Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Rama-Vuçiç-Zaev vendosin “afate”, çfarë u arrit dhe çfarë synohet me “Ballkanin e Hapur”

Rama-Vuçiç-Zaev vendosin “afate”, çfarë u

Në gjashtë takimet e mëparshme në kuadër të nismës që fillimisht u quajt Shengeni Ballkanik, por zyrtarisht në Forumin Ekonomik të Shkupit mori emrin “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut pak arritën.

Takimet e mëhershme më shumë synonin që të bindnin vendet tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, skeptike ndaj nismës, si Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina. Veç kësaj, as vetë grupet negociuese të tre vendeve pro nismës nuk kishin përmbyllur punën për marrëveshjet e dakordësuara parimisht.

Puna për disa prej tyre duket se u përmbyll para Forumit të Shkupit, duke i dhënë mundësinë Ramës, Vuçiçit dhe Zaevit, që përtej zemëratës së shprehur ndaj BE-së për mosmbajtje premtime ndaj integrimit të njoftonin data konkrete se kur synojnë që të zhdukin kufirin mes tre vendeve.

Ata vendosën datën 1 janar 2023 si dita kur do të hyjë në fuqi lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, kapitalit dhe e shërbimeve. Të tre janë në një mendje se “Ballkani i Hapur” nuk ka asnjë humbës, përveçse fitues.

Duke cituar një raport të Bankës Botërore, Rama tha se “nëse mundësohet lëvizja e lirë, Prodhimi i Brendshëm Bruto mund të rritet deri në në 6,7 për qind”. “Pse duhet t'ia privojmë vetes këtë mundësi të jashtëzakonshme, duke ndenjur secili brenda hapësirës së vet të vogël?”, deklaroi Rama.

Vuçiç mori si shembull lëvizjen e lirë të punonjësve. Ai tha se Serbia aktualisht ka problem krahun e punës dhe marrëveshja do të mundësonte që mangësitë në këtë sektor në Serbi të kompensohen nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut, ndërsa mangësitë në sektorë të tjerë në Maqedoninë e Veriut e Shqipëri të plotësoheshin nga Serbia.

“Duke krijuar një hapësirë ekonomike më të madhe dhe më plotësuese”, tha Presidenti serb. Kjo, sipas tre udhëheqësve, do të tërhiqet më shumë investime të huaja. Investimet më të mëdha, pas kësaj nisme, që të tre i presin nga Bashkimi Europian.

Një tjetër arritje lidhet me një sistem tatimi mbi vlerën e shtuar të integruar. Kjo mund të kërkojë më shumë kohë dhe të shkojë përtej 1 janarit 2023 për zbatim. Ideja është që të trija vende të kenë qasje në një sistem të integruar TVSH-je dhe hapi pasaardhës të jetë që nëse një mall paguan TVSH në Shqipëri, ajo i njihet edhe në Serbi dhe e anasjellta.

Aktualisht, Prodhimi i Brendshëm Bruto i të trija vendeve shkon në rreth 76 miliardë euro, ndërsa Vuçiç thotë se ky prodhim mund të dyfishohet brenda pesë viteve nga hyrja në fuqi e lëvizjes së lirë.

Sa do të realizohen? Sfidat mbi të cilat përballen këto nisma nuk janë të pakta dhe as kundërshtarët e tyre brenda vetë vendeve. Në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut nisma kritikohet se favorizon Serbinë, që ekonomikisht është më e fuqishme se Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Teorikisht heqja e kufizimeve i jep përparësi vendit në rajon që eksporton te vendet e tjera. Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Serbinë janë deficitare, pra Shqipëria importon më shumë nga sa eksporton dhe heqja e tarifave mund ta thellojë këtë raport.

Megjithatë, për biznesin, liria e lëvizjes është thelbësore, ndaj në Forumin Ekonomik, dhomat e tregtisë së tre vendeve mbështetën paktet e rritura dhe nxisin politikanët për më shumë.

"Kërkojmë hapjen e Ballkanit, të mbyllet historia , të bashkohet biznesi dhe ta luftojmë rezistencën e forcave konservatorre, të cilat nuk dëshirojnë një Ballkan të hapur dhe të integruar”, vlerësoi Branko Azesk, kryetari i Dhomës së Tregtisë në Maqedoninë e Veriut.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore