditës ishte: “T’i mprehin sfurqet, kosoret, lopatat, sëpatat t’i mprehin e t’i kenë gati për të dielën”, thuhet në raport.

“Nëse Presidenti i Republikës ka qenë i përfshirë në platformën e opozitës për ngritjen dhe funksionimin e grupit paramilitar të quajtur “Struktura për Mbrojtjen e Votës”, apo jo, kjo është një çështje që vetëm hetimi i organeve kompetente mund ta zbulojë. Por, për komisionin tonë rezulton e provuar se Presidenti i Republikës nuk ka mbajtur qëndrim ekuilibrues, por përkundrazi ka bërë deklarata që në fakt nxisin ndasi dhe dhunë. Ky konkluzion përforcohet edhe nga fakti, se ai për asnjë moment nuk është distancuar dhe nuk ka dënuar jo vetëm vrasjen, por as modelin e kundërligjshëm që përfaqësonte “Struktura për Mbrojtjen e Votës”, vijon raporti.

Raporti i komisionit hetimor për shkarkimin e Metës pritet të miratohet në seancën plenare të 9 qershorit 2021. Më pas vëmendja do të zhvendoset tek Gjykata Kushtetuese, e cila do të vendosë përfundimisht për shkarkimin ose jo të kreut të shtetit. / Shqiptarja.com

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore