Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Raporti i fortë i Këshillit të Europës: Deputetë të Parlamentit shqiptar në konflikt interesi

Raporti i fortë i Këshillit të Europës: Deputetë

Një raport mjaft i rëndësishëm i një organizmi të rëndësishëm të Këshillit të Europës, përkatësisht GRECO, Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit, në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, ka publikuar disa përfundime interesante për Shqipërinë.

Ky raport është  një instrument i rëndësishëm vlerësimi në kancelaritë e Komisionit Europian për Shqipërinë. Në këtë raport, edhe pse ka një sërë vlerësimesh në lidhje me rekomandimesh të dhëna nga GRECO, theksohet se pesë deputetë shqiptarë kanë ende konflikt interesi në lidhje me interesat private.

“Autoritetet e Shqipërisë bëjnë të ditur tani që gjatë mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe seancave plenare deputetët informohen nga Autoriteti Përgjegjës Ligjor i Kuvendit për detyrimet e tyre për të deklaruar konfliktet e interesit rast pas rasti. Pas paraqitjes së njoftimeve rast pas rasti të konfliktit të interesit, Kryetari, në seancën plenare, informon Kuvendin për këto njoftime. Një regjistër i deklaratave të konfliktit të interesit publikohet në faqen e internetit të Kuvendit dhe mbahet i përditësuar. Që nga Raporti i Dytë i Përputhshmërisë, pesë deputetë kanë njoftuar interesa private rast pas rasti, sipas kësaj procedure”, theksohet në raport.

E pikërisht për këtë kërkohet nga qeveria dhe institucionet të eleminojë këtë probleme.

“GRECO mirëpret që masat e hartuara nga Kuvendi për të siguruar zbatimin e duhur të Kodit të Sjelljes kanë rezultuar në një sistem njoftimesh të konfliktit të interesit rast pas rasti. Ai vëren se deklaratat bëhen publike si brenda Kuvendit ashtu edhe për publikun përmes faqes në internet. GRECO inkurajon autoritetet shqiptare të sigurojnë një përditësim të vazhdueshëm të këtij informacioni. Ai gjithashtu mirëpret ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit të cilat sqarojnë dhe përforcojnë mekanizmat e zbatimit dhe sanksionimit në rast të shkeljes së detyrimeve dhe procedurës së përcaktuar në lidhje me deklarimin rast pas rasti të konfliktit të interesit. Ai vë në dukje se funksionimi i duhur i këtij sistemi të deklarimit rast pas rasti sigurohet nga një mekanizëm monitorimi i ushtruar nga Autoriteti Përgjegjës Ligjor nën mbikëqyrjen e ILDKPKI”, theksohet në raport.

Vlerësimi për Vettingun, i ngadaltë

GRECO gjithashtu thekson se nuk ka ecur siç duhet vlerësimi i magjistratëve, pra prokurorëve e gjyqtarëve, që sipas këtij organizizmi ka ecur ngadalë. “Kujtojmë që në Raportin e Dytë të Përputhshmërisë, GRECO arriti në përfundimin se ky rekomandim ishte zbatuar pjesërisht. Më konkretisht, GRECO e konsideroi pjesën e parë të rekomandimit të zbatuar në mënyrë të kënaqshme: ai mirëpriti ndryshimet kushtetuese të cilat kufizuan rolin e Presidentit të Republikës në emërimin zyrtar të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pas propozimit nga KLGJ-ja e sapo krijuar. GRECO gjithashtu konstatoi se përbërja e KLGJ-së, duke përfshirë shumicën e gjyqtarëve të zgjedhur nga kolegët e tyre, përmbush në përgjithësi objektivat e pjesës së parë të rekomandimit", thuhet në raport.

"Në lidhje me pjesën e dytë të rekomandimit, GRECO vuri në dukje se kriteret për vlerësimin e magjistratëve ishin përcaktuar në Ligjin Nr. 96/2016, por mbeten të shqetësuar nga hendeku kohor, që mund të jetë më shumë se gjashtë vjet, midis viteve të referencës për vlerësimin e gjyqtarëve dhe ciklet përkatëse të vlerësimeve. GRECO konsideroi se ky hendek kohor mbetej një vështirësi dhe se vlerësimet periodike të gjyqtarëve nuk u kryen në kohën e duhur. Prandaj kjo pjesë e rekomandimit ishte zbatuar pjesërisht”, thekson raporti.

Këtë argument, institucioni i KiE-s, GRECO e detajon me argumente më të hollësishme, duke përmendur edhe ndihmën që po japin SHBA-të për zgjidhjen e ccështjeve të mbetura pezullur prej vitesh në Gykatën e Lartë.

“Autoritetet raportojnë gjithashtu se është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi mes KLGJ-së dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID), që synon uljen e numrit të çështjeve të prapambetura: 12 punonjës po punojnë për inventarizimin në detaje të gati 35,000 çështjeve në pritje, të cilat do të përdoren për kategorizimin e çështjeve që do të trajtohen më pas nga këshilltarët ligjorë dhe gjyqtarët. Memorandumi i Mirëkuptimit parashikon gjithashtu modernizimin e proceseve të punës dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit të Gjykatës për rritjen e transparencës dhe përmirësimin e marrëdhënieve me publikun. Është hartuar një Udhërrëfyes për efikasitetin e Gjykatës së Lartë dhe uljen e numrit të çështjeve të prapambetura duke përfshirë promovimin e gjyqtarëve të kualifikuar dhe emërimin e më shumë këshilltarëve ligjorë", thekson GRECO.

Për sa i përket vlerësimit të gjyqtarëve, sipas raportit, autoritetet shqiptare theksojnë tani se vlerësimi etik dhe profesional dhe rivlerësimi kalimtar (vetingu) janë të ndërlidhura me njëra tjetrën dhe që të dy duhet të përdoren nga KLGJ për të përcaktuar statusin dhe karrierën e magjistratëve.

Për sa i përket vlerësimit profesional të magjistratëve, neni 84 i ligjit nr. 96/2016 për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve përcakton në mënyrë të hollësishme dhe proporcionale periudhat e vlerësimit për magjistratët sipas përvojës dhe pozicionit të tyre profesional: një herë në tre vjet gjatë 15 viteve të para të përvojës profesionale, dhe pastaj një herë në pesë vjet.

Një kryetar gjykate vlerësohet të paktën një herë gjatë kohëzgjatjes së mandatit të tij/saj dhe të paktën gjashtë muaj para mbarimit të këtij mandati. KLGJ miratoi në 21 nëntor 2019 akte nënligjore plotësuese në lidhje me Skemën e re të Vlerësimit Gjyqësor, si dhe tabelat standarde me të dhënat e kërkuara statistikore për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarëve (19 Dhjetor 2019). Është përcaktuar një metodologji pikëzimi që synon përcaktimin e shkallëve të vlerësimit të gjyqtarëve dhe treguesit përkatës ligjorë në lidhje me cilësitë, kualifikimet, integritetin, aftësitë dhe efektivitetin e tyre, duke respektuar parimin e pavarësisë së gjyqtarit. Janë përfunduar 250 vlerësime profesionale nga 466 gjithsej.

"Përsa i përket procesit kalimtar të rivlerësimit, Programi i Vlerësimit Gjyqësor Etik dhe Profesional i vitit 2020 parashikon rivlerësimin e 121 gjyqtarëve. Në total, në organet e pavarura të rivlerësimit kalimtar janë dërguar 216 relacione vlerësimi. Ndërkohë, është një total prej 389 gjyqtarësh që do t’i nënshtrohen procesit të ri-vlerësimit (25 kanë dhënë dorëheqjen), që do të thotë, sipas autoriteteve shqiptare, se procesi i rivlerësimit kalimtar po ecën mirë. Autoritetet shqiptare konsiderojnë që këto masa kontribuojnë për të mbushur hendekun kohor midis viteve të referencës dhe cikleve përkatëse të vlerësimit të gjyqtarëve. Ata pranojnë që vlerësimi profesional i gjyqtarëve dhe procesi i ri-vlerësimit janë dy procese të ndryshme. Megjithatë, ata theksojnë se të dy këto procese janë të ndërlidhura ngushtë për shkak të përbërësit të vlerësimit profesional i cili përdoret në të dy proceset ku KLGJ është autoriteti i vetëm përgjegjës që kryen vlerësimin”theksohet në raport.

Ky organ i Strasburgut, në raportin e radhës mbi “Parandalimin e korrupsionit në lidhje me deputetët, gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri, ngre shqetësimin se janë emëruar vetëm 1/5 e anëtarëve të Gjykatës së Lartë) nga 19 gjyqtarë që pritet të ketë kjo trupe gjyqësore dhe kërkon plotësimin edhe funksionimin e saj tërësisht të pavarur.

“Numri i çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë mbetet i lartë, megjithëse kohët e fundit janë bërë plane dhe janë marrë masa specifike për ta ulur atë. GRECO nxit autoritetet shqiptare të gjejnë zgjidhje të përshtatshme në mënyrë që Gjykata e Lartë të mund të funksionojë në përputhje me kuadrin ekzistues kushtetues dhe legjislativ. Është thelbësore që një Gjykatë e Lartë e depolitizuar dhe e pavarur të funksionojë plotësisht dhe me efikasitet sa më shpejt të jetë e mundur”, bën të ditur raporti.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore